Foto nga CFP
Gjatë intervistës për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) në prag të Samitit të BRICS-it 2023, kryetari i Shoqatës së Rrugës së Re të Mëndafshit të Italisë Francesco Maringio u shpreh se, vitet e fundit, ekonomitë e reja, veçanërisht vendet e BRICS-it, kanë njohur një zhvillim të shpejtë ekonomik dhe janë bërë motori i rëndësishëm i zhvillimit të ekonomisë botërore, ndërkohë që pesha e G7-s po bie. Në këtë gjendje, vendet evropiane duhet të bashkëpunojnë aktivisht me ekonomitë e reja.
Francesco Maringio tha se, që prej krijimit, përqindja e vëllimit të përgjithshëm ekonomik të vendeve të BRICS-it në ekonominë botërore është ngritur pandërprerë. Sipas llogaritjes së PBB-së mbi bazën e paritetit të fuqisë blerëse, në vitin 1992 kontributi i vendeve të G7-s në rritjen e ekonomisë botërore ishte 45.8 % dhe i vendeve të BRICS-it vetëm 16.45 %. Kurse pas 30 vjetëve, kontributi i vendeve të BRICS-it u ngrit në 31.67 % dhe ai i G7-s ra në 30.31 %. Maringio citoi raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit në vitin 2023, pjesa e pesë vendeve të BRICS-it në ekonominë botërore do të arrijë në 56 trilionë dollarë, duke kaluar 52 trilionë dollarët e G7-së, kurse deri në vitin 2028 do të zërë 1/3. "Kjo tregon se zhvillimi i ekonomive të reja është shumë më i shpejtë se i vendeve të zhvilluara kapitaliste," tha eksperti italian.
Ai shtoi se, me shtimin e fuqisë ekonomike, edhe ndikimi politik i vendeve të BRICS-it është ngritur shumë. Pas shpërthimit të konfliktit Rusi-Ukrainë, ShBA-ja e BE-ja ushtruan sanksione të njëanshme mbi Rusinë. Vendet në zhvillim humbën besimin ndaj vendeve perëndimore dhe panë rreziqet e rendit njëpolar, prandaj më shumë vende shprehën dëshirën për anëtarësim në BRICS. "Ngritja e ndikimit politik të vendeve të BRICS-it do të sjellë diversitetin dhe barazinë e rendit botëror," theksoi Francesco Maringio.(Fani)