foto: Xinhua
Një shumëllojshmëri e markave të makinave elektrike kineze dhe skuterëve si “Letin Mengo”, “Yadea” dhe “Sunra” u ekspozuan në Kamboxhia, duke tërhequr qindra vizitorë. Ndërsa çmimet e naftës janë rritur, shumë persona në vendin e Azisë Juglindore janë orientuar në përdorimin e makinave elektrike dhe skuterëve, për të kursyer më shumë para për karburant.
Udom Pisey, menaxhere e automjeteve elektrike në “Car4you Co., Ltd.”, që importon mjetet elektrike “Letin Mengo” nga Kina, tha se përdorimi i automjeteve elektrike jo vetëm që ka kursyer para, por edhe ka mbrojtur mjedisin.
“Çmimet e makinave elektrike janë të ngjashme me ato të automjeteve me benzinë ose naftë, por kostoja e përdorimit të një makine elektrike është shumë më e ulët se ato me karburant”, tha ajo për “Xinhua” në “Electric Mobility Showcase 2023”, që u organizua në Phnom Penh.
“Përdoruesit do të kursejnë shumë para, sepse karikimi i një makine elekrike është shumë më lirë se mbushja e automjetit me karburant”,- shtoi ajo, duke theksuar se automjetet elektrike kanë kosto shumë të ulëta mirëmbajtjeje sepse nuk kanë aq pjesë lëvizëse sa një automjet me djegie të brendshme.
Ly Na, drejtoreshë e shitjeve në “EVX Auto Company”, shpërndarësi ekskluziv i skuterëve “Made in China Sunra” në Kamboxhia, tha se makinat elektrike ose mjetet elektrike me dy rrota janë miqësore me mjedisin, duke reduktuar ndotjen e ajrit dhe zhurmës.
“Shitjet tona janë mjaft të mira pasi shumë skutera “Sunra” janë shitur çdo muaj dhe besoj se kërkesa do të vazhdojë të rritet falë rritjes së çmimeve të naftës”, tha ajo për “Xinhua” në ekspozitë.
Sipas saj, skuterët “Sunra” janë me cilësi të lartë dhe shpejtësitë e tyre variojnë nga 70 kilometra në 135 kilometra në bazë të modeleve.
Në ekspozitë morën pjesë 19 kompani që shfaqnin makina elektrike dhe skuterë të prodhuar në vende të ndryshme, përfshirë Kamboxhia, Kinë, Korenë e Jugut dhe Singapor.
“Lëvizshmëria elektrike është e ardhmja e transportit të qëndrueshëm”,- tha Andy Chun, drejtor menaxhues i furnizuesit koreano-jugor të mjeteve elektrike me dy rrota “Verywords Co., Ltd”.
Qeveria kamboxhiane ka inkurajuar njerëzit të përdorin automjete elektrike dhe motoçikleta elektrike, duke thënë se ato janë miqësore me mjedisin dhe kursejnë paratë e përdoruesve. Sipas Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, rreth 800 automjete elektrike ishin regjistruar në Kamboxhia deri në shkurt 2023, ndërsa numri i mjeteve elektrike me dy rrota ishte i padisponueshëm.
“Qeveria është e përkushtuar që të ketë 40 për qind të makinave elektrike dhe 70 për qind të motoçikletave elektrike deri në vitin 2050, në mënyrë që të reduktojë emetimet e karbonit”,- tha ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sun Chanthol.
Për të arritur këtë objektiv, qeveria ka ulur detyrimet e importit për automjetet elektrike që nga viti 2021 në gati 50 për qind të taksave për automjetet tradicionale me motor me djegie të brendshme, tha ai, duke shtuar se Kamboxhia gjithashtu inkurajoi investimet në fabrikat e montimit të makinave.
“Kjo po ofron një nxitje për njerëzit që të zhvendosen drejt automjeteve elektrike”,- tha ai.
Chanthol theksoi se automjetet elektrike kanë gjithashtu përfitime shëndetësore dhe mjedisore përmes reduktimit të ndotjes së ajrit që do të rezultonte në përfitime për shëndetin publik.
Sipas tij, kostoja e funksionimit të një makine elektrike mbi një kilometër është pothuajse gjysma e asaj të automjetit tradicional me motor me djegie të brendshme.