
CFP
Italia njoftoi se ka rimarrë nga SHBA-ja 266 artefakte antike në vlerë prej dhjetëra milionë euro, ku ishin dërguar për t’u shitur nga një rrjet ndërkombëtar i kontrabandës, përcjell “RTSH”.
Ndër artefakte, më e vjetra prej të cilave daton në shekullin 9 p.e.s., përfshihen edhe ato të periudhës së qytetërimit etrusk dhe perandorisë së Romës.
Përmes një deklarate të një njësiti të specializuar të policisë italiane u bë e ditur se rikthimi i artefakteve u bë falë bashkëpunimit të autoriteteve gjyqësore mes Italisë dhe SHBA-së.
Në fotografitë e postuara nga Ministria italiane e Kulturës shfaqen edhe disa enë të pikturuara, koka e një statuje dhe disa monedha. Këto artefakte më herët gjatë kësaj jave ishin ekspozuar gjatë një ceremonie të mbajtur në Nju Jork.
Në deklaratë u bë e ditur se 145 artefakte i janë gjetur një tregtari të sendeve antike, ndërsa 65 të tjera janë marrë nga koleksioni i muzeut “Menil”, që gjendet në qytetin amerikan të Hjustonit. (Fatosi)
