Ekspertët: Ka ardhur koha për kultura të reja bujqësore
2023-08-14 11:00:08

Me ndryshimet klimatike ekspertët e bujqësisë thonë se ka ardhur koha që në Shqipëri të tentohet edhe për varietete të reja, përveç atyre tradicionale pasi tokat janë të përshtatshme në zona të ndryshme të vendit. Liri Miho, pedagoge e Grupit Mësimor Kërkimor të Shkencave të Tokës në Departamentin e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës thotë se tashmë ka edhe projekte konkrete në këtë drejtim. Ajo është nga nismëtaret e kultivimit të erzave dhe kulturave të ndryshme perimore, në fushë apo në serë. Në vitin 1998 pedagogia Muho ka nisur kultivimin e rukolës në sipërfaqe të kufizuara, duke patur në vijimësi rezultate mjaft të mira.

Kultivimi i luleshtydheve (Business magazine Albania)

Kultivimi i luleshtydheve (Business magazine Albania)

Ekspertët: Ka ardhur koha për kultura të reja bujqësore

Shqipëria ka potenciale të mëdha në kultivimin e kulturave bujqësore, por ende mbizotërojnë të mbjellat tradicionale më të cilat ka dalë në treg. Me ndryshimet klimatike ekspertët e bujqësisë thonë se ka ardhur koha të tentohet edhe për varietete të reja, pasi tokat janë të përshtatshme në zona të ndryshme të Shqipërisë. Liri Miho, pedagoge e Grupit Mësimor Kërkimor të Shkencave të Tokës në Departmentin e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës thotë se tashmë ka edhe projekte konkrete në këtë drejtim.

“Mendoj që jemi në kohën dhe momentin e duhur, pavarësisht se proceset kërkimore, sfidat e individëve 15 vjeçarin e fundit kanë krijuar pasojat mjedisore nga ngrohja globale. Kjo bën ndryshimin e mikroklimës kur flasim për kushtet shqiptare, nga një klimë mesdhetare ku vera është e nxehtë dhe e thatë dhe dimri është i butë kemi krijuar alternativa te prishjes stinore, ndryshime në proceset e parametrave maksimale dhe minimale dhe kjo bën që përveç kulturave konvencionale të traditës ka ardhur momenti që të shikohet më me seriozitet procesi i zgjerimit të asortimenteve” tha ekspertja Miho

Projektimet bëhen bazuar në tokat bujqësore, sipas zonave.

“Shembulli i mirë është futja e një moduli të ri, janë kulturat e rralla, erza dhe perime të rralla, frutat ekzotike, që jane futur në modul në aspektin e mësimdhënies, por edhe transferimit të teknologjive bujqësore. Unë kam qenë në Lushnje, ku kemi filluar nëpërmjet nismave për projekte të ndryshme, studime të mirëfillta, që kanë dhënë rezultate pozitive, të zgjerimit të asortimenteve. Fermeri Irakli në aspektin e frutave është diçka e veçantç, por nuk është i vetmi, pasi ka edhe individë të tjerë të pasionuar, të cilët duke parë që tregu e ndjen nevojën e zgjerimit të gamës së asortimenteve edhe në aspektin e konkurrencës, por edhe të zgjerimit të produkteve në përshtatjen e mikroklimës në zona dhe mikrozona të caktuara. Ne jemi një vend mesdhetar, ku zona dhe mikrozona të ndryshme e krijojnë këtë alternativë të shfrytëzimit të këtyre parametrave mjedisorë për të futur dhe kulturat që nuk kanë qenë fare të njohura në Shqipëri. Unë jam nga nismëtaret e kultivimit të erzave të ndryshme, të kulturave të ndryshme perimore, qoftë në fushë apo në serë. Në vitin 1998 ka nisur kultivimi i rukolës në sipërfaqe të kufizuara, por nëse shikon komentet në atë kohë në internet, unë jam kritikuar  duke më quajtur njeri jo normal, që bën eksperimente jashtë kushteve të vendit tone, por prodhuan rezultate pozitive”, theksoi ajo.

Kultivimi i rukolës në Shqipëri (Foto Agroweb)

Kultivimi i rukolës në Shqipëri (Foto Agroweb)

Ekspertja e bujqësisë nxit edhe fermerët që të eksperimentojnë sa më shumë me kulturat e reja.

“Njeriu në aspektin e ndryshimeve mikroklimatike duhet të eksperimentojë, të krijojë, të zgjerojë gamën e prodhimeve. Unë mendoj që ka ardhur momenti për të qëndruar në pozita më serioze, më korrekte që të krijohen jo vetëm shumëllojshmëria e games, por edhe sasia në mënyrë që të jemi konkurrues në treg. Ky është qëllimi që të shfrytëzojmë këto ndryshime mikroklimatike edhe në aspektin e të ardhurave të fermerëve”, u shpreh ekspertja

Ka alternativa të ndryshme të bimëve që mundet të përshtaten në vend. Pedagogia Miho ishte e para që solli sallatën e rukolas, domatet e vogla dhe sallatën kineze në Shqipëri.

“Në zonën e Tiranës unë personalisht me pasionin për të bërë një temë që e pashë në ekspeditë jashtë pashë që ndryshimet mikroklimatike bënë që kivi të mos ishte një përshtatshmëri e vetme, por edhe një sektor prodhues. Fermeri, i cili e pa këtë në aspektin e krijimit të një biznesi të tij e zgjeroi këtë siperfaqe në 2 hektarë dhe në këtë mënyrë duhet të punojmë. Rukolat në tregun shqiptar nuk njiheshin pavarësisht se klima në atë kohë kishte përshtatshmëri. Në kushtet mikroklimatike dhe nevoja e konsumatorit bëri që shumë kultura të jenë tani të masivizuara, po kështu  edhe lakra kineze dhe të gjitha këto janë kultura jo vetëm që janë në nevojën e përditshme të konsumit, por janë dhe kultura medicinale, të cilat krijojnë përshtatshmëri në varësi edhe të elementeve ushqyes që permbajnë. Lakra kineze në rastin konkret ishte një studim të cilin e kam trajtuar në aspektin e vlerave ushqimore, që krijohen për të zëvendësuar bukën”, tha ekspertja

Universiteti Bujqësor i Tiranës (Foto UBT)

Universiteti Bujqësor i Tiranës (Foto UBT)

Këto bimë kanë vlera të larta ushqyese.

“Prezenca e karbohidrateve në këtë lakër bëri që të eleminohet për diabetikët teprica e karbohidrateve, pasi sasia e glukozës është më e asimilueshme. Në vitin 1996 kam eksperimentuar për 3 vite bimën “bari i qepës” e shqipëruar, e cila është një kulturë diabetike, që në përbërjen e saj ka monosaharitet, që zëvendëson konsumin e qepës nga diabetikët me këtë lloj qepe. Të gjitha këto ishin pasione të cilat shkriheshin edhe duke alternuar vlerën ushqimore të produktit me nevojën konkrete të konsumtatorit. Mendoj që duhet të avancojmë në një fazë tjetër, që është masivizimi. Universiteti Bujqësor në rastin konkret ka filluar sistemin e trajnimeve”, u shpreh ajo.

Pedagogia e agronomisë thotë se shtimi i prodhimeve të reja bujqësore duhet të jetë prioritet në bujqësi.