Leximet e verës: botimet e reja të autorëve shqiptarë
2023-08-14 17:07:13

Edhe gjatë këtij viti letrar botimet nga autirët shqiptarë kanë prekur një hop cilësor. Libra me poezi dhe romane, i janë shtuar titujve të librave që vijnë si propozime gjatë leximeve të verës. Bien në sy botimet në poezi të autorëve që synojnë një poezi elitare dhe në prozë romane që frymëzohen nga ngjarje historike të ngërthyera me fiksion.

Mos humbisni kësaj vere disa nga titujt më të mirë të botimeve në shqip të kohëve të fundit.

Oret e shtepise- foto Shtepia e Librit

Orët e shtepisë- foto Shtepia e Librit

"Orët e shtëpisë" nga Alban Bala

Vëllimi poetik “Orët e shtëpisë” i kushtohet ndjenjave të pastra, dashurisë, mallit për të kaluarën, për njerëzit që frymojnë poetin.

I kompozuar në mënyrë që të mund të lexohet në çdo shtëpi dhe në çdo orë, ky libër tenton të jetë një shok kur keni nevojë për dikë, një pasqyrë kur ju duhet të shkoni sa më thellë vetes dhe një dritare kur t'ju duhet të rikrijoni botën me dashuri dhe mall...

Më së paku ai është një kornizë brenda të cilit lexuesi mund të vendosë çdo imazh të dashur - sipas shikimit të zemrës së tij...

Libri është botuar nga Shtëpia Botuese Alsar dhe shoqërohet me parathënien poetit Kim Mehmeti.

Qeramikjana - foto Shtepia e Librit.

Qeramikjana - foto Shtepia e Librit.

“Qeramikiana” nga Entela Tabaku

Është libri më i ri i poetes Entela Tabaku që vjen për lexuesit nga Shtëpia Botuese Onufri. Entela Tabaku, sot është poetja më e mirë e letërsisë shqiptare në emigrim. Ajo shkruan poezi moderne, me një stil krejtësisht të veçantë.  Ajo di të eksplorojë traditwn gege të vjershërimit, në dobi të poezisë personale, duke trajtuar motive shumë të ndjera për lexuesit e poezisë.

Entela Tabaku u lind në Shkodër më 1971. Nga viti 1998 jeton dhe punon në Suedi. Ka botuar katër përmbledhje me poezi si edhe një sërë botimesh studimore dhe përkthimesh nga suedishtja.

Nga dashuria per te verteten- foto Shtepia e librit

Nga dashuria per te verteten- foto Shtepia e librit

“Nga dashuria për të vërtetën” nga Shpëtim Çuçka

Shtëpia Botuese Dituria sjell për lexuesit e poezisë autorin Shpëtim Çuçka, të cilin e kemi njohur deri më tash si përkthyes të disa kryeveprave të letërsisë së huaj. Ai vjen me vëllimin “Nga dashuria për të vërtetën”, libër i cili na sjell një dimension të panjohur deri më tash të autorit. Është në dorë të lexuesit të japin përshtypjet e tyre edhe për këtë aspekt të ri të autorit Shpëtim Çuçka.

Shpëtim Çuçka është një ndër përkthyesit më të njohur dhe më të rëndësishëm në Shqipëri. Ai përkthen nga disa gjuhë të huaja në shqip: nga gjermanishtja, italishtja, anglishtja, rusishtja, frëngjishtja si dhe nga latinishtja dhe greqishtja e vjetër. Ai është edhe hartues fjalorësh dhe i nderuar me disa çmime për përkthimet e tij.

Rrethimi- foto Shtepia e Librit

Rrethimi- foto Shtepia e Librit

“Rrethimi” nga Tom Kuka (pseudonim i Enkel Demi)

Rrethimi” nuk është një libër historik. Në të janë përfshirë ngjarje të vërteta, të marra nga kronikat e kohës, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me mënyrën si kanë jetuar shkodranët apo të tjerët që u kapën në grackën e rrethimit. Është Lufta e Parë Ballkanike, malazezët kanë rrethuar Shkodrën, kurse serbët kanë pushtuar tokat nga fusha e Zadrimës deri në Portin e Shëngjinit. Një qytet i tërë është zënë në grackë. Kolë Laca, personazhi kryesor i romanit,  duhet të fotografojë këtë gjëmë. Aparati i tij nuk përjetëson vetëm kronikën e qytetit, por edhe fatin e tij. Ndërkohë personazhe historikë si Hasan Riza Pasha, Osja i Falltores, Esat Toptani apo Çerçiz Topulli bëhen personazhe të romanit. Libri është Botuar nga Shtëpia Botuese Pegi.

Nje fije shprese, nje fije shkreperse- foto Shtepia e Librit

Një fije shprese, një fije shkreperse- foto Shtepia e Librit

“Një fije shprese, një fije shkrepëse”nga Ag Apoloni

Romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është përshkrim i një vizite të tre shokëve në shtëpinë e nënës Ferdonije, e cila gjatë luftës ka humbur katër djemtë dhe burrin. Linja e parë e këtij romani është udhëpërshkrim dhe mbaron aty ku nis.

Mirëpo brenda saj gërshetohen edhe linja të tjera, që shpalosin histori të përndjekjes, shpërnguljes, dhunimit, vrasjeve, masakrave, pritjes dhe vetëvrasjes. Bashkë me historinë e Ferdonijes, rrëfehet edhe historia e nënës Pashkë, e cila pak ditë pasi iu kthyen mbetjet e dy djemve, bëri vetëvrasje. Libri është botuar nga Skanderbeg Books.

Mekati i Justines - foto Shtepia e librit

Mekati i Justines - foto Shtepia e librit

“Mëkati i Justinës” nga Luan Rama

Shkrimtari Luan Rama na rrëfen në këtë roman një histori të veçantë, atë të Justinës në veriun shqiptar të para më shumë se një shekulli. Por, edhe pse një bukuri e paqtë, e pafajshme dhe e çlirët, ajo bie pre e smirës, xhelozive, paragjykimeve dhe joshjes mashkullore. Atëherë ajo duhet të digjet si një “shtrigë”, siç kishte ndodhur në Salem të Amerikës. Autori Luan Rama për të shkruar këtë roman është nxitur nga fakti se Helena e Trojës e gjer më sot, bukuria femërore jo rrallë ka ndjellë drama e tragjedi. Madje është parë dhe si një lloj mëkati apo mallkimi profetik nga vetë ato. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese Onufri.

Duhet te jete dashuri- foto Shtepia e Librit

Duhet të jetë dashuri- foto Shtepia e Librit

“Duhet të jetë dashuri” nga Nurie Emrullai

Në këtë roman shkrimtarja Emrullai, në saje të një rrëfimi të thjeshtë, poetik dhe meditues, ngre pyetje që janë aktuale në brezat e rinj, e po ashtu me një penel të hollë na shpalos një panoramë shoqërore ku e shumëngjyrshmja e ndjenjave dhe dëshirave të brendshme përballet me ngjyrat pothuaj të vdekura të shoqërisë. Në këtë roman që vendos ngjarjet në një lokalitet të Maqedonisë së Veriut prej nga shkrimtarja është, na shpaloset mendësia e njerëzve. Në roman trajtohen dukuri si martesa, dashuria si një ndjenjë e ndaluar që s’mund të shfaqet haptas, guximi për të thyer normat shoqërore, bohemizmi dhe guximi për të ndryshur ndjenjat e fajit. Këto tema vihen përballë një shoqërie që e ka të vështirë ndryshimin. Libri është botuar nga UET.

Paqja e pergjakur e Adamit - Agron Tufa

Paqja e pergjakur e Adamit - Agron Tufa

“Paqja e përgjakur e Adamit” nga Agron Tufa

Romani i fundit i Agron Tufës “Paqja e përgjakur e Adamit” është një rrëfim elegjiak për fatin e njeriut të drejtë që përpiqet të meritojë “hisen e tij nën diell”, që sakrifikon e flijohet për të afërmin, që ëndërron të ndërtojë strehën e tij në paqe me këtë botë dhe që gjen në realitet vetëm tradhtinë, poshtërimin dhe mosmirënjohjen. Jeta e qetë e Adam Zaganjorit tronditet pakthyeshëm kur çdo gjë që ai ka ndërtuar me sakrifica i shkulet duarsh me forcë e dredhi. Goditjen e fundit fatale ia jep e shoqja duke e privuar nga gjithçka që përbënte botën e tij. Adam Zaganjori përfaqëson të dëbuarin e përjetshëm që ëndërron dhe përmallet për një strehë shtëpiake. Ky libër vjen si botim i Shtëpisë Botuese Onufri.

Neritana Kraja