
CFP
Junta ushtarake e Nigerit ka refuzuar një përpjekje të fundit diplomatike për të rivendosur presidentin e rrëzuar nga pushteti, duke hedhur poshtë kërkesën për një vizitë të propozuar nga përfaqësuesit e bllokut rajonal të Afrikës Perëndimore, Bashkimit Afrikan dhe Kombeve të Bashkuara, citon një letër “Associated Press”, përcjell “RTSH”.
Letra përmendte si justifikim arsye të dukshme sigurie në këtë atmosferë kërcënimi kundër Nigerit, dy javë pasi ushtarët kryengritës rrëzuan presidentin e zgjedhur në mënyrë demokratike.
Blloku rajonal i njohur si ECOWAS kishte kërcënuar se do të përdorte forcën ushtarake nëse junta nuk do të rivendoste presidentin Mohamed Bazoum në detyrë deri të dielën, një afat që u shpërfill.
Të hënën, zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, u takua me krerët e grushtit të shtetit. Nuland tha se ata refuzuan ta lejonin atë të takohej me Bazoum, të cilin ajo e përshkroi se ishte nën arrest shtëpiak virtual.
Ajo i përshkroi oficerët kryengritës si të pandjeshëm ndaj apeleve për të nisur negociatat dhe për të rivendosur sundimin kushtetues.
Analistët dhe diplomatët thonë se dritarja për ndërhyrje ushtarake po mbyllet, dhe pa mbështetjen rajonale për përdorimin e forcës, ECOWAS dhe të tjerët po kërkojnë një rrugëdalje.

CFP
Junta, e udhëhequr nga gjenerali Abdourahamane Tchiani, ka shfrytëzuar ankesat e popullatës ndaj ish-sundimit kolonial të Nigerit nga Franca. Ajo gjithashtu ka akuzuar qeverinë e Bazoum se nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur vendin nga ekstremistët islamikë dhe i ka kërkuar ndihmë grupit mercenar rus “Wagner”, i cili operon në një pjesë të vogël të vendeve afrikane, duke përfshirë Malin, dhe është akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut. (Irma)
