
Foto nga faqja elektronike e Reuters-it
Agjencia e lajmeve "Reuters" njoftoi të mërkurën se numri gjithnjë në rritje i rasteve tregon se dhuna politike në Shtetet e Bashkuara ka arritur nivelin më të lartë që nga vitet '70 të shekullit të kaluar, duke i bërë fqinjët e të afërmit të kthehen kundër njëri-tjetrit. Rezultatet e një sondazhi nga "Reuters" e "Ipsos" tregojnë gjithashtu shenja shqetësuese: një numër në rritje amerikanësh mbështesin përdorimin e dhunës "për ta bërë shoqërinë më të mirë", ndërsa 65 % e atyre që u përgjigjën ishin të shqetësuar se mund t'i nënshtroheshin dhunës për shkak të bindjeve të tyre politike.
Duke marrë trazirat e 6 janarit 2021 në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara Uashington si një pikë referimi, "Reuters" mblodhi statistika mbi dhunën politike gjatë dy vjetëve të fundit, të cilat tregojnë se gjatë kësaj periudhe, pati gjithsej 213 raste të dhunës politike në Shtetet e Bashkuara, që çuan në të paktën 39 vdekje.
Analiza e raportit tregon se në fillim të viteve '70 të shekullit të kaluar, dhuna politike në Shtetet e Bashkuara u krye më shumë nga militantët e krahut të majtë, kryesisht duke synuar objektet shtetërore, të tilla si ndërtesat qeveritare. Qëllimi i tyre nuk ishte vrasja, por ndikimi në vendimmarrje. Krahasuar me më shumë se 50 vjet më parë, shumica e ngjarjeve të dhunshme sot kryhen nga ekstremistët e krahut të djathtë dhe objektiv i sulmeve janë njerëzit e jo objektet materiale.
"Reuters" raportoi se arsyet për rritjen e dhunës politike në Shtetet e Bashkuara janë komplekse. Ankthi për çështjet financiare i përhapur gjerësisht midis amerikanëve, ndryshimet dramatike në jetën e njerëzve të shkaktuara nga pandemia, shqetësimi i shkaktuar nga struktura raciale dhe etnike në ndryshim të vazhdueshëm e popullsisë në Shtetet e Bashkuara dhe retorika politike gjithnjë e më radikale gjatë epokës së Trump-it mund të jenë të gjithë faktorë ndikues. Edhe më shqetësuese është që ndarjet tradicionale politike ndërmjet së djathtës dhe së majtës ia kanë lënë vendin një perspektive të re, sipas së cilës anëtarët e partisë politike kundërshtare janë "forca të këqija", që kanë si qëllim shkatërrimin e themeleve politike e kulturore të Shteteve të Bashkuara.
