Kriza e bankave amerikane
2023-08-10 19:31:20

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Të hënën, “Moody’s”, një nga tre agjencitë kryesore ndërkombëtare të vlerësimit, uli vlerësimin e besimit për 10 banka të mesme e të vogla amerikane, i vuri gjashtë banka të mëdha, duke përfshirë U.S. Bancorp,  Bankën e Nju-Jorkut Korporata "Mellon" etj., në listën e vëzhgimit dhe bëri vlerësim negativ për perspektivën e 11 bankave të tjera. Pasi u publikua lajmi, vlera e aksioneve të këtyre bankave ra menjëherë, duke ndikuar negativisht te bankat e tjera.

Në raportin e “Moody’s” vihet në dukje se sektori bankar amerikan po përballon shumë presione, duke përfshirë presionin e financimit dhe mungesën e mbikëqyrjes, ndër të cilat “vështirësia e financimit” është kriza e shumicës së bankave amerikane.

Që nga 6-mujori i parë i këtij viti, sektori bankar amerikan hyri në krizë për shkak të paaftësisë paguese, të falimentimit etj. Që nga viti 2022, për të përballuar inflacionin, Rezeva Federale vazhdon ta rritë normën e interesit dhe, si pasojë, është zhvlerësuar pasuria e bankave, si bonot e thesarit amerikan të mbajtura prej tyre. Për shembull, bonot e thesarit amerikan dhe kreditë hipotekore të mbajtura nga Banka “Silicon Valley” zinin mbi gjysmën e pasurisë së përgjithshme të bankës. Pas rritjes radikale të normës së interesit nga Rezerva Federale, kjo bankë humbi shumë për sa i përket vlerës së pasurisë, njëkohësisht që duhej të plotësonte kërkesat e depozituesve për tërheqjen e parave, dhe kësisoj në fund falimentoi. Sipas të dhënave të Kompanisë Federale të Sigurimit të Depozitave të ShBA-së, deri në fund të vitit 2022, humbjet në bonot e thesarit të mbajtura nga bankat amerikane arritën në 620 miliardë dollarë.

Dobësia e bankave amerikane vjen nga politika radikale afatgjatë financiare e monetare. Pas shpërthimit të epidemisë së COVID-19, ShBA-ja ka zbatuar politikën e lehtësimit sasior pa kufizim, duke ruajtur një normë tepër të ulët interesi e duke shpallur një plan stimulues në përmasa të mëdha.  Si pasojë, inflacioni u ngrit së tepërmi. Kjo gjendje e detyroi Rezervën Federale të rritë normën e interesit. Siç thuhet në raportin e “Moody’s”, bankave amerikane u mungon gjerësisht gatishmëria përpara rritjes së normës së interesit. Edhe Qendra Studimore për Politikën Ekonomike Evropiane vuri në dukje se kriza e bankave amerikane nuk është shembulli i vetëm, por është “sistematik”. (Fani)