
Kancelari gjerman Olaf Scholz (Foto Rtsh)
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka kërkuar përpjekje të reja diplomatike për paqen në Ukrainë, një javë pas bisedimeve për këtë çështje në Arabinë Saudite, njofton “RTSH”.
Përfaqësues nga rreth dyzet vende, duke përfshirë Kinën, Gjermaninë, Indinë dhe Shtetet e Bashkuara, morën pjesë në takimin e 5 gushtit në Jeddah, në të cilin Rusia nuk ishte e ftuar.
“Ka kuptim që ne të vazhdojmë këto bisedime, sepse ato rrisin presionin ndaj Rusisë për të kuptuar se ajo po ecën në rrugën e gabuar dhe se duhet të tërheqë trupat e saj e të bëjë të mundur paqen”, tha kancelari gjerman.
Scholz i cilësoi bisedimet e zhvilluara në nivel të këshilltarëve të Politikës së Jashtme, si në Jeddah kohët e fundit ashtu edhe në Kopenhagën në qershor, shumë të rëndësishme dhe shtoi se ky është vetëm fillimi.
Rusia ka njoftuar se një zgjidhje paqësore është e mundur vetëm nëse ukrainasit dorëzojnë armët.
Ukraina i ka kërkuar vazhdimisht Gjermanisë raketa me rreze të gjatë “Cruise Taurus” për të rritur aftësitë ushtarake të forcave ukrainase, por Gjermania deri më tani ka refuzuar ta plotësojë kërkesën, nga frika se raketat mund të arrijnë në territorin rus, duke e përshkallëzuar konfliktin. (Fatosi)
