Ekspertja: Aleanca Japoni-ShBA-Kore e Jugut do të përshkallëzojë tensionet rajonale
2023-08-15 19:39:12

Udhëheqësit e ShBA-së, Japonisë dhe Koresë së Jugut në majin e vitit 2023 (Foto nga VCG)

Udhëheqësit e ShBA-së, Japonisë dhe Koresë së Jugut do të takohen në Camp David të premten, ku pritet të shpallin një sërë nismash të përbashkëta, veçanërisht në fushat e teknologjisë e të mbrojtjes, bënë të ditur zyrtarë të lartë të administratës amerikane.

Përpara takimit në Camp David, sekretari i Shtetit i ShBA-së Antony Blinken zhvilloi të hënën një takim virtual me ministrin e Jashtëm japonez Yoshimasa Hayashi dhe atë koreanojugor Park Jin, sipas Departamentit amerikan të Shtetit.

Ka shumë gjasa që të tre palët të diskutojnë mbi përgatitjet rreth takimit të ardhshëm, tha agjencia e lajmeve "Reuters", duke cituar një zyrtar amerikan, sipas të cilit takimi në Camp David mund të mos sjellë një marrëveshje zyrtare të sigurisë, por palët mund të arrijnë konsensus për një pranim të ndërsjellë të përgjegjësive rajonale dhe për hapjen e një linje kontakti telefonik trepalësh për të komunikuar në kohë krize.

Do të publikohet gjithashtu një deklaratë e përbashkët ndërmjet vendeve, e cila do të përfshijë edhe disa fjalë lidhur me rajonin e Tajvanit të Kinës, tha zyrtari amerikan.

Uashingtoni ka pasur marrëveshje të veçanta mbrojtjeje si me Japonisë, edhe me Korenë e Jugut, por ekspertët thonë se ShBA-ja do që këto dy vende të punojnë më ngushtë së bashku për të forcuar interesat e saj në rajonin e Paqësorit.

"Forcimi i aleancës Japoni-ShBA-Kore e Jugut vetëm sa do të përshkallëzojë tensionet e mëtejshme në Azinë Lindore, gjë që është shumë e rrezikshme," i tha së fundmi Kumiko Haba, një profesore japoneze e politikës ndërkombëtare në Universitetin "Aoyama Gakuin" të Tokios, Grupit Mediatik të Kinës (CMG).

Në përgjigje të forcimit të bashkëpunimit ushtarak ndërmjet ShBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë në rajonin e Azi-Paqësorit, Ministria e Jashtme kineze ka vënë në dukje se bashkëpunimi ushtarak ndërshtetëror duhet të jetë në favor të paqes e qëndrueshmërisë rajonale dhe nuk duhet të synojë asnjë palë të tretë a të dëmtojë interesat e ndonjë pale të tretë.

Sipas saj, Kina kundërshton me forcë ndërhyrjen prej vendeve jashtë rajonit të Azi-Paqësorit në çështjet aziatike, duke kërkuar nga Koreja e Jugut dhe Japonia të mos bëjnë asgjë që minon besimin e ndërsjellë ndërmjet vendeve të rajonit dhe dëmton paqen e qëndrueshmërinë rajonale.