Shpresa Çollaku e ndan përditshmërinë mes punës në sallonin e saj dhe së bukurës. Ishte ende shumë e re kur e nisi këtë profesion, por sot e sheh si suksesin e saj më të madh. Me qindra klientë janë të kënaqur nga shërbimi që ajo bën, duke grimuar njerëz të thjeshtë dhe deri tek figurat më të njohura publike të ekranit shqiptar dhe jo vetëm. Shpresa ka ndihmuar qindra grimiere të reja me kurse falas, që ato të dilnin në jetë dhe në profesion. Sot kur kthen kohën pas, Shpresa kujton me mall fillimet e saj dhe tregon se si ka qenë i gjithë ky rrugëtim sfidues.
Shpresa Çollaku me Jozefina Topallin ( foto personale)
CMG: Shpresa, si nisi për ju profesioni si grimiere?
Shpresa Çollaku: Ka qenë një vendim të cilin unë e kam marrë në një kohë të shkurtër, por ka rezistuar shumë gjatë, një vendim i cili mbi të gjitha më ka dhënë dhe mësuar shumë, që gjërat nëse ke një ide duhet t’i fillosh. Çdo gjë nis diku dhe për një arsye apo për një tjetër dhe ajo më pas ecën. Jam tejet e lumtur dhe e gëzuar ta ndaj këtë përvojë me ju.
Unë pasi erdha në Tiranë me bashkëshortin tim duhet të bëja diçka, të punoja diku. Mendova me vete, meqë e kam këtë pasion, më pëlqen pse të mos e nis? Kështu filloi, unë nisa ngadalë me pak kliente në numër dhe sot numëroj qindra, mijëra kliente që kanë kaluar tek unë për t’u dukur më të bukura.
CMG: Si ka qenë momenti i parë, kur keni krehur dhe grimuar klienten e parë?
Shpresa Çollaku ( foto personale)
Shpresa Çollaku ( foto personale)
Shpresa Çollaku: Moment shumë i bukur! E kisha vendosur me veten se ku dua unë të arrij dhe nuk shqetësohesha për asgjë, përpos faktit që doja që klienti të dilte mirë. Kam një përgjegjësi të madhe kur marr në dorëzim bukurinë e dikujt.
CMG: Më pas ju vijuat duke grimuar imazhe të rëndësishme publike
Shpresa Çollaku: Pasi nisa punë në media, duke qenë grimiere në disa televizione, imazhet ishin puna ime e përditshme, duke përmendur këtu Rudina Magjistarin, Brikena Priftin, Jozefina Topallin e shumë imazhe të tjera televizive. Kanë qenë njerëz që ruaj një respekt shumë të madh pasi, më kanë besuar dukjen e tyre, të rëndësishme në programe të mëdha televizive ku janë.
CMG: A ka pasur momente të vështira karriera juaj?
Shpresa Çollaku: Jo. Është një ndjesi rehatie që më karakterizon dhe gjithmonë prirem t’i marr gjërat me qetësi dhe të jem e vendosur për gjithçka që bëj. Vështirësi të përditshme që janë të papërfillshme, ndoshta po, por vështirësi të mëdha nuk mund të përmend. Kur puna është e përditshme dhe konstante të mban gjallë dhe në një rritëm që ti nuk rrëzohesh kurrë.
Shpresa Çollaku në familje ( foto personale)
Shpresa Çollaku me bashkëshortin ( foto personale)
CMG:A është një profesion që ka konkurrencë?
Shpresa Çollaku: Konkurrencë ka, por unë nuk ndiej. E bukura është relative. Siç grimoj unë nuk e bën askush tjetër dhe siç e bën dikush tjetër nuk e bëj kurrë unë. Vlerë matëse për mua është klienti, nëse klienti kthehet serish atëhërë unë ia dola të jem një hap para tregut, i cili ka konkurrencë. Nëse klienti zgjedh një tjetër tregon që nuk kam dhënë më të mirën time.
CMG: Shpresa ky është një profesion që të nxit të mësosh çdo herë diçka të re, duhet të ndjekësh trajnime të shumta?
Shpresa Çollaku: Po duhet të mësosh rregulla të reja por jo detyrimisht, sepse disa nga gjërat që ti mëson qëndrojnë ashtu përgjithmonë, por trendet e reja janë gjithmonë. Aq sa janë të reja aq janë edhe të lehta për t’i mësuar, por e rëndësishme është të mësosh gjërat kryesore. Ato janë shumë herë më të rëndësishme.
CMG: Kujt ja dedikoni suksesin?
Shpresa Çollaku ( foto personale)
Shpresa Çollaku: Familjes, do ta nis me nënën time, që më ka mësuar që t’ia dal dhe nëpërmjet kësaj interviste e falënderoj shumë. Më pas dua që falënderim t’i dërgoj bashkëshortit, që nuk e shkëputi kurrë dorën nga unë, më suportoi gjithë jetën për çfarë unë kam nevojë. Ende edhe sot tregon një kujdes maksimal për mua. Dy fëmijëve të mi ua dedikoj, që pavarësisht sa e vështirë është të jesh një nënë e re, ata më mësuan prindërimin.
CMG: A është ky një biznes fitimprurës?
Shpresa Çollaku: Po është. Një profesion, i cili duhet të vlerësohet më shumë nga të rinjtë dhe të rejat. Tregu ka gjithnjë nevojë për parukierë të mirë, njerëz të aftë që të grimojnë etj. Ndaj do të duhet ta shohin më me dashamirësi këtë profesion sepse ju siguron të ardhura të larta dhe kënaqësi mbi të gjitha.
Intervistoi: Megi Latifi