Reformimi i Organizats Botërore të Tregtisë ndihmon në qendrueshmërinë e rendit global
2023-08-14 15:53:27

Rendi botëror i referohet një rregullimi të preferuar të pushtetit dhe autoritetit që lidhet me realizimin e vlerave të tilla si paqja, rritja ekonomike dhe barazia, të drejtat e njeriut dhe cilësia dhe qëndrueshmëria mjedisore, në formën dhe përmbajtjen e një marrëveshjeje midis kombeve dhe shteteteve për manaxhimin në mënyrë paqësore të burimeve natyrore, njerëzore dhe financiare në mbarë botën.

CFP

CFP

Për këtë arsye janë krijuar dhe funksionojnë edhe institucionet ndërkombëtare, të cilat kanë si detyrë të tyre mbrojtjen e këtij rendi dhe mbajtjen e tij në një gjendje të qendrueshme.

Një nga institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare është edhe Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), me qendër në Gjenevë të Zvicrës, që ka si detyrë nxitjen dhe vënien në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare, me autoritetin që të administrojë dhe mbikëqyrë marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe praktikat tregtare botërore, si dhe të shqyrtojë dhe rregullojë mosmarrëveshjet tregtare midis vendeve anëtare.

Objektivi kryesor i OBT-së është të ndihmojë që tregtia të rrjedhë pa probleme, lirisht dhe në mënyrë të parashikueshme. Këtë ajo e realizon duke:

·         Administruar marrëveshjet tregtare

·         Vepruar si një forum për negociatat tregtare

·         Zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare

·         Rishikuar politikat tregtare kombëtare

·         Ngritur kapacitetet tregtare të ekonomive në zhvillim

·         Bashkëpunuar me organizata të tjera ndërkombëtare

Është krejt e natyrshme që komunitetet e biznesit në Kinë, Shtetet e Bashkuara dhe në vendet e tjera anëtare të OBT-së t’i kushtojnë vëmendje ndikimit të veprimeve që nuk janë në përputhje me rregullat e OBT-së dhe që minojnë sistemin tregtar shumëpalësh, si dhe të ushtrojnë presion që shtetet anëtare të OBT-së të përmbushin angazhimet përkatëse dhe të synojnë përmbushjen e objektivit kryesor të OBT-së.

CFP

CFP

Në këtë kuadër palët e interesuara dhe specifikisht shtetet anëtare kanë të drejtën e tyre që të kqyrin, shqyrtojnë dhe analizojnë përmbushjen e detyrimeve ndaj OBT-së dhe të raportojnë gjetjet e tyre. Në këtë frymë, edhe Ministria e Tregtisë e Kinës ka publikuar së fundmi një dokument për përmbushjen nga ana e ShBA-ve të detyrimeve që ato kanë ndaj OBT-së, në të cilin është shprehur shqetësimi për politikën e ShBA-së që “dëmton sistemin tregtar shumëpalësh, vendos sanksione të njëanshme, përdor standarde të dyfishta në politikat industriale, pengon zinxhirët industrialë e furnizues globalë, minon sistemin tregtar shumëpalësh, etj”.

Më tej në raport theksohet se “SHBA, që është ekonomia më e madhe në botë dhe themeluesi kryesor dhe përfituesi i rëndësishëm i sistemit tregtar shumëpalësh, duhet të respektojë rregullat dhe të përmbushë angazhimet e saj”.

CFP

CFP

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mundësinë dhe mjetet e duhura për të dhënë kontributin e përshtatshëm për të promovuar sistemin tregtar dy dhe shumëpalësh dhe për të luajtur një rol më të madh në qendrueshmërinë e qeverisjes globale, por raporti në fjalë thekson se “SHBA (1) ka minuar mekanizmin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të OBT-së pasi ka zbatuar në mënyrë selektive vendimet dhe rekomandimet e Organit të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve, pasi ka qenë pjesëmarrëse në 157 mosmarrëveshje, duke përfshirë 28 mosmarrëveshje të pajtueshmërisë, që përbëjnë rreth 20% të tyre”, (2) paralelisht, “që nga viti 2017, SHBA ka bllokuar emërimet e anëtarëve të rinj të Organit të Apelimit për arsye të çështjeve institucionale, gjë që çoi në paralizën e Organit të Apelimit të OBT, (3) për të ruajtur dominimin e saj në fushat e teknologjisë së lartë, SHBA-ja ka abuzuar me kontrollin e eksporteve dhe masat sanksionuese, të cilat pengojnë zhvillimin e vendeve të tjera dhe (4) duke shfrytëzuar pozitat e saj superiore ose dominuese në ekonomi, teknologji dhe financa, SHBA ka detyruar gjithashtu vende të tjera, grupe rajonale dhe entitete që t’i binden politikave të saj diplomatike dhe kërkesave të paligjshme”.

Raporti i paraqitur nga Kina ngre shqetësime që mbulojnë 11 fusha, duke përfshirë barrierat tarifore dhe jotarifore, subvencionet industriale, subvencionet bujqësore, mjetet juridike tregtare, standardet dhe rregulloret teknike, tregtinë e shërbimeve dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

Ky raport vjen pas vënies nën kontroll të pandemisë COVID – 19 dhe në një kohë që ekonomitë e shumicës së vendeve të botës synojnë rigjallërimin dhe hapjen e tregjeve, lëvizjen e lirë të qytetarëve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve, ndërsa veprimet antitregtare që ndërmarrin qeveri të ndryshme dëmtojnë rëndë interesat e përbashkëta të komunitetit global të biznesit, pengojnë rimëkëmbjen dhe rritjen ekonomike globale pas pandemisë dhe minojnë qendrueshmërinë e rendit global.

CFP

CFP

Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si një nga shtetet më të fuqishme në botë dhe një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të pothuajse shumicës së tërë vendeve të botës, përfshirë Kinën, Britaninë e Madhe, Bashkimin Evropian, Japoninë, Brazilin, Afrikën e Jugut, Rusinë, Indinë, etj, u mbetet edhe përgjegjësi dhe njëkohësisht edhe detyrim e privilegj që të luajnë një rol shembullor dhe të promovojnë forcimin e solidaritetit dhe bashkëpunimit midis të gjitha palëve, për të mbrojtur së bashku autoritetin dhe efektivitetin e sistemit tregtar shumëpalësh dhe këtë (sipas ekspertëve), duke respektuar rregullat e OBT-së, që promovojnë tregtinë dhe biznesin.

Pengesat tregtare, kontrolli i eksporteve, praktikat diskriminuese, detyrimet ndaj palëve, kufizimet, koncesionet, subvencionet, rritja e tarifave përtej kufijve të parashikuar, pengimi që vendimet e OBT-së të hyjnë në fuqi, vendosja e barrierave të njënashme ekonomike, investuese dhe tregtare, marrja e masave ekzekutive për bllokimin e përcjelljes së investimeve të teknologjisë së lartë drejt vendeve të tjera, etj, janë praktika të cilave u ka ardhur koha që të shqyrtohen me më shumë kujdes dhe me më shumë përkushtim dhe duket se OBT në këtë pikë nuk e ka kryer plotësisht funksionin e saj, në një kohë që prej komunitetit global të biznesit, konsumatorëve, etj, kërkohet një sistem tregtar i hapur, transparent, gjithëpërfshirës dhe jodiskriminues.

Kur një institucion nuk e kryen funksionin për të cilin është krijuar (1) ose shuhet, (2) ose ndryshohet, (3) ose reformohet, duke patur parasysh në këtë pikë se reformimi është me më pak kosto politike, ekonomike, sociale, ligjore, etj, krahasuar me shuarjen apo ndryshimin. 

CFP

CFP

Në kushtet e krijuara në tregtinë ndërkombëtare dhe në përgjithësi në fushën e ekonomisë, financave, biznesit transnacional, etj, është shumë e rëndësishme që të mbahen kanale të hapura komunikimi dhe të nxitet një frymë bashkëpunimi sa më e ngushtë me të tëra palët, në mënyrë që të promovohet një sistem tregtar shumëpalësh, të kemi një reformim në vazhdimësi të OBT-së dhe organizmave/institucioneve të tjera ndërkombëtare, në mënyrë që të tërë palët e interesuara të kenë mundësi të luajnë një rol edhe më të madh dhe edhe më konstruktiv në qeverisjen ekonomike globale dhe në qendrueshmërinë e rendit global, qendrueshmëri për të cilën të tërë janë të interesuar, dhe padyshim dhe para së gjithash edhe Kina dhe edhe SHBA-ja dhe më tej edhe kombet e shtetet e tjera.

Nga: Dr. Enriko Ceko