Grupet teknologjike të ShBA-së mbështesin "TikTok"-un në padinë kundër ndalimit prej shtetit të Montanës
2023-08-10 14:58:22

CFP

CFP

Dy grupe teknologjike në Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetjen e tyre për "TikTok"-un dhe krijuesit e tij në betejën ligjore kundër ndalimit nga shteti i Montanës të kësaj platforme popullore të medias sociale.

"NetChoice", një shoqatë tregtare kombëtare që përfshin platforma të mëdha teknologjike, dhe  "Chamber of Progress", një koalicion teknologjik-industrial, paraqitën një të ashtuquajtur "dokument të mikut të gjykatës" në mbështetje të "TikTok"-ut të hënën vonë, bëri të ditur "NetChoice" të martën.

"Përpjekja e Montanës për të ndaluar 'TikTok'-un është, ironikisht, i njëjti lloj i sjelljes autoritare që ky shtet synon të kundërshtojë," tha Nicole Saad Bembridge, drejtore e asociuar për çështjet gjyqësore e "NetChoice".

"Qasja e amerikanëve ndaj informacionit në internet nuk mund të varet nga parapëlqimet individuale të politikanëve vendorë. Gjykata duhet të mos lejojë ndalimin e 'TikTok'-ut për të siguruar që interneti të mbetet i hapur dhe i lirë," tha Bembridge.

Më 17 maj, guvernatori i Montanës Greg Gianforte vendosi një ndalim të plotë të aplikacionit lidhur me shqetësimet e supozuara të "sigurisë kombëtare", duke e bërë Montanën shtetin e parë në të gjithë vendin që ndaloi "TikTok"-un dhe duke mos lejuar dyqanet e aplikacioneve në celular të ofrojnë "TikTok"-un brenda shtetit. Ndalimi pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Po atë ditë, pesë krijues të përmbajtjeve të "TikTok"-ut paraqitën një padi kundër prokurorit të përgjithshëm të shtetit lidhur me ndalimin, duke argumentuar se kjo do të pengonte banorët e Montanës të përdornin këtë aplikacion popullor, duke shkelur të drejtat e tyre sipas Amendamentit të Parë.

"TikTok" me qendër në Los Anxhelos paraqiti gjithashtu një padi në 22 maj kundër ndalimit, duke thënë se ai shkel shumë të drejta kushtetuese, duke përfshirë të drejtën e lirisë së shprehjes të Amendamentit të Parë, shkel autoritetin ekskluziv të qeverisë federale për të administruar punët e jashtme dhe dëmton banorët vendorë.

Dëmi i këtij lloj ndalimi për një platformë të veçantë është i madh, pasi do të pengonte rrjedhën e informacionit për përdoruesit e internetit dhe nga përdoruesit e internetit brenda shtetit, thanë të dy grupet në dokumentin e përbashkët të dërguar në Gjykatën e Distrikteve të ShBA-së për Distriktin e Montanës.

"Përpjekja e Montanës për t'i shkëputur montanasit nga rrjeti global i përdoruesve të 'TikTok'-ut shpërfill dhe dëmton strukturën, dizajnin dhe qëllimin e internetit," thuhet në dokumentin prej 24 faqesh.

"Në qoftë se lejohet të hyjë në fuqi, ndalimi do të çojë në një internet të copëzuar, ku informacioni për përdoruesit bëhet i ndarë rajonalisht bazuar në dëshirën apo parapëlqimet e politikanëve vendorë. Kjo do të dëmtonte natyrën thelbësore dhe përfitimet e rrjetit botëror të internetit," thekson dokumenti. 

Ndalimi do të dëmtojë bizneset vendore që mbështeten te "TikTok" për promovim dhe shitje, do të pengojë risitë e pjesëmarrjen politike dhe do t'i shkëputë montanasit nga komuniteti botëror, thuhet në të.

"Pjesë e sigurisë së shtetasve është liria e tyre për të ndërvepruar me të tjerët në mënyrat që duan. Duke ndaluar 'TikTok'-un apo ndonjë platformë tjetër të medias sociale, natyrisht që kjo liri hiqet, kështu që gjykata duhet të mos lejojë ndalimin e shtetit (të Montanës) dhe të rivendosë liritë kushtetuese dhe ekuilibrin që ndalimi do të prishte," përfundon dokumenti.

Në vitin 2020, presidenti i atëhershëm i ShBA-së Donald Trump kërkoi ta ndalonte aplikacionin, por një sërë vendimesh gjyqësore bllokuan hyrjen në fuqi të ndalimit.

"TikTok", i përdorur nga mbi 150 milionë amerikanë, është përballur me kontrollin në rritje në Shtetet e Bashkuara. Disa politikanë e kanë akuzuar kompaninë për ndarjen e të dhënave të përdoruesve në ShBA me Kinën, por pa arritur të paraqesin ndonjë provë. "TikTok"-u i ka mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat.