foto nga CGTN
Temperaturat e larta dhe shirat e rrëmbyera, që prekën ditët e fundit pjesën kontinentale të Kinës, kanë sjellë pengesa në furnizimin me lëndë të para dhe dorëzimin e produkteve për prodhuesit e tubave të çelikut në qytetin Tianjin të Kinës Veriore.
“Ne furnizohemi me lëndë të para zakonisht nga qytetet Tangshan e Bazhou në provincën fqinje Hebei, por për shkak se Bazhou pësoi shira të rrëmbyeshëm, i kthyem sytë nga Tangshan-i për më shumë materiale,” tha Ren Jiayi, zv.menaxheri i përgjithshëm i kompanisë së tubave të çelikut TYT të Tianjin-it.
Kompania ka bërë rregullime në kohë edhe për sa i përket bazës së vet të konsumatorëve. Produktet e saj shiteshin kryesisht në Kinën Veriore, por, si pasojë e shirave, ajo i dërgon tani produktet më së shumti në krahinat qendrore e veriperëndimore të vendit, për të ulur humbjet në minimum, i tha Ren-i gazetarit të CGTN-it.
TYT e ka qendrën në qytezën Daqiuzhuang të distriktit Jinghai të Tianjinit, ku është ruajtur një rritje e qëndrueshme e industrisë së tubave të çelikut dhe e prodhimit të metaleve.
Kompania e Produkteve Metalike "Ruifeng Da" e Tianjin-it merrej më parë me prodhimin dhe shitjen e tubave të çelikut, ndërsa tani është futur në prodhimin e sistemeve të mbështetjes fotovoltaike. Si pasojë e shirave, kjo kompani e pakësoi prodhimin me 20 për qind kohët e fundit.
Krahas problemeve me furnizimin me lëndë të para dhe transportin, një pjesë e produkteve nuk mund të ngarkoheshin për shkak të motit të keq dhe faktit që një pjesë e punonjësve morën pjesë në luftën kundër përmbytjeve. Këta faktorë kanë shkaktuar humbje të prodhimit, shpjegoi Wang Juan, menaxherja e përgjithshme e kompanisë.
foto nga Kompania e Produkteve Metalike "Ruifeng Da" e Tianjin-it
Përballimi i motit me temperatura të larta
Kërkesa për tuba çeliku ka qenë e ulët gjatë periudhës nga qershori deri në gusht, sepse transportimi dhe puna e ndërtimit ndërpriten shpesh herë nga moti i keq, thanë për CGTN-in të intervistuarit.
Përveç stuhive, edhe mjedisi me temperaturë jashtëzakonisht të lartë në këtë periudhë kufizon rendimentin e punës së punëtorëve në fabrikat e prodhimit të hekurit dhe të çelikut, tha Wang Juan-i. “Sivjet vapa ekstreme zgjati 10 deri 15 ditë më shumë se vitet e kaluara. Kur temperatura jashtë arrin në 38 gradë celsius, në repart është afro 50 gradë.”
Ajo tha se punëtorët e kompanisë së saj punojnë në tre turne dhe kryesisht natën, ndërsa çdo punëtor është i pajisur me një ajrues industrial.
Liu Kaisong, zv.menaxheri i përgjithshëm i Grupit të Prodhimit të Tubave të Çelikut "Yuntai Derun" të Tianjin-it, tha se kompania e tij e ndryshon orarin e punës kur moti është i nxehtë. P. sh., ata mund të ndalojnë linjat që shkarkojnë shumë ngrohtësi dhe të hapin linja të tjera prodhimi.
Kompanitë e tubave të çelikut nuk janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë elektrike, tha Liu, por gjatë gjashtë muajve të kaluar, ata e kanë pakësuar konsumin e elektricitetit në periudhën e kulmit të përdorimit të energjisë dhe kanë bërë pak pushim për mirëmbajtjen e pajisjeve.
Fitimet e kompanisë këtë vit do të ulen pak, si pasojë e situatës në tërë industrinë, theksoi Liu.
Teknologjitë e prodhimit inteligjent
Të katër menaxherët i thanë CGTN-it që kompanitë e tyre kanë përdorur disa teknologji të prodhimit inteligjent për përmirësimin e efektivitetit të prodhimit dhe të menaxhimit.
Ren-i u shpreh se kompania e tij kanë realizuar në përgjithësi automatizimin e prodhimit ndërmjet përmirësimit të metodës së paketimit dhe të depozitimit, transformimit të procesit të prodhimit dhe përdorimit të sistemeve logjistike inteligjente.
Menaxheri i prodhimit të sistemit të mbështetjes fotovoltaike bëri të ditur se kompania e tij ka vënë në përdorim teknologjitë e prodhimit inteligjent dhe krahët robotikë vetëm për një pjesë të produkteve, sepse shumë prej produkteve të tyre janë me porosi dhe ka ende nevojë për krahë pune. Ndërkohë, një pjesë e personelit teknik janë shndërruar në kontrollorë të cilësisë, për të siguruar kështu cilësinë e produkteve, duke kursyer krahët e punës. (Wang Lei/ Artan)