Polonia shkon në referendum për politikën e azilit të BE-së
2023-08-15 16:09:34

CFP

CFP

Polonia do të organizojë një referendum për t’u dhënë mundësi qytetarëve të saj të japin mendimin mbi reformat e planifikuara në politikën e azilit të BE-së, duke përfshirë nëse duhet të jetë e detyrueshme për vendet anëtare që të marrin një kuotë emigrantësh, një propozim i kundërshtuar ashpër nga Varshava zyrtare, shkruan “ATSH”.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, deklaroi se qytetarët do të pyeten nëse e mbështesin pranimin e mijëra emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e Mesme dhe Afrika, nën mekanizmin e pranimit të detyrueshëm të vendosur nga burokracia evropiane.

Rezultati i referendumit, i cili do të mbahet më 15 tetor, në të njëjtën ditë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Polonisë, nuk do të ketë asnjë efekt në planet e reformës së BE-së.

Më 8 qershor, ministrat e Brendshëm të BE-së votuan në favor të reformave gjithëpërfshirëse të sistemit të azilit me një shumicë mjaft të madhe.

Sipas këtyre planeve, kërkesat për azil të emigrantëve nga vendet me shkallë njohjeje më të vogël se 20% do të shqyrtohen në kufijtë e jashtëm të BE-së brenda 12 javësh.

Kompromisi parashikon gjithashtu që pranimi i refugjatëve mos të jetë më vullnetar, por i detyrueshëm. Vendet që nuk duan të pranojnë refugjatë do të detyrohen të paguajnë kompensim. (Fatosi)