Kina shpreson që Filipinet të bashkëpunojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve detare
2023-08-12 15:15:52

foto: VCG

foto: VCG

Kina shpreson që Filipinet të bashkëpunojnë sa më shpejt të jetë e mundur për të gjetur një mënyrë efektive për të menaxhuar mosmarrëveshjet detare në Detin e Kinës Jugore, tha të premten ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi.

Kina ka deklaruar vazhdimisht se është e gatshme t’i trajtojë siç duhet dallimet ekzistuese me Filipinet përmes dialogut dypalësh, tha Wang, gjithashtu një anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, gjatë vizitës së tij në Singapor dhe Malajzi.

Wang tha se gjatë viteve, nën përpjekjet e përbashkëta të Kinës dhe ASEAN-it, situata në Detin e Kinës Jugore ka qenë përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka ofruar një mjedis të mirë për zhvillimin e tyre respektiv.

Megjithatë, Wang tha se ShBA-të dhe forca të tjera nuk dëshirojnë asgjë përveç kaosit në Detin e Kinës Jugore, në mënyrë që të përfitojnë nga “ujërat e turbullta”. Për t'i shërbyer strategjisë së tyre gjeopolitike, ShBA-të dhe disa forca të tjera kanë përdorur çështjen e Gumës Renai për të nxitur konfrontimin, për të mbjellë mosmarrëveshje mes Kinës dhe Filipineve dhe për të rrezikuar paqen dhe qetësinë e Detit të Kinës Jugore, shtoi ai.

Wang tha se iniciativa për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Detin e Kinës Jugore duhet të mbetet në duart e vendeve të rajonit dhe shtoi se Kina shpreson që këto vende të ruajnë vigjilencën e nevojshme kundër forcave që punojnë në prapaskenë.

Diplomati i lartë kinez ripohoi angazhimin e Kinës për të punuar drejt përfundimit sa më të shpejtë të një “Kodi Sjelljeje” efektiv dhe thelbësor në Detin e Kinës Jugore (COC), e cila duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke përfshirë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit.

Kina dhe vendet e ASEAN-it kanë urtësinë dhe kapacitetin e plotë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Detin e Kinës Jugore dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët, shtoi Wang.