Zhvillimi dhe problemet e industrisë së mobiljeve në Shqipëri
2023-08-10 11:56:08

Prodhime mobilerie (Foto Busisness Magazine Albania)

Prodhime mobilerie (Foto Busisness Magazine Albania)

Shqipëria ka bërë hapa para sa i takon tregut të prodhimit të mobiljeve, por sërish ka ende shumë punë për të bërë për të qenë konkurruese. Në një intervistë për mediat një nga përpunuesit më të mëdhenj të drurit në vend  sipërmarësi Sulejman Ulliri thotë se tregu po përparon, por ka shumë probleme të pazgjidhura për këtë sektor dhe kjo ul konkurrencën.

 

“Shqipëria sot është prodhuese e mirë e mobiljeve, në krahasim me para viteve 90-të, por jemi goxha pas në krahasim me fqinjët tanë, me vendet e tjera ballkanike, me përjashtim të Kosovës dhe Malit të Zi. Ekonomia shqiptare është e brishtë dhe ka problem pa fund dhe si rezultat i kësaj tregu ynë është më i dobët. Ne sot synojmë kryesisht eksportib dhe një nga arsyet që pretendojmë të na shërbejë ky financim simbolik  është për përgatitjen e një farë kualifikimi për katalogun, që firmat të kenë më shumë mundësi të eksportojnë”, u shpreh sipërmarësi

 

Lëndë drusore(Foto Telegrafi)

Lëndë drusore(Foto Telegrafi)

Lënda e parë importohet e gjitha dhe kjo rrit më shumë kostot për prodhuesit shqiptarë të mobiljeve.

 

“Ne po i përshtatemi kërkesave të klientit pasi ata kërkojnë vazhdimisht gjërat e fundit dhe i drejtohemi tregjeve të huaja. Shqipëria nuk prodhon lëndë të parë për mobilerinë. Ne jemi të detyruar të blejmë tekstile, me përjashtim të sfungjerit që prodhohet në Shqipëri, por dhe importohet nga jashtë. Ndërkohë tekstili për prodhimin e tapicerisë importohet, si dhe një pjesë e mirë e lëndës së parë të drurit për prodhimin e mobiljeve. Lënda  e pare për  dyer, karrige tavolinë  importohet 100%, si dhe materiali që prodhohet lënda e parë mdf melamin dhe madje kompensata nuk prodhohet në vend. Shqipëria ka pasur para viteve 90-të fabrika simbolike që sot nuk funksionojnë si rezultat edhe i mungesës së lëndës së parë dhe teknologjisë primitive. Gjithçka e blejmë nga jashtë.”- tha  sipërmarësi Ulliri.

 

Importet në fushën e mobilerisë bëhen kryesisht nga vendet fqinje.

 

“Shqipëria ka vite qe e ka shpërdoruar lëndën e parë, sepse ka qenë një vend që ka pasur një sasi lënde drusore që shërben për prodhimin e mobiljeve prej druri. Pas viteve 90-të jemi një nga vendet ballkanike ku kjo pasuri kombëtare është trajtuar më keq dhe sot lëndën drusore e importojmë nga vendet fqinje  si Bosnje Hercegovina, Mali i Zi, Serbia etj.  Kemi nje sasi produktesh lëndësh drusore në Shqipëri, kryesisht në juglindje të vendit, si në Librazhd, por shumica e lëndës së parë importohet nga Turqia, Italia dhe vende të tjera europiane ”, tha ai.

 

 

Industria e drurit (Foto gazeta Infokus)

Industria e drurit (Foto gazeta Infokus)

Kosto shtesë është edhe energjia elektrike

 

“Sektori i mobilerisë është shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Ka firma të mëdha, të mesme apo të vogla, deri te prodhuesit që punojnë në të gjithë vendin. Në vitet 2021-2022 ka patur një rënie të prodhimit, si rezultat i rritjes së çmimeve të lëndëve të para, rritjes së çmimit të energjisë elektrike, çmimit të karburantit, si dhe për shkak të pandemisë Covid 19. Për shkak të largimit të fuqisë punëtore  ka një rënie të numrit të firmave, por synojmë që këto firma të shtohen si dhe kapacitetet e tyre prodhuese”, theksoi sipërmarësi.

 

Në treg gjen mobilje importi dhe të prodhuara e përpunuara në vend.

 

“Shqipëria ka një treg të mobilerisë. Në rritje është tregu dhe kërkesa për prodhimin e mobiljeve dhe një pjesë e mirë e tregut furnizohet nga prodhues shqiptarë, por si kudo ka dhe importe nga vendet perëndimore, si Italia, por dhe nga Turqia, Kina dhe Indonezia. Shqipëria importon, por edhe prodhon si dhe eksportojmë”

 

Sipërmarrësi Ulliri vlerëson projektin me qeverinë sllovene që pritet të japë kontribut në sektorin e përpunimit të drurit në vend.

 

Sipërrmarrësi Sulejman Ulliri (Foto Klan tv)

Sipërrmarrësi Sulejman Ulliri (Foto Klan tv)

“Projekti me qeverinë sllovene është i pari projekt si klaster i industrisë së drurit si rezultat i një aplikimi që kemi bërë. Do të ketë një lloj asistence teknike, si dhe një studim për vështirësitë dhe problemet që kemi, si dhe do të jetë pozitive për ne bërja e një katalogu. Nga kontaktet që do të krijojmë priten shkëmbime me firmat sllovene. Sllovenia është një vend ballkanik i zhvilluar që aktualisht ka një xhiro vjetore 1.9 miliarde euro në  prodhim mobiljesh. Ne jemi shumë të interesuar të bashkëpunojmë me ta dhe të marrim përvojën e tyre pozitive, që të jemi eksportues”, tha sipërmarësi.  

 

Një nga degët me prioritet që ka shpallur qeveria shqiptare këtë vit është edhe Inxhinieria Pyjore që pritet të japë kontribut në fuqinë punëtore në të ardhmen.