Foto nga Instagrami
Për të 19-in vit radhazi qyteti i Fushë-Arrëzit ka pritur 13 grupe instrumentistësh të vegjël nga të gjitha trevat shqiptare. I njohur për natyrën e bukur dhe dashurinë e të vegjëlve për çiftelinë e vallet, Fushë-Arrëzi sjell në kujtesë rëndësinë e muzikës popullore te brezat e rinj. Në qytetin e vogël verior, të rrethuar nga malet për 3 ditë jehuan tingujt e valleve dhe këngëve nga 11-13 gusht, duke krijuar një atmosferë festive. Gjatë këtyre ditëve “Festivali i 19-të i Instrumentistëve të Vegjël” organizuar nga Bashkia Fushë Arrëz nën drejtimin e Hil Currit, njëherësh president i festivalit dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve, solli në këtë qytet mori ngjyrash me artistë të vegjël të talentuar nga të gjitha trevat shqipfolëse.
Ky festival është i pari i natyrës së tij në Shqipëri sepse tashmë organizohet për të 19-tin vit radhazi. Festivali bashkon artistët e vegjël për të konkuruar me performancat artistike me instrumente popullore. Këtë vit festivali përkoi me festivalin “Dita e Mërgimtarit” që mirëpret të gjithë banorët që jetojnë jashtë qytetit ose jashtë Shqipërisë, të cilët kthehen në Fushë-Arrëz. U organizuan panaire, një mënyrë e mirë kjo për t’u dhënë mundësi turistëve dhe vendasve të provojnë ushqimet dhe punimet tradicionale të kësaj zone dhe aktivitete të ndryshme sportive dhe artistike në natyrë. Në intervistë për Radio Ejani tregon më tepër për këtë aktivitet zv. Kryetari i Bashkisë Fushë- Arrëz, Mikel Qafa.
Zv. Kryetari i Bashkisë Fushë - Arrëz Mikel Qafa (Foto nga Instagrami)
CMG: Këtë vit në Fushë-Arrëz u organizua edicioni i 19-të i festivalit "Instrumentistët e vegjël". Na tregoni më tepër për këtë aktivitet?
Mikel Qafa: Në këtë festival marrin pjesë instrumentistë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe Kosovës si nga Tirana, Mirdita, Puka, nga Kosova kemi artiste nga Padujeva, Lipjani, Drenasi etj. Gjithashtu vitet e tjera kemi patur pjesëmarrës nga Shkupi i Maqedonisë, por edhe nga Mali i Zi. Festivali organizohet për ditë me rradhë dhe këtë vit u zhvillua 11, 12 dhe 13 gusht. Dita e parë ishte mirë se ardhja nga fëmijët e Fushë -Arrëzit. Fëmijët bëjnë parakalimin e tyre në qytet, ku krijohet një atmosferë me rrobat e tyre tradicionale të secilës zonë, me valltarë, instrumentistë, etj. Në ditën e dytë është konkursi zyrtar dhe ditën e tretë është gjithmonë ndarja e çmimeve.
Foto nga facebook
CMG: Gjithashtu në të njëjtën kohë zhvillohet dhe festivali "Dita e Mërgimtarit". Çfarë të veçante pati këtë vit?
Mikel Qafa: Këtë Festival e përcjellin qindra artdashës nga të gjitha zonat e Shqipërisë.E veçanta këtë vit ishte se bashkuam Ditën e Mërgimtarit, pasi kjo është dita kur mblidhen të gjithë mërgimtarët që kanë ikur jashtë dhe në këtë kohë kthehen në vendlindjen e tyre, duke krijuar një ambjent festiv. Skena dhe të gjitha u përgatitën nga një grup profesionistësh, duke përcjellë ndryshimet në administratë dhe në natyrën e qytetit. Përgjatë këtyre ditëve përcillet panairi i Etnokulturës së Fushë -Arrëzit, ku marrin pjesë të gjithë ata që merren me punime tradicionale të kësaj zone, si me instrumentat popullorë që janë sipas trevave,çiftelia, lahuta, dajre, daulle dhe klarinetë.
Festivali 19-të i intsrumentisteve te vegjel (Foto nga facebook)
CMG: Në sa instrumenta interpretuan artistët e vegjël dhe pjesëmarrja ishtë individuale apo me grupe muzikore?
Mikel Qafa: Artistët e vegjël interpretuan solo, por edhe me grup e me orkestër.
-Çdo vit në Fushë -Arrëz krijohet një atmosferë shumë festive e cila i jep gjallëri zonës. Fëmijët e pranishëm në festivalin “Instrumentistët e Vegjël Popullorë”, morën pjesë në këtë event që këtë vit përkonte me 19-të vjetorin e tij, duke u kthyer tashmë në traditë që prej vitit 2004. Kjo është një mënyrë mjaft e mirë që ‘Instrumentistët e vegjël popullorë’ të njohin më shumë instrumentët e traditës, dhe synimi i këtij festivali është që ata të kenë njohuri sidomos për instrumentin e çiftelisë.
Intervistoi: Sava Lena
Foto nga facebook