Lehtësohen ndjeshëm shkëmbimet ekonomike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut
2023-08-15 14:44:48

Në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës u zhvillua në fund të korrikut ceremonia e përurimit të programit të ri kufitar “Një ndalesë – Një kontroll”, mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në të cilën morën pjesë personalitetet më të larta qeveritare të dy vendeve. Vendimi për këtë praktikë të re kontrolli “One stop shop” ishte marrë në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, mbajtur më 14 nëntor 2022. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, lehtësohet së tepërmi qarkullimi i njerëzve dhe mallrave në të dy kahet e kufirit, e njëherësh thjeshtohen ndjeshëm edhe procedurat.

Ceremonia në Qafë Thanë (Foto Ministria e Brendshme e Shqipërisë)

Ceremonia në Qafë Thanë (Foto Ministria e Brendshme e Shqipërisë)

Pika e Qafë Thanës vjen në vijim të përvojës së suksesshme me pikat e tjera kufitare të përbashkëta, siç është ajo e Muriqanit dhe pika kufitare e Morinës.

Lehtësohen ndjeshëm shkëmbimet ekonomike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut

Më 31 korrik 2023 u përurua Pika e Përbashkët e kalimit të kufirit midis Doganës së Qafë Thanës në pjesën e Shqipërisë dhe Doganës Kafasan në krahun e Maqedonisë së Veriut. Përmes saj, hyri në fuqi programi i ri kufitar "Një ndalesë - Një kontroll", duke e zhbërë praktikisht kufirin burokratik mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe duke lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave me procedura shumë të thjeshtuara.

Në këtë mënyrë, One Stop Shop(një Pikë Shërbimi e vetme) tashmë është i disponueshëm edhe në pikën kufitare të Qafë Thanës. Falë punës së përbashkët me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, qytetarët e të dyja vendeve, por edhe vizitorët, fluksi i të cilëve po rritet dita ditës, do të mund të kalojnë shumë më shpejt dhe pa shumë procedura, duke mos humbur më kohë apo pritur nëpër radhë. Një punë e mirë që afron më tej Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut, duke lehtësuar jetën e qytetarëve në të dyja anët e kufirit.

Kryeministri Rama tha se çelja e pikës së përbashkët të Qafë Thanës është një moment i rëndësishëm pasi lehtësohet në mënyrë të konsiderueshme kalimi në këtë pikë, duke i dhënë një shtysë të mëtejshme, jo vetëm shkëmbimeve tregtare, por edhe zhvillimit të marrëdhënieve tona në tërësi pa harruar edhe zhvillimin e turizmit. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe me heqjen e kësaj pengese, tashmë do të ketë përfitime të mëdha ekonomike për dy vendet. 

Kryeministri maqedonas Kovaçevski (Foto Ministria e Brendshme e Shqipërisë)

Kryeministri maqedonas Kovaçevski (Foto Ministria e Brendshme e Shqipërisë)

ZvKryeministre, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u shpreh:

 “Ajo çka gjithmonë i ka munduar shqiptarët ndër vite ka qenë izolimi. Një izolim, i cili sot e kësaj dite i ka akoma efektet e tij negative, qofshin këto sociale apo pasoja ekonomike. Ndaj një nga prioritetet kryesore të Qeverisë “Rama”, duke nisur nga vitit 2013, padyshim ka qenë lehtësimi i të gjitha procedurave kufitare për të lehtësuar kështu kalimin e qytetarëve dhe sidomos të tregtisë dhe të mallrave.

Ky projekt është dëshmia e radhës e vullnetit dhe dëshirës së mirë që ekziston midis dy qeverive. E vullnetit dhe e dëshirës së mirë që ne kemi për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin në çdo nivel, duke nisur nga nivelet administrative dhe deri në nivelet më të larta politike dhe padyshim marrëdhënia midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tashmë është kthyer në një model për t’u ndjekur për të gjitha ato vende që kanë dëshirë të çojnë përpara zhvillimin rajonal.

Tashmë ne kemi një përvojë mjaft të mirë të funksionimit të pikave kufitare të përbashkëta, ashtu siç është në rastin e Murriqanit, apo siç është në rastin e Morinës me Kosovën. Kështu që këto dy modele na kanë udhëhequr për të ardhur sot në këtë pikë të re të përbashkët ku qytetarët shqiptarë, ata të Maqedonisë së Veriut, por edhe vizitorët e shumtë, të cilët shtohen çdo ditë midis dy vendeve tona, do të kenë mundësi të një lëvizjeje komode”.

Projekti "Një ndalesë - Një kontroll" synon po ashtu përmirësimin e infrastrukturës së trajtimit cilësor dhe të shpejtë të qytetarëve dhe mallrave në pikat kufitare dhe thjeshtimin e procedurave të kontrollit, nëpërmjet një sistemi “one stop shop”.

Kryeministri Rama në ceremoni (Foto Ministria e Brendshme e Shqipërisë)

Kryeministri Rama në ceremoni (Foto Ministria e Brendshme e Shqipërisë)

Në kuadër të Projektit të Bankës Botërore “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor”, qeveria e Shqipërisë realizoi projektimin dhe mbikëqyrjen e infrastrukturës dhe përmirësimin e pajisjeve, në koordinim me strukturat homologe të Maqedonisë së Veriut.

Në projekt u morën në konsideratë të gjitha kërkesat dhe nevojat e institucioneve përfituese që operojnë në Pikën Doganore të Qafë Thanës nga pala shqiptare dhe në Pikën Doganore Kafasan nga pala maqedonase.

U kryen në mënyrë të shpeshtë konsultime midis Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Degës së Doganës Qafë Thanë dhe projektuesve shqiptarë dhe të Maqedonisë së Veriut, për projektin e detajuar dhe mbikëqyrjen e infrastrukturës në këtë pikë të përbashkët.

Projekti "Një ndalesë - Një kontroll" do të ketë një ndikim të rëndësishëm në lehtësimin e lëvizjes në të dyja krahët e kufirit, ne rritjen e shkembimeve ekonomike mes Shqiperise dhe Maqedonise se Veriut, si dhe do të stimulojë zhvillim ekonomik rajonal.

Në vëllimin tregtar të Shqipërisë me të pesë vendet e tjera të rajonit, me Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, shkëmbimet(import-eksportet) me Maqedoninë e Veriut zënë një vend të rëndësishëm, me 22 përqind të këtij vëllimi.

Pamje nga pika kufitare (Foto Ministria e Brendëshme e Shqipërisë)

Pamje nga pika kufitare (Foto Ministria e Brendëshme e Shqipërisë)

Në historinë shumëvjeçare të tregtisë, Shqipëria, për herë të parë në vitin e kaluar 2022, kaloi në suficit tregtar me Maqedoninë e Veriut, e cila është partneri ynë i tretë tregtar në rajon, pas Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë vitit 2022, sufiçiti tregtar arriti në 1 miliard lekë, nga rreth -106 milionë lekë defiçit në vitin 2021.

Nga viti 2010 deri në tetor 2022, importet maqedonase drejt Shqipërisë janë rritur me 111%, ndërsa eksportet tona, me 530%. Eksportet shqiptare në Maqedoninë e Veriut dominohen nga materialet e ndërtimit, nafta dhe zarzavatet. Importet përfaqësohen kryesisht nga materialet e ndërtimit, ushqimet e përpunuara, produktet kimike dhe plastike, si dhe mineralet.

Prej kohësh, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë nisur një projekt të madh të përbashkët, projektin e zhvillimit të Korridorit të VIII-të, një ëndërr e shqiptarëve të Shqipërisë dhe e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, i cili tashmë nuk është thjesht një projekt në letër. Nga ana shqiptare ka nisur prej kohësh dhe ndodhemi në lotin e dytë të ndëtimit të autostradës. Shpresojmë që brenda vitit 2024, dy lotet e para nga Elbasani në Qafë-Thanë të dorëzohen, për të hapur gjatë shtatorit të këtij viti dy lote të reja, atë 3 dhe 4, që do të vijnë deri në pikën e lidhjes me Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu, nga ana e Maqedonisë së Veriut ka pasur një progres të jashtëzakonshëm, përsa i përket këtij Korridori.

Korridori i VIII nuk konsiston vetëm tek autostradat. Synimi është që në të ardhmen të arrijmë të ngrejmë një rrjet hekurudhor model, i cili është miqësor me ambientin, si dhe me xhepin e çdo qytetari, pasi kostot e transportit hekurudhor janë shumë më të ulëta se kostot e transportit rrugor.

Personalitetet dypalëshe në takim (Foto Ministria e Brendëshme e Shqipërisë)

Personalitetet dypalëshe në takim (Foto Ministria e Brendëshme e Shqipërisë)

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, për të gjithë detyrat e shtëpisë që i kanë kryer me sukses dhe me shumë përpikmëri, meritojnë vëmendjen e Bashkimit Europian dhe meritojnë që të kenë mbështetjen financiare, për të ngritur këtë Korridor të VIII i cili do të bashkojë Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Fatos Çoçoli