Piktori autodidakt Klajdi Karati ekspozon “Kalldrëmet me ngjyra”
2023-08-10 17:41:25

Klajdi Karati ( foto personale)

Klajdi Karati ( foto personale)

Klajdi Karati ëshë piktor, i cili këtë rrugëtim e ka nisur për pasion, pasi nuk ka ndjekur një shkollë pikture. “Kalldrëmet me ngjyra”, është ekspozita e tij e parë e cila shfaq të gjitha ndjesitë e një piktori të ri në moshë. Ndërsa tregon se piktura është, ka qenë dhe do të jetë ëndrra e tij e përhershme, Klajdi ndalet te vështirësitë gjatë jetës së tij.

‘Nuk e ndaj kurrë pikturën, është vetë jeta ime’, thotë ai për Radio Ejani. Në këtë ekspozitë nuk kanë munguar ngjyrat dhe imazhet e bukura të të gjithë atyre që e kanë vizituar.  Çdokush që ndalonte, Klajdi i pikturonte imazhin dhe të gjithë mbeteshin të kënaqur. Madje, më së shumti turistët, të cilët e kanë vlerësuar maksimalisht talentin e Klajdi Karatit.

Klajdi Karati ne ekspozite  ( foto personale)

Klajdi Karati ne ekspozite  ( foto personale)

CMG: Klajdi si erdhi kjo dëshirë për këtë ekspozitë dhe cilat janë kujtimet të cilat do t’i ndash prej saj?

Klajdi Karati: Së pari jam i lumtur që më jepet mundësia të flas për këtë ekspozitë. Kur e do diçka shumë dhe më pas të bëhet realitet, ti ndihesh i plotësuar si njeri. Unë kisha vite që ëndërroja, të shikoja pikturat e mia të merrnin jetë, të dilnin diku në pah. Një ditë të bukur, ditë kjo e cila më duket si e bekuar, vendosa të pikturoj ‘Kalanë e Tiranës’. Në këtë Kala ku unë sot kam ekspozitën time. Kjo pikturë e Kalasë së Tiranës ra në sy të Klodiana Toptanit, kjo zonjë e nderuar, që hapi dyert për mua dhe më bëri të besoj në vete. Besova dhe filloja të marr motiv për të bërë edhe më shumë. Pasi hapa ekspozitën time tek Kalaja, nuk e prisja që aq shumë njerëz, të ndalonin qoftë për të parë, për të  blerë një pikturë apo edhe për t’i pikturuar unë ata vetë.

CMG: Pse u quajt ‘Kalldrëmet me ngjyra’?

Klajdi Karati: U quajt ashtu sepse unë mendoj që edhe jeta e një artisti të ri është si një kalldrëm, por pse të jetë gri?

Le ti japim pak ngjyra jetës së një artisti të ri, ta mbështesim, ta orientojmë dhe t’i hapim dyert për të kaluar në një kalldrëm me ngjyra. Ky ka qenë qëllimi im.

Klajdi Karati ne ekspozite  ( foto personale)

Klajdi Karati ne ekspozite  ( foto personale)

CMG: Cilat ishin ndjesitë e tua, kur njerezit ndalonin dhe shihnit që e pëlqenin pikturën tënde?

Klajdi Karati: Është ndjesi e veçantë, vetëm kur e përjeton e kupton. Unë jam rritur me këto ëndrra, kam fjetur dhe jam zgjuar me idenë që të vinte një ditë dhe unë si piktor të nxjirrja ekspozitën time. Më pas ajo të pëlqehej. Kur të tjerët të pëlqejnë punën, është një lloj konfirimimi që ti merr në heshtje të gjithçkaje që bën. Unë kisha nevojë dhe ende kam që në një formë apo në një tjetër ata të kthejnë vështrimin drejt artit, dua të tregoj se çfarë do të thotë  ta duash vërtet pikturën.

CMG: Klajdi, a ke punuar shumë për këtë ekspozitë?

Klajdi Karati: Unë kam punuar sa kam vite dhe jetë, madje do doja t’iu tregoja edhe rutinën time. Por, për tu ndalur këtu, unë kam punuar shumë gjatë, shumë vite dhe shumë orë. Kam qindra piktura të cilat rrinë në shtëpi dhe shumë të tjera që janë duke u punuar. Por, nuk isha gati dhe nuk i kisha bërë gati për këtë ekspozitë, thjesht ndodhi kështu. Pasi ftesa ishte e papritur dhe unë tërhoqa pikturat më të mira dhe i solla në Kala.

Klajdi Karati ne ekspozite  ( foto personale)

Klajdi Karati ne ekspozite  ( foto personale)

CMG: Arrin të ndash se cila nga pikturat e tua është më e bukura?

Klajdi Karati: Në pikturat e mia, ka jetë, ka gjendje, por ka edhe realitet dhe në këtë kontekst asnjëra nuk mund të jetë më e bukur se tjera, secila pikturë në llojin e saj është unike. Unë përpiqem që të mbaj përherë fletë dhe materiale pikture me vete, sepse frymëzimi më kap kudo.

CMG: A është kjo puna e vetme që ti bën?

Klajdi Karati: Jo, nuk është puna ime e vetme që unë bëj, kam bërë dhe do vijoj të bëj edhe punë të tjera pasi arti  nuk të mban me ushqim. Unë dua që artin të mos e le dhe mos e kem kusht për punën time. Jam nga ata të rinj të cilët bëjnë çdo lloj pune. Mbaj mend disa vite më parë, punoja në punë krahu (ndërtim), duke ndihmuar në ndërtimin e shtëptive apo pallateve, dhe sapo lija punën e vështirë ulesha dhe në gjithë atë lodhje që kisha kur punoja, në ditë me shi, në ditë me diell dhe kushte të vështira, shplodhja ime ishte piktura.

Për të mbajtur gjallë këtë pasion të lindur tek unë, do të doja të punoja në çdo lloj pune.

Klajdi Karati ne ekspozite  ( foto personale)

Klajdi Karati ne ekspozite  ( foto personale)

CMG: Kush ka qenë motivi, apo personi që ju ka mbështetur dhe do donit t’i jepnit një falenderim?

Klajdi Karati: Unë do doja që të falenderoja nga zemra me një mirënjohje të thellë, znj, Klodi Toptani, e cila ka në menaxhim Kalanë e Tiranës. Ajo më hapi dyet dhe më dha këto emocione të cilat unë sot i shfaq këtu me ju.

CMG: Arrini të kujtoni pikturën tuaj të parë?

Klajdi Karati: Nuk mund të them që e mbaj mend sepse kam nisur që i vogël të pikturoj dhe është gati e pamundur, por mbaj mend çdo përjetim timin rreth pikturave në tërësi. Fillimisht unë kam nisur me skica, më pas me anë të pikturave të mirëfillta kam kuptuar se sa bukur është të futesh në një botë të pafundme siç është piktura.

CMG: Cili do të ishte një mesazh i juaji për jetën dhe profesionin?

Klajdi Karati: Mos harro nga vjen dhe ku e ke nisur. Fillimi i diçkaje është i rëndësishëm për vijimësinë e çdo hapi në jetë .

Intervistoi: Megi Latifi

Klajdi Karati ne ekspozite  ( foto personale)

Klajdi Karati ne ekspozite  ( foto personale)