Marrëveshja e grurit, presidenti turk: Zgjidhja varet nga Perëndimi
2023-08-10 18:30:15

CFP

CFP

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mendon se ringjallja e marrëveshjes me Rusinë për lejimin e eksportimit të drithërave ukrainase varet nga Perëndimi. Ai u bëri thirrje vendeve të Perëndimit që t’i mbajnë premtimet e tyre, shkruan “Panorama”.

“Mendoj se zgjidhja mund të gjendet”,- tha Erdogan, duke iu referuar një bisede të mëparshme telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili nuk pranoi ta vazhdonte marrëveshjen.

Erdogani luajti rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjes tashmë të prishur për eksportimin e sigurt të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi dhe e ka pozicionuar veten si ndërmjetësues në konflikt.

Gjatë bisedës me Putinin më 2 gusht, Erdogani e kishte theksuar rëndësinë e marrëveshjes së drithërave, të cilën e quajti “ura për paqe”.

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara, i mundësonte Ukrainës të eksportonte drithëra përmes porteve të saj në Detin e Zi, por përfundoi muajin e kaluar kur Rusia u tërhoq prej saj.

Sulmet brenda dhe përreth Detit të Zi janë shtuar qëkur Rusia doli nga marrëveshja. (Elona)