Presidenti i rrëzuar në Niger rrezikon ndjekjen penale për tradhti të lartë
2023-08-15 17:55:47

CFP

presidenti Mohamed Bazoumin/CFP

Liderët e grushtit të shtetit në Niger, të cilët rrëzuan presidentin Mohamed Bazoumin, thanë se do ta ndjekin penalisht atë për tradhti të lartë dhe për minimin e sigurisë së vendit, shkruan “Panorama”.

“Janë mbledhur prova të cilat do të përdoren për ta ndjekur penalisht presidentin e rrëzuar dhe bashkëpunëtorët e tij vendorë dhe të huaj para trupës gjykuese kombëtar dhe ndërkombëtare, për tradhti të lartë dhe për minimin e sigurisë së brendshme dhe jashtme të Nigerit”, thuhet në një komunikate të lexuar në televizionin kombëtar nga koloneli Amadou Abdramane.

Bazoumi është duke u mbajtur në pallatin presidencial bashkë me të birin dhe bashkëshorten që nga nisja e grushtit të shtetit.

Liderët ushtarakë thanë se nuk e kanë uzurpuar pallatin e Bazoumit dhe se ai është ende i lirë të komunikojë me botën e jashtme. Bazoumi është vizituar vazhdimisht nga mjeku i vet, sipas tyre.

Presidenti i rrëzuar ka thënë se po mbahet peng, pa energji elektrike dhe se ushqehet vetëm me oriz e makarona.

Gjeneralët e ushtrisë reaguan edhe ndaj sanksioneve që vendet e bllokut rajonal të Afrikës Perëndimore, ECOWAS, i vendosën Nigerit, duke i quajtur ato të jashtëligjshme, turpëruese dhe çnjerëzore.

CFP

CFP

ECOWAS-i ka pezulluar transaksionet financiare dhe komerciale me Nigerin.

Regjimi i Nigerit njoftoi se sanksionet po i mohojnë vendit ushqimin, energjinë elektrike dhe medikamentet.  (Fatosi)