
Shefi i OBSH-se (Foto Atsh)
Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se aktualisht nuk ka statistika për vdekjet e shkaktuara nga Covid-19 në të gjithë botën. Ekspertja e koronavirusit në OBSH, Maria Van Kerkhove, tha se për momentin nuk mund të jepet një statistikë e saktë mbi vdekjet e ndodhura prej Covid, bën të ditur “ATSH”.
“Qëkur OBSH-ja shpalli emergjencën globale të koronavirusit mbi tre vjet më parë, infeksionet dhe vdekjet e reja kanë vazhduar të bien”, deklaroi shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Në korrik, vetëm një e katërta e të gjitha vendeve i raportuan OBSH-së shifrat e vdekjeve.
Por, Tedros paralajmëroi se është e rëndësishme të mbahet nën vëzhgim të kujdesshëm situata, jo vetëm për shkak të mutacioneve të reja të koronavirusit.
Gjithsej tre variante janë tani nën mbikëqyrje të shtuar, XBB.1.5, e cila është e përhapur në Evropë dhe në kontinentin Amerikan, XBB.1.16, e cila është veçanërisht e zakonshme në Azi, dhe EG.5.
Sipas Van Kerkhove, megjithëse me EG.5 nuk janë raportuar përparime më të rënda të sëmundjes, është vërejtur një mbrojtje më e ulët e vaksinimit sesa me variantet e tjera të virusit. (Irma)
