Kinë: Pritet rimëkëmbja e mëtejshme e tregut të udhëtimeve jashtë vendit në grup
2023-08-11 16:58:49

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Kina njoftoi të enjten rinisjen e udhëtimeve në grup në dhjetëra destinacione jashtë vendit, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, një masë që mund të sjellë rimëkëmbjen e mëtejshme të këtij tregu pas lehtësimit të masave antiepidemike.

Udhëtimet turistike në grup jashtë vendit u ndërprenë në Kinë në fillim të vitit 2020 për shkak të pandemisë së COVID-19. Me optimizimin e reagimit ndaj epidemisë, Kina ka marrë masa për të hequr kufizimet për udhëtimet jashtë vendit.

Në listën e fundit përfshihen 78 vende, si ShBA-ja, Japonia, Koreja e Jugut, Australia, India dhe shumica e vendeve evropiane, duke e çuar numrin e përgjithshëm të destinacioneve të udhëtimeve në grup në 138.

Kina rinisi më parë këtë vit udhëtimet në grup në 60 vende gjatë dy fazave në baza pilot, duke përfshirë Rusinë, Francën, Spanjën, Italinë e vende të tjera evropiane, si edhe disa vende në Azinë Juglindore e në Afrikë.

Kina kishte tregun më të madh të turizmit jashtë vendit në botë më 2019, kur turistët kinezë bënë 166 milionë udhëtime jashtë vendit, duke shpenzuar 270 miliardë dollarë gjithsej, sipas Organizatës Botërore të Turizmit.

Rimëkëmbja e tregut të turizmit jashtë vendit në Kinë ka qenë e qartë këtë vit, ndërsa të dhënat e platformave të udhëtimeve tregojnë se përdoruesit kanë dëshirë të madhe për të udhëtuar dhe numri i kërkimeve lidhur me udhëtimet  jashtë vendit e ka kaluar nivelin e së njëjtës periudhë më 2019. "E gjithë industria është plot me shpresa për të ardhmen," tha Chen Ruiliang, zv.president i lartë i kompanisë "Ctrip".