Euro e ulur dhe ekonomia shqiptare
2023-08-11 11:01:00

Rënia e euros (Foto Pamfleti)

Rënia e euros (Foto Pamfleti)

Për periudhën 10 janar-10 gusht 2023, euro në tregun e Shqipërisë ka rënë me 12.3 përqind të vlerës së saj të këmbimit me lekun shqiptar, nga 117.5 lekë një euro në 10 janar 2023 në 104.6 lekë një euro më 10 gusht 2023.

Forcimi i ndjeshëm i monedhës vendase kundrejt euros ka sjellë shqetësim në radhët e bizneseve, që preken nga dobësimi i monedhës europiane, veçanërisht në sektorin e eksporteve, por edhe në rradhët e qytetarëve, që kanë depozitat e kursimeve te tyre ne euro dhe të familjeve që të ardhurat kryesore i kanë nga dërgesat e emigrantëve, të cilat po ashtu janë në masën 92 përqind në euro.

Disa ekspertë e shohin forcimin e lekut të lidhur me një numër treguesish pozitivë në ekonomi, si rritja e eksporteve, e investimeve të huaja dhe shtimi shumë i konsiderueshëm i turizmit, veçanërisht gjatë periudhës së verës 2023.

Eksportet në vitin 2022 u rritën me rreth 2 miliardë euro, duke ngushtuar raportin me importet, ndërsa investimet e huaja direkte u rritën me 33 përqind, ose me rreth 340 milionë euro. Shtim patën edhe dërgesat e emigrantëve(remitancat) me 9.6 përqind, ose me rreth 72 milionë euro, ndërsa borxhi publik u ul nga 74.5 përqind e prodhimit kombetar (GDP-se), në 64.6 përqind. Ndërkohë, vizitorët e huaj për gjashtë mujorin e parë janar-qershor 2023 janë 33 përqind më shumë se sa gjashtëmujori i parë i vitit 2022.

Pavarësisht shifrave inkurajuese të ekonomisë dhe një bumi të mirëfilltë në turizëm, një pjesë e studiuesve të zhvillimeve ekonomike në vend gjykojnë se pasojat e forcimit të monedhës vendase në sektorin e eksporteve mund të reflektohen në mungesë likuiditeti dhe pamundësi për investime. Në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Eduard Gjokutaj,  ekspert i ekonomisë pranë AlTax analizon këtë situatë

 

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (Foto A2CNN)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë (Foto A2CNN)

CMG: Z. Gjokutaj, me këtë euro në tregun shqiptar, dukshëm shumë më të ulur se sa tetë muaj më parë, në janar 2023, gjykoni se ekonomia jonë ka më shumë përfitime, apo humbje?

Eduard Gjokutaj: Realisht duhet të analizojmë gjashtëmujorin e parë të këtij viti, për të parë çfarë ndodhi gjatë kësaj kohe, dhe pastaj të lidhemi me atë që ju thoni, pra periudhën e gjashtëmujorit të dytë, në të cilën ne kemi hyrë.

Do të thosha se realitetet ekonomike janë jo optimiste, edhe pse, përtej rritjes ekonomike të tremujorit të parë të këtij viti në nivele të kenaqshme, pas shtimit ekonomik përtej parashikimeve të vitit 2022, shikojmë që nuk është reaguar si duhet nga ana e institucioneve, për të rritur atë lloj vëzhgimi të efektshëm, në mënyrë që të pengonte atë rrjedhe, e cila vjen jo thjesht nga performancat e thëna, por ato që janë për arësye informale.

Këtu kam parasysh ndërhyrjen e Ministrisë së Financave, së bashku me institucionet e tjera shtetërore, të cilat duhet të luanin rolin e zjarrfikësave në këtë kohë të nxehtë, për parandalimin e informalitetit të rritur. Ne duhet të parandalojmë ato para jo të ligjshme, të cilat dukshëm janë të pranishme në tregun tonë, jo vetëm si monedha euro, por edhe në monedha të tjera.

Nga ana tjetër, duhet përcaktuar mënyra e reagimit në të ardhmen, pasi tregu ka hyrë në një moment delikat. Jo vetëm ata që janë depozitues në euro, por edhe në tërësi të gjitha ata që janë konsumatorët shqiptarë, të cilët varen nga remitancat që vijnë në këto monedha të forta (euro, paund, etj.), por edhe nga industria.

Kjo e fundit jep e merr me këmbimin valutor. Shikoj që ka një ndarje jo të drejtë me eksportuesve dhe importuesve. Në fakt, importuesit dhe eksportuesit e mëdhenj janë pjesëmarrës në shumë lloj biznese të tjera, të cilat preken direkt dhe indirekt nga ky kurs këmbimi.  Banka e Shqipërisë tashmë, duhet të jetë shumë më tepër në pozita aktive, se sa në pozita pritshmërie. Ajo duhet të reagojë, përsa i përket normave të interesit. Këto norma kanë ndikimin e tyre në kursin e këmbimit të valutave, edhe pse jo aq sa në vendet e tjera.

Ato ndikojnë, për arësye se kanë grumbulluar një pjesë të kapitalit, i cili tërheq paranë nga tregu dhe natyrshëm që ka një forcim të euros.

Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë duhet të rishikojë politikën, të konsultuar në skenarët e saj, por edhe me partnerët, lidhur me një ofertë të re monetare të parasë sonë, lekut. Kjo ofertë gjykoj që është e nevojshme, pasi nuk ka tashmë asnjë zgjidhje tjetër, e cila të parandalojë, në një afat të shkurtër kohor, këtë ofertë të madhe të valutave të tjera në tregun tonë. Kjo duhet të vijë në harmonizim me mënyrën se si e kanë zhvilluar këtë ofertë të re të parasë bankat e tjera qendrore.  Banka jonë qendrore nuk është më në pozitat, që të ndjehet e frikësuar nga lehtësimi sasior apo nga politika të tjera aktive.

CMG: Euro kaq e ulur në tregun tonë, nga disa ekspertë, argumentohet edhe si një dëm që i bëhet vetë turizmit. Turistët e huaj kishin planifikuar shpenzime më të larta, kur pronotuan për në Shqipëri dhe tani u nevojitet më shumë buxhet, ose duhet të shkurtojnë kohën e qëndrimit. Gjykimi juaj.

Eduard Gjokutaj: Sezoni më i vrullshëm turistik në Shqipëri është në tremujorin e tretë, duke u nisur nga muaji korrik. Atëhere është edhe numri më i madh i vizitorëve të huaj. Nga aq sa është vëzhguar tregu deri tani dhe nga ato që konfirmojnë agjencitë e ndryshme të udhëtimit, kuptohet që kjo ka një ndikim. Por mendoj se kjo ka një efekt jo vetëm thjesht tek buxheti i planifikuar nga turistët për këtë vit, por për vitin e ardhshëm. Kjo, ngaqë ndikimi nuk shikohet menjëherë, në moment. Secili, qoftë turist i huaj, qoftë vendas, përshtatet për momentin. Të mos harrojmë, edhe turistët vendas kanë të njëjtën natyrë shpenzimesh.

Gjykoj se rreziku më i madh është spekulimi në treg, nga informaliteti. Turizmi është një sektor i dominuar nga informaliteti.

Kjo, ngaqë, nga llogaritjet që janë bërë, nga shumë media dhe nga shumë analistë, shikojmë që, përtej numrit të vizitorëve, kemi kundërshti, ose nëpërmjet një kohëqëndrimi më të shkurtër në Shqipëri, ose përmes akomodimit në njësi akomoduese informale. Informaliteti është pjesë e rëndësishme e sektorit të turizmit.

Në momentin që ty të kanë ardhur gjithë këta turistë dhe e shikon si sukses, në fakt, ky moment mund të të kthehet në një kundërshti, përtej asaj që pretendohet se do të të rrisë ekonominë.

Nga ana tjetër, kjo mund të shtojë edhe një kosto të padëshëruar për shqiptarët, pasi të paktën gjysma e territorit të Shqipërisë është konsideruar si një zonë turistike. Këtu kam parasysh turizmin malor, përveç atij bregdetar. Rritja e çmimeve do të ndodhë njësoj si në vendet e tjera të Ballkanit. Kjo është një kosto që do të rrisë edhe më tej standardin e jetesës, koston e jetes për qytetarët. Në këtë mënyrë, kjo do të kalojë edhe në një zhgënjim të madh, për arësye se vetë bizneset shqiptare nuk janë mësuar që ato fitime që sot realizojnë nga kursi i ulët e këmbimit të euros, t’i kalojnë në kosto të rritura, pra në paga të rritura për fuqinë e tyre punëtore. Pra, si për stimulimin e fuqisë punëtore, ashtu edhe për shpenzime të tjera, që lidhen me cilësinë e shërbimit.

Duke qenë së të dyja këto dukuri po ndodhin, ato bien ndesh me atë që po thuhet sot për turizmin.

Rritja e turizmit (Foto Lapsi.al)

Rritja e turizmit (Foto Lapsi.al)

 CMG: Ju e përmendët prekjen e të ardhurave të familjeve që jetojnë me dërgesat e emigrantëve, me remitancat. Sipas një studimi të INSTAT, kemi rreth 53 përqind të qytetarëve tanë, që marrin të ardhura nga te afërmit e tyre që jetojnë në emigracion. Sipas Bankës së Shqipërise, mbi një e treta e familjeve, sidomos ato që jetojnë në zonat rurale, mbahen nga remitancat. Euro e ulur u sjell atyre më pak fonde. Gjykoni se do të ishte me vend të bëhej një program mbështetës për këto familje me të ardhura modeste ose të ulta?

Eduard Gjokutaj: Përpara se sa të kalojmë tek kjo qasje që ju përmendni, do te thoja se institucionet përgjegjëse shtetërore, duhet të bëjnë analiza të detajuara dhe specifike për gjendjen me euron e ulur. Kjo vlen për të gjitha kategoritë e popullsisë. Njësoj sikurse bëhet, në momentin që hartohet Buxheti i Shtetit për vitin e ardhshëm. Kjo duhet bërë, me qëllim që të zbulojmë dobësitë dhe t’i adresojmë ato. Ne duhet t’i përdorim këto analiza, për llogaridhënien e munguar, e cila është e domosdoshme.

Këtu nuk kam parasysh vetëm ata që planifikojnë të bëjnë investime, por kam parasysh edhe pjesën që pret që të ndërmerren politika të suksesshme. Është momenti më themeltar tashmë, që sezoni veror të shërbejë si një periudhë intensive pune, për të arritur riformatimin e shumë politikave për pjesën informale, që nuk është faji i qytetarëve që ekziston, por faji i detyrave të pabëra. Është me vend ajo që mund të ndërmerren politika dhe mbështetje për ata që mbahen nga remitancat, por, nga ana tjetër, politikat duhet të ndërmerren të tilla, që të mos bëjnë diferencime, karshi shtresave të ndryshme. Nëse do i trajtosh pozitivisht dhe me mbështetje remitancat, duhet të marrësh në konsideratë prodhuesit vendas, bujqësia, edhe pse jo e gjitha.

Nga ana tjetër, duhet të flitet në mënyrë të sinqertë dhe me një palë bilancesh. Situata me disa bilance po i kthehet në gangrenë jo vetëm politikës, por edhe bizneseve. 

CMG: Në shtator e më tutje, pra në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit, si e gjykoni se do zhvillohet situata? Tani që borxhi publik është ulur dhe inflacioni po ashtu, a mund të shikohen masa të tjera ndihmëse për eksportuesit që humbasin aq shumë nga euro e ulur, por edhe familjet që janë të vërtetura që nuk kanë burim tjetër jetese, veç remitancave?

Eduard Gjokutaj: Në momentin që Buxheti i Shtetit i bëri hesapet e tij të gjysmës së parë të vitit, do të thosha që tashmë duhet të ribëjë edhe njëherë analizat e hollësishme, përsa i përket asaj pjesës së “yndyrnave të tepërta”, që mund të dëmtojnë shëndetin jo vetëm të qytetarëve, por edhe të ekonomisë. Kam parasysh që, përtej asaj që u tha se shpenzimet buxhetore nuk u realizuan në vlerë të plotë dhe u krijua një sufiçit. Kjo është në fakt një statistikë që nuk i vlen ekonomisë, pasi një lek i munguar dhe jo i hedhur për shpenzim, ka ndikuar edhe ai, në këtë euro të dobët dhe në këtë lek të fortë.

Nga ana tjetër, fondet që qeveria mblodhi me anë të obligacioneve dhe të bonove të thesarit, pra një pjesë e mirë e kursimeve të qytetarëve, edhe ato kanë ndikuar. Kjo, pasi qeveria ka tërhequr ato para që duheshin për qarkullim, që të balancohej oferta e euros. Mbi të gjitha, duhet të ndalohen spekulimet në treg, që vijnë nga oferta e parasë në ata sektorë lider në ekonomi, si në ndërtim, në tregun e pronave të paluajtshme, etj. Nga ana tjetër, duhet të kemi një transparencë shumë më të madhe.  

INSTAT (Foto Monitor)

INSTAT (Foto Monitor)

CMG: Qeveria duket optimiste që mund të arrijë një rritje ekonomike për vendin prej 3.6 përqind për këtë vit, edhe për shkak të sezonit të suksesshëm veror të turizmit, krahas aktiviteteve të investimeve të huaja, etj. E gjykoni një objektiv të arritshëm, apo duhet të jemi në ankorimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, parashikimi i të cilit po ashtu është rritur, nga 2 përqind në 2.5 përqind rritje ekonomike?

Eduard Gjokutaj: Pres që të kemi një lajm të mirë nga qeveria që kanë filluar të subvencionohen sektorët prodhues. Kjo, në vend të promovimit të ndërtimit dhe turizmit, sektorë të cilët, në fund të fundit, nuk është se prodhojnë mirëqënie për të gjitha shtresat vulnerabël të popullsisë, por prodhojnë mirëqënie për një grup të caktuar. Të mos harrojmë një statistikë më të fundit të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, ku thuhej se dhjetë individët më të pasur që mbajnë llogari bankare kanë vlerën më të lartë të depozitave të tyre në këto vite. Kjo tregon se të pasurit po pasurohen akoma dhe më shumë dhe të varfërit po varfërohen.

Ne kemi patur vite me rritje më të mëdha ekonomike, por ato nuk i kanë vlejtur qytetarit, për t’i shtuar atij mirëqënien. Si konsumin për vetveten dhe familjen e tij, ashtu dhe mbajtjen e një standardi të tillë, që t’i garantohet e ardhmja.   

Intervistoi Fatos Çoçoli