Pasi humbi parakrahun e majtë gjatë një aksidenti në vendin e punës disa vite më parë, Wu Zheng'an ra në depresion dhe vazhdimisht shqetësohej se nuk do të mund të punonte më.
“Nuk mund ta pranoja realitetin e ri”, kujton 37-vjeçari, i cili po punonte në një kantier ndërtimi në provincën Guangdong kur ndodhi aksidenti. “Madje e këshillova gruan time që të më divorconte, sepse nuk doja të isha barrë për të”,- kujton ai.
Për një kohë të gjatë, Wu duhej të mbijetonte me mbështetjen e dhënë nga familja e tij pasi nuk mund të gjente një punë të duhur. Por, në mars 2020, u shfaq dhe drita në fund të tunelit për të. Rastësisht pa një videoklip për një dorë të zgjuar bionike të quajtur “Ohand”, në platformën e mediave sociale “Douyin”. Wu nuk ngurroi ta provonte produktin dhe tani ai thotë se ishte një vendim që i ndryshoi jetën.
foto/China Daily
Ndryshe nga gjymtyrët artificialë tradicionalë, “Ohand” ka sensorë sinjali që gjurmojnë ndryshimet në morfologjinë e lëkurës dhe sinjalet e synimit që lidhen me lëvizjet e gishtave të transmetuara përmes muskujve.
Sinjalet pastaj dërgohen përmes lëkurës te gishtat bionikë. Krijuar nga “OYMotion Technologies”, me bazë në Shangai, “Ohand” peshon vetëm 495 gramë dhe i lejon përdoruesit të kryejnë dhjetëra veprime, si kapja dhe mbajtja e shkopinjve.
Megjithëse dora bionike ka një çmim prej 118.000 juanë (16.414 dollarë), kompania ia ofroi pajisjen me një çmim të volitshëm prej 38.000 juanë Federatës së Personave me Aftësi të Kufizuara të Shangait dhe banorët vendas paguajnë vetëm 3800 juanë, me pjesën tjetër të mbuluar nga federata. Pajisja u rendit vitin e kaluar në katalogun e subvencioneve për ndihmat konvencionale për personat me aftësi të kufizuara.
Autoritetet në provincën Hunan dhe rajonin autonom Guangxi Zhuang po zhvillojnë një politikë, sipas së cilës përdoruesit paguajnë 10 për qind të kostos, me qeverinë lokale që subvencionon pjesën tjetër. Megjithëse Wu është një vendas në Guangxi, atij iu dha një zbritje prej 30.000 juanë nga “OYMotion Technologies” në mënyrë që të mund të mbulonte pjesën tjetër të kostos duke përdorur pagesën e sigurimit për aksidentin.
Wu mori gati dy orë trajnim, pasi dora bionike iu vendos me sukses, dhe u bë i aftë në përdorimin e pajisjes brenda një jave. Sot, ai është në gjendje të kryejë veprime themelore si të shtypë, të marrë sende duke përdorur dorën e tij të re dhe madje të ngasë biçikletën.
Gjashtë muaj pasi vendosi dorën bionike, Wu gjeti një punë për dërgimin e ushqimit në Zhanjiang, Guangdong. Pak më vonë, ai gjeti një punë si specialist testimi në “OYMotion Technologies”.
“Më në fund kam gjetur njëfarë stabiliteti në jetë pasi tani kam të ardhura mujore. Kjo ka përmirësuar shumë kushtet e jetesës së familjes sime. Shumë njerëz nuk dinë për këtë teknologji, kështu që një pjesë e arsyes që po e bëj është t'ua rekomandoj këtë dorë më shumë njerëzve në nevojë”,- thotë Wu.
foto/China Daily
“Një herë takova një përdorues në provincën Fujian. Gruaja e tij tha se ai nuk kishte folur për gati një muaj para se ta takoja. Ai shqetësohej për gjetjen e një pune, nëse gruaja e tij do ta linte atë dhe si do t'i rriste fëmijët. I prezantuam dorën bionike dhe e ndihmuam të përshtatej, ai u bë optimist dhe gjeti një punë”,- tregon Wu.
Një person tjetër që ka përfituar nga “Ohand” është Pang Qilong, nga Fuyang, në provincën Anhui, me deformim të lindur të dorës.
Për pjesën më të madhe të jetës së tij, Pang ndjeu sikur trupi i tij nuk ishte i plotë, por kjo ndryshoi kur mësoi për dorën bionike pasi erdhi në Shangai për të ndjekur kolegj disa vite më parë.
“Ajo që më ka dhënë kjo dorë bionike nuk është vetëm një gjymtyrë tjetër. Më ka lejuar të përmbush ëndrrën time të fëmijërisë dhe më ka dhënë besim në jetë. Janë këto gjëra të paprekshme që kanë më shumë rëndësi”,- thotë Pang, i cili aktualisht bën kërkime tregu për sektorin e investimeve në një zyrë në Lujiazui në Zonën e Re Pudong, qendra financiare e Shangait.
Dhënia e mundësisë për të ndryshuar jetën, siç ndodhi me Wu dhe Pang, ishte një nga arsyet kryesore pse Ni Hualiang, themeluesi i “OYMotion Technologies”, startoi kompaninë e tij.
“Përveç aftësisë për të zgjidhur çështjet e përditshme, një tjetër qëllim i dorës bionike është të plotësojë nevojat psikologjike të klientëve dhe t'i bëjë ata më të sigurt”,- thotë Ni.
Por, sipas tij, qëllimi më i madh është të ndihmohen më shumë njerëz me sfida fizike të gjejnë punësimin e duhur.
Ai vëren se pavarësisht politikave preferenciale të zbatuara nga qeveria qendrore dhe provinciale, është ende relativisht e vështirë për këta njerëz të gjejnë punë në shoqërinë e sotme shumë konkurruese. Statistikat zyrtare tregojnë se numri i përgjithshëm i personave me aftësi të kufizuara në Kinë ishte rreth 85.02 milionë. Midis tyre, 24.72 milionë kishin aftësi të kufizuara në gjymtyrë.
“Shpresoj që përmes teknologjisë së avancuar të jemi në gjendje të bëjmë më shumë në jetë dhe në punë”, thotë ai.
Duke parë përpara, një nga objektivat kryesore të kompanisë është të ulë koston e dorës bionike për të përfituar më shumë njerëz. Sot, duart bionike më të përdorura në botë janë “Bebionic” dhe “i-LIMB”, të shpikura përkatësisht nga “Steeper Group” dhe “Touch Bionics”. Të dyja kompanitë, të cilat u krijuan rreth vitit 2010, u blenë respektivisht nga “Ottobock” dhe “Ossur”.
Ni thekson se tregu aktualisht ende dominohet nga pajisje tepër të shtrenjta të prodhuara nga kompani të huaja.
foto/China Daily
Sipas tij, një pajisje “OHand” është vetëm 15 për qind e kostos së një pajisjeje “Bebionic” ose “i-LIMB”, dhe kjo është një mënyrë për të dalë nga konkurrenca. Ni thotë se aftësia për të krijuar duar bionike më të përballueshme qëndron në faktin se të gjithë komponentët, përveç çipit, janë zhvilluar në Kinë.
“OYMotion Technologies”, e cila mund të prodhojë në masë duart bionike, ka shitur rreth 400 njësi “OHand”.
“Ne po punojmë ngushtë me partnerë në tregjet e huaja, si Egjipti, Arabia Saudite, Turqia dhe India, ku shumë njerëz me sfida fizike nuk mund të përballojnë markat e mëdha të duarve bionike”,- deklaroi Ni. Ai theksoi se kompania do të vazhdojë të përmirësojë duart inteligjente bionike dhe t'u sigurojë përdoruesve produkte më kompakte dhe fleksibël. Në të njëjtën kohë, kompania është e përkushtuar për zhvillimin e ekoskeletit muskular elektrik të trurit.
Këtë vit, janë lançuar produkte për instrumentet e trajnimit për ekzoskeletin inteligjent të gjymtyrëve të sipërme.