Foto nga instagrami
“Qorri” një dramë e shkruar dhe me regji nga Gert Palali do të shfaqet për publikun më datë 19 gusht ora 20.00 pranë Qendrës Rinore “Arka” Shkodër, si një nga stacionet e sezonit veror ‘Kult Art’ 2023, organizuar nga Ministria e Kulturës. Kjo shfaqje flet për dhunën ndaj grave dhe abuzimin ndaj rë miturve. Frymëzimi ka ardhur nga ngjarje të shpeshta dhunimi, përdhunimi dhe vrasja e grave në Shqipëri, për të dënuar këto fenomene, duke protestuar nëpërmjet artit. E gjithë shfaqja është e shoqëruar me nëntekste dhe nënkuptime. Është një shfaqje e mbushur me simbolika. Regjisori synon të ketë një peshë të madhe fjala, dialogu mes personazheve, ndryshimi i mendimit të publikut për personazhet. Është një koncept dhe një shfaqje e fortë emocionale ku ka përjetime të forta dhe përzjerje emocionesh, që e bëjnë publikun të përfshihet shumë, prandaj Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka sugjeruar që; ‘kjo shfaqje sugjerohet të mos shihet nga fëmijët nën moshës 16 vjeç’.
Foto nga instagrami
Regjia dhe teksti i dramës janë realizuar nga Gerti Palali, as.regjisor është Marsel Paplekaj, muzika nga Eugjen Marku, Graphic Desinger nga Klaudiana Kimça dhe koordinator promocioni është Xhuljano Mhilli. Në shfaqjen “Qorri” do të interpretojnë aktorët e rinj, Anxhelo Shkreli, Gerti Palali, Lea Lulaj, Endri Lleshi, Ami Dizdari, Mario Prendi, Ergeza Hoti, Gleni Taipi, Juled Shkjau, Alesia Zefi, Endri Zaganjori. Ky është një produksion i Fondit të Teatrit për të Rinjtë 2023.
Çfarë është Fondi i Teatrit për të Rinjtë?
Fondi i Teatrit për të Rinj është një nga iniciativat e Ministrisë së Kulturës, në përputhje me misionin dhe politikat mbi nxitjen, promovimin dhe krijimin e hapësirave mbështetëse për skenën e pavarur artistike, e veçanërisht në fushën e teatrit.
Foto nga instagrami
Përmes fondit prej 10 milionë lekësh synohet nxitja dhe zgjerimi i hartës kulturore, duke e shtrirë gjeografikisht këtë fond; duke krijuar lëvizjen teatrore në bazë të rajoneve nga jugu në veri, në një formë bashkëprodhimi me teatrot e rretheve; duke ofruar mundësinë që teatri si zë i së vërtetës të aktivizojë krijuesit dhe interpretuesit e rinj që të punojnë dhe sigurojnë mbarëvajtjen jo vetëm në infrastrukturën e në teatrit në Tiranë, por edhe në rrethe. Projektet përfituese nga ky fond do të realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, ndërsa teatrot e rretheve do të mbështesin projektet e këtij fondi, përmes logjistikës teatrore.
Sava Lena
Foto nga instagrami