Spitali i Shangait ofron një shërbim të ri për pacientët e moshuar
2023-08-13 15:28:00

foto: VCG

foto: VCG

Spitali Ndërkombëtar i Shangait Jiahui njoftoi se ka nisur një shërbim të ri që kombinon trajtimin mjekësor dhe kujdesin afatgjatë për pacientët e moshuar. Shërbimi përfshin vlerësim gjithëpërfshirës shëndetësor, trajtim rehabilitues të personalizuar, infermierinë, shoqërimin, si dhe këshillim psikologjik gjatë periudhës së shtrimit në spital, shkruan “China Daily”.


Spitali gjithashtu mund të monitorojë shëndetin e pacientëve pas daljes nga spitali duke përdorur një platformë digjitale.


Sipas drejtuesve të spitalit, me kombinimin e trajtimit të zgjuar mjekësor dhe kujdesit humanist, shpresohet të ofrohen zgjidhje më të mira të kujdesit për të moshuarit dhe familjet e tyre.


Spitali vuri në dukje se ai gjithashtu mund t'u sigurojë pacientëve të moshuar, fëmijët e të cilëve jetojnë jashtë shtetit, një specialist të menaxhimit shëndetësor me kohë të plotë, i cili do t'i shoqërojë ata gjatë gjithë procesit të trajtimit. Anëtarët e familjes do të përditësohen për ecurinë dhe do të pajisen me raporte mjekësore në kohë reale.


Statistikat e Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë tregojnë se në vend kishte 45 milionë banorë të moshuar të varur nga mbështetja në fund të vitit 2021. Përveç kësaj, dy të tretat e individëve të moshës 65 vjeç e lart në vend vuajnë nga më shumë se një sëmundje.