Flavio Xhaferi: Kërcimi për mua është më shumë se pasion
2023-08-12 11:41:55

Flavio Xhaferi ka mbaruar studimet në shkollën e baletit dhe që në moshë të vogël e ka pasur pasion vallen popullore. Ai prej disa vitesh është valltar pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore me të cilin ka marrë pjesë në mjaft aktivitete brenda dhe jashtë vendit, duke përjetuar emocione të veçanta në skenë. Së fundi Flavio mori pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, duke debutuar në skenën e kalasë bashkë me pjesëtarë të tjerë të anasmblit popullor. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për pasionin e tij për vallen popullore, aktivitetet me ansamblin si dhe planet për të ardhmen. 

CMG: Si lindi pasioni për kërcimin dhe më pas rrugëtimi juaj me vallen popullore?

Flavio Xhaferi: Unë kam kryer shkollën e baletit nga klasa e katërt deri në vitin e tretë të gjimnazit. Vallen e kam pasur pasion kur isha në gjimnaz dhe aty më hyri në qejf. Kam pasur kënaqësinë të kem pranë profesorin tim Genc Kastratin, i cili më ka ndihmuar shumë për audicionin që kisha për të bërë në vitin 2018, dhe e falenderoj sepse ka punuar shumë me mua. Kërcimi nuk është vetëm pasion sepse për mua është më shumë se pasion. Kemi punuar fort për atë dhe e bëj me qejf.

CMG: Ju në shkollën e baletit keni bërë dhe vallen popullore?

Flavio Xhaferi: Shkolla e baletit i ka të gjitha, kërcimin klasik, modern, kontemporan si dhe repertor me valle.

CMG: Si u bëtë pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore?

Flavio Xhaferi: Unë isha në përfundim të vitit të tretë në gjimnaz para provimeve të maturës, dhe në atë kohë u shpall audicion për vend vakant. Pata mundësinë që profesori im i baletit Shpëtim Dajçi kishte njohje me Genc Kastratin, dhe i tha për mua që isha në valle dhe isha i gjatë, sepse kriteret ishin që të ishe djalë i gjatë dhe figurant në skenë. Kështu që erdhi profesor Genci dhe kemi punuar gati dy muaj, ku në atë audicion ishim 8-9 veta. Audicionin e kryem po atë vit të 2018-s, dhe pata kënaqësinë të merrja lajmin që e fitova dhe u bërë pjesë e ansamblit.

CMG: Cila ka qenë performanca juaj e parë në skenë me ansamblin popullor?

Flavio Xhaferi: Koncerti i parë që mora pjesë ka qenë dy muaj pasi kisha filluar punë si valltar. Kemi performuar në sheshin “Skënderbej”, ishte një performancë e vogël por për mua ishte një eksperiencë e bukur si performanca e parë dhe emocione shumë me ansamblin.

CMG: Keni idhull ndonjë valltar të ansamblit?

Flavio Xhaferi: Unë kam idhull mjeshtrin e valleve Rexhep Çeliku, që e kam parë duke kërcyer, por  ka dhënë mësim si dhe ka performuar në shkollën tone. Ai mbetet idhull për shumë valltarë të rinj.

CMG: Cilat janë emocionet që keni përjetuar kur keni debutuar në skenë përpara publikut?

Flavio Xhaferi: Në fillim kur bën prova thua tani do dal shumë mirë dhe jep gjithë forcën tënde, por kur vjen momenti që do përballesh me skenën, ku janë shumë spektatorë duhet t’i marrësh parasysh të gjitha detajet dhe karakterin. Ka gjithmonë emocion pavarësisht sesa perfekt mund të jesh, emocioni qëndron gjithmonë.

CMG: Në skenë në cilën trevë e ndjeni veten më mirë?

Flavio Xhaferi; Të them të drejtën unë më mirë e ndjej veten te karakteri i veriut, vallet e rënda dhe burrërore të veriut, edhe pse me origjinë jam nga Saranda.

CMG: Flasim për aktivitetet e ansamblit këtë periudhë, ku ju jeni mjaft të angazhuar në këtë sezon turistik.

Flavio Xhaferi: Ne do të performojmë te Vollga në Durrës më datën 12 gusht, ku kemi një shfaqje verore me publik dhe pjesëtarë të tjerë të ansamblit. Pastaj më datën 18 do të jemi në Velipojë, ku do të performojmë me të njëjtin program.

CMG: Si ndjeheni në skenë me kostumin popullor tradicional?

Flavio Xhaferi: Kostumi popullor është madhështor dhe janë kostume që janë punuar me detaje dhe imtësi.

CMG: Keni pjesëtarë të tjerë të familjes që janë të lidhur me muzikën popullore?

Flavio Xhaferi: Nga origjina jonë është traditë kënga polifonike, por në fisin dhe rrethin tim shoqëror nuk ka pasur valltar, kështu që unë jam i pari.

CMG: Ju pëlqen ta këndoni këngën popullore dhe veçanërisht atë polifonike?

Flavio Xhaferi: Më pëlqen shumë, por nuk e kam praktikuar. Babi im, gjyshi dhe xhaxhai këndojnë dhe e praktikojnë shpesh nëpër dasma dhe kur mblidhen familjarisht.

CMG: Si e shikoni të ardhmen tuaj në lidhje me kërcimin dhe vallen popullore?

Flavio Xhaferi: Normalisht është fillimi dhe nuk mund të them se ku mund të arrij, por gjithmonë me punë, vullnet dhe dëshirë mendoj se do të arrij qëllimin që i kam vendosur vetes.

CMG: Kërceni dhe zhanre të tjera të kërcimit apo vetëm atë popullore?

Flavio Xhaferi; Unë i hyra valles me gjithë shpirt dhe për momentin po merrem vetëm me vallen popullore, por nëse më vjen mundësia do t’i praktikoj dhe zhanret e tjera të kërcimit.

CMG: Sa ju ka mbështetur familja në këtë rrugëtim?

Flavio Xhaferi: Sigurisht familja ka qenë mbështetja ime e parë, motivim jo vetëm në ansambël, por në çdo shfaqje timen dhe në çdo hap të jetës familja ka qenë pranë meje, duke më motivuar dhe duke më thënë që gjithmonë do t’ja dalësh. Gjithmonë familja ka qenë pranë meje.

CMG: Keni bërë pushime këtë verë?

Flavio Xhaferi: Kam bërë shumë pak ditë pushime sepse puna është parësore.

CMG: Ke qenë edhe në disa aktivitete jashtë Shqipërisë me ansamblin. Si ka qenë si eksperiencë për ty?

Flavio Xhaferi: Vitin e parë që kam filluar punë, mbas koncertit të parë performova te Pazari i Ri dhe pastaj t kam pasur një udhëtim në Bari të Italisë si dhe më vonë kemi qenë në Otranto përsëri me ansamblin, ku u zhvillua një koncert i madh bashkë me arbëreshët që trashëgojnë kulturat tona. Pasi u kthyem nga Italia, pas dy muajsh kam pasur eksperiencën më të bukur deri në momentin që mora pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Kemi udhëtuar drejt Ukrainës, ku në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhamë koncert për shqiptarët atje. Kjo ishte një eksperiencë shumë e bukur për mua dhe me shumë emocione.

CMG: Para pak kohësh ishit pjesë e koncertit të ansamblit në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës. Emocionet që përjetuat në skenën e kalasë së Gjirokastrës?

Flavio Xhaferi: Performuam një numër të vogël si përshëndetës në natën e parë të hapjes së festivalit. Ndërkohë që në natën e fundit të festivalit kemi qenë në bashkëpunim me Ansamblin “Shota” nga Kosova, ku ishte një mbrëmje shumë e bukur dhe me emocione. Kjo ishte vërtetë një eksperiencë e bukur sepse ishte hera e parë për mua që merrja pjesë në festivalin e Gjirokastrës.

CMG: Mund të rrini dot pa kërcyer dhe pa vallen?

Flavio Xhaferi: Tani edhe ai që nuk është në ansambël si unë dhe dëgjon një muzikë popullore apo një këngë dhe të rreh zemra sepse të rrjedh në gjak. Ky është një pasion i imi dhe nuk rri dot pa kërcimin.

CMG: Mendon se brezi i ri është rikthyer tashmë te muzika popullore tradicionale dhe e pëlqejnë atë?

Flavio Xhaferi: Sigurisht që po,  sepse unë kam parë grupe të shumë krahinave në festivalin e Gjirokastrës dhe është gjë e mirë që ne të rinjtë shqiptarë ta rikthejmë traditën.

CMG: Cilat janë planet tuaja me vallen në të ardhmen?

Flavio Xhaferi: Momentalisht jam i fokusuar te vallja, ku kam si qëllim bashkë me Rejin të bëjmë diçka tonën dhe ta kemi të dy baskë. Ne duam të hapim një grup vallesh, që të marrim pjesë nëpër dasma dhe evente të tjera artistike. Pra duam që ta zgjerojmë pasionin më shumë.

CMG: Përveç ti dhe Rejit që jeni pjesë e ansamblit, keni edhe valltare vajza në grupin tuaj?

Flavio Xhaferi; Në ansambël është dhe një vajzë nga klasa ime, ku së bashku kemi hyrë në ansambël, Arlinda Mulgeci e cila është një vajzë e talentuar, por  janë dhe dy vajza të reja Selina me Amerin, pra ne jemi grupi i të rinjve në ansamblin popullor.

CMG: Si ka qenë kombinimi dhe harmonia e të rinjve me brezin e vjetër të valltarëve të ansamblit?

Flavio Xhaferi: Kemi pasur një ndihmë të madhe nga më të vjetrit, sepse ndodh që në shumicën e profesioneve nuk duan që të ndihmojnë, por ne kemi pasur fatin që na kanë ndihmuar. Unë dhe Reji kemi punuar shumë jo vetëm me Gencin por me të gjithë djemtë e kolektivit dhe për këtë i falenderoj shumë.

Intervistoi: Gazmend Agaj