Mjekët vullnetarë ofrojnë vizita falas për zonat e thella rurale
2023-08-10 11:55:04

Programi “China Hearts”, një shërbim i mirëqenies publike, dërgon shpesh ekipe mjekësh në zonat e thella rurale, për t’u shërbyer banorëve të zonës dhe për të trajtuar problematikat e tyre mjekësore. Për programin e këtij viti, gjithsej 453 ekspertë mjekësorë dhe më shumë se 100 vullnetarë mbërritën në Chamdo për t'u ofruar banorëve vendas mbështetje mjekësore falas.

Mjekët vullnetarë ofrojnë vizita falas për zonat e thella rurale

Nëpëmjet programit të mirëqenies publike, mjekët vullnetarë vizitojnë zonat rurale të papajisura nga pikëpamja mjekësore, për t'u ofruar njerëzve jo vetëm konsultim dhe trajtim falas, por gjithashtu edhe trajnime dhe njohuri.

China Daily

Një pamje ajrore e fshatit Dongba, qarku Zogang, Chamdo, rajoni autonom i Tibetit./China Daily

Në qytetin Chagyoi, thellë në malet e qarkut Zogang, në Chamdo, rajoni autonom i Tibetit, në orën 09:00, kur ekspertët mjekësorë nga Pekini mbërritën në qendrën shëndetësore të qytetit, oborri i saj u mbush plot me banorë të zonës, të cilët u rreshtuan para tavolinave duke pritur radhën.

Një prej tyre, Yeshe Nyima, jeton në një fshat mbi 30 kilometra larg qytetit. Ai u ngrit në orën 06:00 për të sjellë nënën e tij 59-vjeçare për t’u kontrolluar nga mjekët për dhembjen e saj kronike në këmbë. “Pashë në lajme se mjekët nga Pekini po vinin për të parë pacientët. Por u njoftuam edhe nga komiteti i fshatit. Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për një ngjarje të tillë, jo më të isha pjesë e saj. Zakonisht, kur duhet të kërkojmë një trajtim të tillë, duhet të shkojmë në spitalin e qarkut. Por këtë herë, ekspertët erdhën enkas për ne. Diagnoza dhe mjekimi ishin falas. Jam shumë mirënjohës për këtë”,- tha ai.

Mjekët u ftuan nga programi “China Hearts”, një shërbim i mirëqenies publike, i nisur në vitin 2008, i cili dërgon mjekë nga spitalet në qytetet e mëdha, kryesisht Pekini, në rajone të largëta të Kinës.

China Daily

Njerëzit rreshtohen për të marrë pjesë në konsultën mjekësore në qendrën shëndetësore të qytetit Chagyoi./China Daily

Për programin e këtij viti, gjithsej 453 ekspertë mjekësorë dhe më shumë se 100 vullnetarë mbërritën në Chamdo  për t'u ofruar banorëve vendas mbështetje mjekësore falas, duke përfshirë konsultime, kontrolle shëndetësore dhe trajtime.

Nga 7 deri më 14 korrik, mjekët dhe vullnetarët u ndanë në ekipe të shumta në 11 rrethe dhe qarqe të qytetit. Midis tyre, një ekip prej rreth 30 personash bëri një udhëtim gjashtë orësh me autobus përgjatë rrugëve malore për në qarkun Zogang, një zonë që ndodhet kryesisht në një lartësi prej rreth 4000 metrash.

Sipas Tashi Drolma, nënkryetare e qarkut Zogang, qarku ka gjithsej 144 objekte shëndetësore, por ka vetëm një spital në nivel qarku dhe pjesa tjetër janë klinika fshati.

China Daily

Një mjek i jep ilaçe falas një gruaje gjatë një vizite në shtëpinë e saj./China Daily

“Qarku Zogang mbulon një zonë të madhe me një popullsi të shpërndarë. Infrastruktura mjekësore në rajonin e largët rural është relativisht e dobët në krahasim me qarqet apo rajonet e tjera”,- thotë ajo.

Ndër sëmundjet kronike me të cilat përballen banorët e Zogangut, kryesisht një komunitet bujqësor dhe blegtoral, është sëmundja kronike e maleve. Kjo përkeqësohet nga mungesa e madhe e profesionistëve dhe organizatave të aftë për t'i trajnuar ata. Qendra shëndetësore e Chagyoi është një nga 10 qendrat shëndetësore të qarkut në nivel bashkie, por si e vetmja në zonë, pacientët e saj vijnë nga komuniteti lokal dhe nga tre qytete fqinje.

Chosphel Tashi, sekretar i partisë në Chagyoi, tha se në gjysmën e parë të ditës, më shumë se 300 persona mbërritën në qendër për të ndjekur konsultat mjekësore falas. Qyteti dhe 33 fshatrat e tij kanë një popullsi prej më shumë se 7000 banorësh, shumica e të cilëve janë anëtarë të grupit etnik tibetian. Njerëzit vendas kanë tendencë të vuajnë nga sëmundje koronare të zemrës dhe çrregullime muskulore, skeletore, probleme të zakonshme shëndetësore që gjenden në rajonet me lartësi të madhe.

“Ata kanë pritur me padurim ardhjen e ekipit mjekësor të “China Hearts”. Më parë, kur hasnin probleme të ndërlikuara shëndetësore, u duhej të bënin udhëtime të gjata në qytete ose provinca të afërta, ku mund të përballeshin me shumë vështirësi, duke përfshirë pagesën, trafikun dhe gjuhën”,- shpjegon ai.

“Shpresoj se mund të kemi më shumë ngjarje si kjo në të ardhmen. Është një projekt shumë kuptimplotë, pasi jo vetëm që lehtëson komunikimin dhe integrimin midis grupeve të ndryshme etnike, por gjithashtu u lejon banorëve vendas të përfitojnë nga burimet mjekësore të nivelit të lartë dhe të gëzojnë më shumë mbështetje e përshtatshme mjekësore”,- tha ai.

China Daily

Një mjek ekzaminon këmbët e një pacienti/China Daily

Kjo është hera e katërt që Li Yan, mjeke e sëmundjeve të brendshme në Spitalin Renhe të Pekinit, merr pjesë në program. “Ishte rastësi kur u ftova për herë të parë në program, por pasi mora pjesë në udhëtimin e parë, fillova t'u bashkohem sa herë që mundem. Dua vërtet të ndjek ekipin në rajonet e thella rurale dhe të njoh zonat dhe njerëzit e tyre”, thotë Li.

Krahasuar me rajonet ku ka shkuar gjatë udhëtimeve të mëparshme, ajo thotë se kushtet e jetesës dhe shërbimet mjekësore në qarkun Zogang janë të pamjaftueshme. Përveç vizitës së pacientëve, përshkrimit të ilaçeve dhe udhëzimit të tyre për gjërat e ndryshme që duhet t'u kushtojnë vëmendje, mjekët kanë gjithashtu përgjegjësinë për të ofruar seanca trajnimi për stafin mjekësor lokal dhe për t'u dhënë leksione shëndetësore banorëve vendas.

“Edhe nëse ne ofrojmë vetëm shërbime të pakta, qoftë trajtim bazë mjekësor apo dërgim i barnave, udhëtimet janë domethënëse. Gjithashtu shpresojmë vërtet që ky mos të jetë një udhëtim i vetëm. Tani, me internetin, ne mund të krijojmë lidhje me punonjësit mjekësorë vendas dhe të ofrojmë mbështetje mjekësore kur të kthehemi në Pekin. Por gjithashtu shpresoj që një ditë, të mund të kthehem sërish si vullnetare”,- tha Li.

Tashi Drolma shpreson se nëpërmjet këtij programi të mirëqenies publike mund të krijohet një skemë e qëndrueshme bashkëpunimi midis mjekëve nga spitalet e Pekinit dhe Zogang.

Për shembull, mjekët do të ndihmojnë qarkun të trajnojë mjekët e tyre, qoftë edhe online, në mënyrë që t'i ndihmojë ata të fitojnë aftësi klinike dhe të përmirësojnë shërbimet e tyre mjekësore.

Ndërkohë, Yu Huiyong, kreu i ekipit mjekësor të Zogang dhe mjek kryesor në Spitalin e Tretë të lidhur me Mjekësinë Kineze të Universitetit të Pekinit, propozoi që mjekësia tradicionale kineze mund të ofronte një zgjidhje efektive për përmirësimin e shërbimeve mjekësore në zonat rurale.

“Për këto zona të largëta, ku mungojnë pajisjet mjekësore, mjekësia tradicionale kineze mund të luajë me pikat e saj të forta, sepse ne mund t'i përshtatim ilaçet sipas simptomave të pacientëve”,- thotë Yu.

China Daily

Një mjek ekzaminon këmbët e një pacienti/China Daily

Sipas fondacionit, gjatë 15 viteve të fundit, më shumë se 20.000 ekspertë mjekësorë nga Pekini janë dërguar në 13 udhëtime në Pllajën Qinghai-Tibet, duke ofruar mbështetje mjekësore për mbi 500.000 banorë vendas. Rreth 100.000 njerëz nga grupe të ndryshme etnike ndoqën 710 ligjëratat e programit për kujdesin shëndetësor, ndërsa më shumë se 50.000 punonjës mjekësorë morën pjesë në seancat e trajnimit profesional. Operacione falas u kryen te mbi 1500 fëmijë me sëmundje të lindura të zemrës.

Konsultimi i këtij viti u shërbeu më shumë se 52.000 personave, që përbënin afërsisht 7 për qind të popullsisë totale të Chamdo.

Po ashtu, u organizuan gjithsej 173 leksione dhe forume dhe u shpërndanë medikamente dhe furnizime mjekësore me vlerë 21 milionë juanë (2.92 milionë dollarë).