Koncerti i Noizy-t në Tiranë (Foto Telegraf)
Janë shumtë artistët të cilët i planifikojnë herët këngët që do publikojnë gjatë stinës së verës. Ata zgjedhin që këngët e tyre të jenë kryesisht me ritëm, që i shkojnë për shtat kësaj stine të ngrohtë, për të krijuar sa më shumë atmosferë në ambjentet ku ka pushues, kryesisht nëpër plazhe. Çdo sezon veror ka hitet e veta që dëgjohen kudo jo vetëm nëpër plazhe, por edhe në radio, lokale, makina ambjente festive etj. Artistët shqiptarë punojnë gjatë një viti të tërë për të sjellë në sezonin veror këngët të cilat kryesisht janë ritmike dhe bëhet menjëherë hite. Kjo është një mënyrë e mirë e menaxhimit të tyre të cilat sjellin më pas kërkesat e shumta për koncerte, e rrjedhimisht rrisin të ardhurat e tyre. Tashmë jemi në muajin gusht dhe pikërisht në kulmin e publikimit të këngëve të verës. Kanë qenë të shumta këngët të cilat janë klikuar me miliona herë dhe kanë qëndruar për javë e javë të tëra në klasifikimet e këngëve më të dëgjuara dhe klikuara shqiptare, të cilat janë prezantuar çdo javë edhe në programin e së dielës “Muzika shqip” në valët e Radio Ejani, si hitet e reja ashtu edhe këngë më të klikuara të momentit në youtube. Por cilat konsiderohen këngët ‘hit’? Këngë ‘hit’ janë ato këngë të cilët krijojnë atmosferë dhe kërcehen nga të gjithë, por edhe ato këngë të cilat marrin më shumë klikime në kanalin youtube duke thyer rekord dëgjueshmërie.
Disa nga këngëtarët shqiptarë si Ronela Hajati, Elvana Gjata, Ylli Limani, Alban Skënderaj etj, janë ata që nuk ndalen asnjëherë së punuari dhe vazhdimisht po sjellin këngë të bukura për fansat e tyre. Duket se çelësi i suksesit janë këngët e kërcyeshme ato që përmbushin kërkesat e publikut dhe ndjekësve të tyre. Klikimet në kanalin zyrtar, Youtube kanë bërë që të mos ndalen së publikuari sa më shumë projekte të reja. Gjithashtu një ‘armë’ e fortë janë rrjetet sociale ku është një mundësi mjaft e mirë e paralajmërimit të këngëve të reja e po ashtu edhe në promovimin e tyre. Një nga bashkëpunimet që është pëlqyer dhe dëgjohet më së shumti ka qenë kënga “Mërzia” version REMIX që kanë sjellë Ylli Limani, Dafina,Ledri dhe Romeo.
Ndërsa një ndër këngët që ka thyer rekord dëgjueshmërie dhe klikimesh në kanalin youtube këtë verë ka qenë kënga e Noizy ‘Jena mbreter 2’, ku ka arritur mbi 39 milionë klikime, por edhe një bashkëpunim i Noizy dhe Dhurata Dora me këngën ‘Kallma’ publikuar në muaji qershor, ku ka arritur mbi 12 milion klikime.
Alban Skënderaj (Foto nga instagrami)
Një nga projektet e suksesshme të kësaj vere të këngëtares Elvana Gjata, ka qenë kënga “Si Na”. Por këngë mjaft të pëlqyera këtë sezon veror edhe pse nuk kanë arritur miliona klikime kanë qenë këngët e reja që janë sjellë artistët Genti Deda, i cili me këngën ‘A po vjen’ ka ndezur çdo atmosferë kudo ku ka qenë i ftuar, gjithashtu edhe kënga e Erik Lloshit publikuar në fund të muajit korrik, ‘ E amël asht' në bashkëpunim me G-Bani ka qenë mjaft e pëlqyer nga publiku.
Artistja e mirënjohur shqiptare Aurela Gaçe, pas suksesit të albumit të saj të publikuar në fillim të këtij viti, prezantoi përgjatë verës disa këngë ritmike që i përshtaten kësaj periudhe të nxehtë, si ‘Lake Pupulake’ në muajin korrik, por edhe një tjetër këngë të suksesshme ‘Cimica’ të cilën ajo e prezantoi dy javë më parë në versionin remiks.
-Ndërsa artistët që arritën të qëndronin në epiqendër të listës së “artistëve më të suksesshëm” ka qenë këtë vit këngëtari Luiz Ejlli. Audienca ka krijuar një simpati shumë të madhe për të, ndërsa bëri bujë me rikthimin në muzikë me këngën me titullin ‘Me ty’, për të vazhduar me bashkëpunimin me Donald Veshaj me këngën "2 shotsa" e cila arriti mbi 11 milionë klikime, dhe për të vijuar këngë të tjera, ku një nga këngët më të pëlqyera nga publiku ka qenë kënga ‘Përjetësisht’, e cila nuk këndohet vetëm nga të rinjtë, por ka fituar edhe zemrat e fëmijëve. Kjo këngë ka qenë edhe një prej hiteve që i ka rezistuar për disa javë me rradhë edhe listës së rubrikës ‘Këngët më të klikuara’ në programin ‘Muzika shqip’ në Radio Ejani.
Aurela Gaçe (Foto Telegrafi)
Gjithashtu të transmetuara në këtë rubrikë kanë qenë e këngët e reja të artistes Aurela Gaçe, kantautorit Alban Skënderaj, i cili për momentin mbetet një nga artistët më të mirë dhe këngët e tij gjithmonë i kanë rezistuar kohës. Alban Skënderaj si gjithmonë edhe këtë sezon veror ka qenë mjaft aktiv dhe shumë i pëlqyer. Këngët e tij më të transmetuara në këtë program kanë qenë bashkëpunimet e tij me këngëtaren Dafina Zeqiri për këngën ‘E para / I pari’ publikuar rreth 3 javë më parë, që i ka kaluar mbi 8 milionë klikime. Ky bashkëpunim i tyre erdhi pas suksesit që artistët kishin realizuar 8 muaj më parë me këngën ‘Copa Copa’, e cila arriti mbi 16 milionë klikime.
Këngët që artistët sjellin për publikun i përshtaten kohës dhe janë të kuruara deri në detaje, sidomos videoklipet e tyre, të cilat realizohen si një film me metrazh të shkurtër. Mozzik dhe Kida me këngën e publikuar katër javë më parë “Forever Together” kanë arritur mbi 3 .8 milion klikime në Youtube. Fabula e këngës së tyre flet për dashurinë mes dy të rinjve që vazhdon edhe pas ndarjes. Kjo këngë është sjellë me videoklip, e ndarë në dy pjesë , ku duket sikur po sheh një film me metrazh të shkurtër. Pra kohët e fundit një rëndësi shumë të madhe dhe vëmendje po marrin videoklipet e këngëve, të cilat sa vijnë dhe kurohen gjithmonë e më shumë.
Baladat janë ato që zënë më pak vend në këtë sezon veror, të cilat planifikohen nga artistët për t’u bërë publike gjatë sezonit të vjeshtës apo dimrit, ku kryesisht planifikojnë që t’i bëjnë pjesë të konkurseve në festivale të ndryshme,si festivali i Rtsh-së apo në Kënga Magjike. E ndërsa publiku shijon pushimet e verës bashkë me hitet e saj, artistët në këtë stinë e kanë fluksin më të madh të punës së tyre, për të sjellë sa më shumë këngë e hite të reja, por duke kënduar edhe nëpër koncerte e lokale të ndryshme nëpër Shqipëri e kudo ku ka shqiptarë.Mesa duket vera këtë vit do të jetë e gjatë, dhe ne na duhet të presin ende të shohim të tjera këngë të reja e plot ritëm nga këta artistë të suksesshëm shqiptarë.
Sava Lena