Alketa Gashi është moderatore e njohur e botës mediatike në Kosovë. Me një dashuri të madhe për jetën, familjen dhe profesionin. Alketa është autore e disa librave, ndërsa karriera si shkrimtare ka nisur që në moshën 11- vjeçare. Ajo sapo është shpallur edhe Anëtare nderi e Shoqatës së poetëve në Milano, Itali, për shkak të punës së saj si urë lidhëse mes kulturave. Gashi njihet edhe për një tjetër karakteristikë që është bamirësia. Ajo ka organizuar disa fushata ndërgjegjësimi dhe bamirësie ku vlen të theksohet nisma "Brënda dollapit tim" më të cilën arriti të gëzojë një numër të madh familjesh me gjëra të nevojshme elementare për jetën. Në një intervistë për Radio Ejani, Alketa tregon se kur nisi të shkruajë si edhe mardhënien e saj punë- familje.
CMG: Alketa le të supozojmë që tani je përballë një pasqyre, cili do ishte përshkrimi që do i bëje vetes?
Alketa Gashi: Unë dal shpesh në pasqyrë, kur kam programin apo ngjarje me rëndësi, bëj një test apo parashfaqje para pasqyrës. Kam shumë për t’i thënë vetes, por e njëjta gjë që i përsëris vetes është ‘Vazhdo buzëqesh’ pasi është forma më e mirë për të jetuar. Unë e kam jetuar jetën dhe çdo ditë shijoj gjithçka që më ofron jeta qoftë të bukur, qoftë e trishtë. Unë e dua jetën me të gjitha format e saj.
CMG: Jeta juaj është fat apo punë?
Alketa Gashi: Jeta ime është shumë e bukur dhe e shoh jetën si një fat, sepse po të shohësh kam pasur gjithmonë shëndet. Jam rritur me njerëz që gjithmonë më kanë dashur. Më e bukura pjesë e jetës sime dhe që e kam kryefjalë, është fakti që jam nënë e tre fëmijëve të bukur dhe të mrekullueshëm. Jam përpjekur të jem nje nënë rigoroze dhe me dinjitet, duke i ofruar shumë dashuri fëmijëve të mi.
CMG: Alketa si kanë qenë vitet e studimeve?
Alketa Gashi: Një studente e zellshme, por shumë e mirë. Me një mesatare shumë të lartë dhe këtë gjë e kam shijuar sepse në shoqëri kisha vlerë si vajzë, dhe kështu u rrita duke tejçuar dhe marrë vlera nga shoqëria.
CMG: Kur ka nisur frymëzimi për të shkruar?
Alketa Gashi: Frymëzimi për të shkruar ka nisur qëkur unë kam mësuar shkronjat, isha ende në klasë të pestë dhe publikova librin tim të parë ‘Mos ma prekni Kosovën time’, nën autorësinë e vëllait tim dhe unë. Gjithmonë kam shkruar ese, apo materiale të cilat i kam praktikuar vazhdueshëm.
CMG: Vlerë apo sukses çfarë duhet të ketë prioritet një njeri?
Alketa Gashi: Unë kam rendur gjithmonë pas vlerës, një njeri që paraqet vlera abolutisht që ka edhe sukses. Unë përpiqem që të paraqes vlera, për mua e rëndësishme është të jesh njeri me vlerë. Nëse je apo jo njeri i sukseshëm është dytësore.
CMG: A mendon se ka konkurrencë të hapur tregu i medias apo shkrimit?
Alketa Gashi: Jo nuk mendoj, unë kam parë gjithmonë punën time dhe kam qenë në konkurrencë absolute me veten time dhe do vijoj të jem përherë.
Ky ka qenë tipari që më ka karakterizuar gjithmonë.
CMG: Ju keni takuar shumë njerëz prej profesionit tuaj, çfarë ju bie menjeherë në sy nga tiparet njerëzore?
Alketa Gashi: Unë nuk i shoh kurrë njerëzve dukjen, as ngjyrën e syve, por ju lexoj mendjen. Mençuria është puna dhe është gjithçka që njerëzit mund të bëjnë në këtë jetë, të rriten të mençur dhe këtë dije apo dashuri drejt botës tua dhurojnë të tjerëve.
CMG: Të merr malli për të ardhur në Tiranë?
Alketa Gashi: Shqipëria është vendi im i zemrës, siç është dhe Kosova. Ne jemi një dhe të pandarë. Më pëlqen dhe e dua shumë si vend. Dua çdo pëllëmbë të kësaj toke të bekuar.
CMG: Sipas jush a arrihet lumturia në jetë?
Alketa Gashi: Kjo është një çështje shumë e diskutuar, por për ta kuptuar këtë duhet të kërkosh brenda vetes. Lumturia arrihet vetëm brenda vetes. Lumturi është përfundimisht teksa shoh sytë e fëmijëve të mi. Ata plotësojnë universin tim.