DJ Adi ofron muzikë në bregdetin jugor
2023-08-13 11:46:29

Një fundjavë po udhëtoja me anijen ‘Mogila’ në detin Jon dhe shijova tingujt e muzikës së mrekullueshme që na ofroi Dj Adi. Me këtë rast  i kërkova që të realizoja një intervistë për Radio Ejani. Adi Azemi 27 vjeç nga qyteti i Vlorës e dashuron këtë profesion. Punën si DJ ai nuk e ka pasur thjesht një pasion, por edhe profesion prej 14 vjetësh. Adi ka studiuar  për Akuakulturë, duke menduar që paralelisht të ndjekë të dyja profesionet. Ai ka nisur të luante si DJ që në moshën 13 vjeçare si autodidakt dhe ky pasion vazhdon ta shoqërojë  çdo ditë të jetës së tij.

CMG: Përshëndetje Adi!

DJ Adi: Përshëndetje! Uroj të jeni mirë! Në këto momente që po flasim jemi në Karaburun, ku kemi ndaluar në ishullin e Shën Janit. Unë ushtroj profesionin tim në anijen ‘Mogila’ prej 5 vjetësh , ku kam të bëj me shumë njerëz dhe mundohem që t’i kënaq me muzikë gjatë udhëtimit.

CMG: Fakti që ti ke 5 vite në këtë anije, do të thotë se e ke bërë shumë mirë punën tënde dhe kjo punë të pëlqen, apo jo?

DJ Adi: Po patjetër. Ja kam kaluar shumë mirë dhe njerëzit që më rrethojnë janë shumë të dashur dhe më duan (qesh).

CMG: Sa ditë në javë punon ti në këtë anije?

Dj Adi: Në muajt korrik dhe gusht punojmë pothuajse çdo ditë.

CMG: A është  e lodhshme për ty të punosh çdo ditë nga mëngjesi deri pasdite?

Dj Adi: Kur sheh njerëzit që kënaqen e dëfrehen, të rritet më shumë dëshira e këtij  pasioni.

CMG: Ti luan muzikën tënde të preferuar apo atë çfarë pëlqen publiku?

Dj Adi: Në përgjithësi shoh edhe njerëzit, të cilët mund të jenë nga krahina të ndryshme apo nga shtete të ndryshme dhe i përshtatem ambjentit dhe njerëzve.

CMG: Po kënga apo muzika jote e preferuar që e vendos për kënaqësinë tënde, cila është?

Dj Adi: Muzika ime e preferuar është Deep Minimal. Është një muzikë që nuk e luaj këtu në anije, por e luaj mbrëmjeve në klubet e natës në Vlorë.

CMG: Vetë ke filluar të krijosh muzikë?

Dj Adi: Jam përpjekur, por ende nuk jam gati për këtë, por mund të bëj miksime në moment.

CMG: Më trego për fillimet e tua, si kanë qenë?

Dj Adi: Fillimet e mia me këtë punë kanë qenë këtu në Vlorë, në vendin tim. Isha nxënës kur shkoja gjatë aktiviteteve të shkollës, si dhe nëpër lokale ku më kanë marë që të vogël kur isha 13 vjeç dhe tani më njohin të gjithë.

CMG: Kush të ka mësuar të luash muzikë?

Dj Adi: E kam mësuar vetë dhe mund ta quaj një dhunti se nuk e fiton çdokush. E kam fituar vetë  sipas hapave dhe luaj me pioner me kontrolle, me mikse.

CMG: Cilat janë eksperiencat e tua brenda dhe jashtë vendit?

Dj Adi: Kanë qenë të shumta eksperiencat e mia si brenda dhe jashtë vendit. Kam qenë në Itali 4-5 herë ku kam luajtur muzikë, gjithashtu në Shqipëri luaj në  Ksamil, në Dhërmi, pra gjatë fundjavave jam i rezevuar në bregdet.

CMG: Ke provuar të shkosh në audicione e të konkurosh me Dj të ndryshëm?

Dj Adi: Jo ende, por shpresoj.

CMG: Si është jeta e një Dj, sepse ke të bësh me njerëz të ndryshëm si ditën ashtu edhe natën?

Dj Adi: (Qesh) Nganjëherë bëhet e lodhshme, por është edhe e bukur.

CMG: A kujton ndonjë gjë të veçantë gjatë udhëtimeve ditën, por edhe gjatë punës natën, të cilën mund ta ndash me ne?

Dj Adi: Po kujtoj. Kemi bërë një udhëtim gjatë natës dhe ja kemi kaluar shumë shumë bukur, ku kam luajtur muzikën time të preferuar Deep Minimal që më pëlqen shumë. Ka qenë një grup, ku ishin gjysma të huaj dhe ja kemi kaluar shumë bukur në një udhëtim deri në mesnatë. Anija në mes të detit dhe me muzikë është një gjë shumë e bukur.

CMG: Cili është artisti shqiptar që do doje t’i bëje një ripërpunim të këngës që të pëlqen?

Dj Adi: Mua më pëlqejnë  muzika të ndryshme edhe ajo shqiptare, por më shumë preferoj ato të huajat.

CMG: Unë sot vura re se vendose më shumë muzikë shqiptare...

Dj Adi: E vendos sipas njerëzve që ndodhen në anije dhe preferencave të tyre. Pra i përshtatemi klientelës gjithmonë.

CMG: Meqenëse jemi në programin "Muzika shqip", çfarë kënge do zgjidhje në këto momente?

Dj Adi: Meqënëse jam nga Vlora do zgjidhja një këngë nga Alban Skënderaj.

CMG: Në të vërtetë është një nga këngëtarët më të mirë të muzikës shqiptare. Do i themi në këto momente "Mirëmëngjes" kantautorit  Alban Skëndraj?

Dj Adi: Po i themi "Mirëmëngjes".

CMG: E ku ka më bukur, t’i themi "Mirëmëngjes" Albanit nga anija këtu në Vlorë!

CMG: Dj Adi, sa i përket eksperiencës tënde 14 vjeçare, nuk është  pak por as shumë. Je 27 vjeç dhe ke një dekadë e gjysmë që merresh me këtë profesion, por a ke dëshirë që të vazhdosh më tutje me këtë profesion?

Dj Adi: Po, patjetër.

CMG: Mendon se është një profesion që ka të ardhme dhe mund të jetosh vetëm me të?

Dj Adi: Këtu në Shqipëri nuk e kam parë ende ashtu, por në vijim mendoj se do jetë në rritje .

CMG: Mendon se e ardhmja jote do jetë brenda apo jashtë vendit?

Dj Adi: Mendoj për jashtë.

CMG: Synimi yt ku është?

Dj Adi: Në Itali ose në Amerikë.

CMG: Ke ndonjë Dj të preferuar që dëshiron që të bësh një bashkëpunim me të?

Dj Adi: Po kam, është Dj Hugel dhe është nga më të mirët. Ai ka bërë shumë hite, sidomos këto hitet verore dhe atë e kam idhull.

CMG: Si e sheh veten pas 10 vjetësh ?

Dj Adi: Në Amerikë sa më larg, por edhe Evropa nuk është keq.

CMG: Nga eksperiencat e tua nëpër Shqipëri, cilët Dj konsideron si më të mirët?

Dj Adi: Mendoj se Dj Aldo është më mirë për mua dhe ai më pëlqen.

CMG: Ke pasur bashkëpunime me DJ Aldon?

Dj Adi: Kam luajtur me të në një disko në Vlorë disa vite më parë.

CMG: Cilat janë planet e tua për të ardhmen? Ku do ta gjejmë Dj Adin?

Dj Adi: Fundjavave mund të më gjeni në Vlorë tek ‘Black Moon’, në Dhërmi tek ‘Bacaro’, në Ksamil, pra komplet në tërë bregdetin, si edhe gjatë javës më gjeni çdo ditë në anijen ‘Mogila’.

CMG: Bregdetin e shëtit me skaf apo me makinë?

Dj Adi: Me makinë, por edhe me skaf gjatë ditës.

Intervistoi: Sava Lena