Autoritetet në Kinën Veriore e Verilindore kanë shtuar përpjekjet për të përballuar pasojat e përmbytjeve dhe për rindërtimin e zonave të prekura, duke përshpejtuar procesin e evakuimit dhe sistemimit të banorëve vendorë.
Puna e reparimit në Fangshan, Pekin(Foto:VCG)
Për momentin, ujërat e përmbytjeve në provincën Hebei të Kinës Veriore po tërhiqen dhe zonat e prekura po nxisin punët e rregullimit dhe rimëkëmbjes.
Në fshatin Xiazhuang të qytetit Baoding, më shumë se 800 banorë janë kthyer në shtëpitë e tyre pas riparimit të objekteve të transportit, energjisë dhe telekomunikacionit.
"Qeveria përdori automjete për të pastruar baltën. Na ofruan ujë dhe makarona të çastit, rivendosën sinjalet e telekomunikacionit dhe kryen dezinfektimin e gjithanshëm.Ka bërë shumë gjëra për ne," tha Jin Xiantang, një banor vendor.
Në të njëjtën kohë, autoritetet e provincës Hebei po vazhdojnë të marrin masa për të lehtësuar pasojat e sjella nga fatkeqësitë, duke sistemuar banorët e zhvendosur. Më shumë se 960 ekipe mjekësore të lëvizshme po ofrojnë shërbime mjekësore në zonat e prekura nga përmbytjet.
Pekini gjithashtu po përshpejton punën e rindërtimit. Kryeqyteti kinez ka ndërmarrë gjashtë aksione, që fokusohen në pastrimin e lagjeve, përmirësimin e mjedisit dhe garantimin e ujit të pijshëm të sigurt me përparësi në tre distriktet periferike: Fangshan, Mentougou dhe Changping, që u goditën më rëndë.
Në Fangshan, puna e vlerësimit të gjendjes së banesave është kryer në mënyrë të rregullt. Deri tani, për mbi 5 000 familje ka përfunduar vlerësimi.
Puna e shpëtimit në provincën Heilongjiang( Foto:VCG)
Në distriktin Mentougou, forcat e shpëtimit mbërritën të martën në zonat e goditura nga përmbytjet për të kryer gërmimin e kanaleve dhe punë të tjera ndihme me anën e makinerive të rënda.
Gjithsej 33 veta humbën jetën dhe 18 të tjerë mbeten të zhdukur nga shirat e rëna ditët e fundit në Pekin, bënë të ditur të mërkurën autoritetet e kryeqytetit.
Në qytetin Tianjin në juglindje të Pekinit, niveli i ujit në kanalet kryesore për shkarkimin e ujërave, si lumi Daqing, vazhdon të qëndrojë i lartë. Që nga e hëna, rreth 7 000 anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe Forcës së Policisë së Armatosur në këtë qytet janë dërguar të marrin pjesë në punët kundër pasojave të përmbytjeve.
Të martën, në qytetin Mudanjiang në provincën Heilongjiang të Kinës Verilindore, shembja e disa digave bllokoi 71 banorë. Punonjës të Forcës së Policisë së Armatosur mbërritën në vendngjarje dhe pas përpjekjesh për më shumë se tre orë, i shpëtuan të bllokuarit.
Ndërkohë, që nga ora 8 e mëngjesit të së martës, ujërat në nëntë lumenj në provincën Heilongjiang i tejkaluan nivelet e alarmit. Sektorët përkatës po forcojnë monitorimin, parashikimin dhe paralajmërimin dhe kanë evakuuar të 672 banorët e fshatrave përgjatë lumit që ishin në rrezik. Të gjitha portat përgjatë lumit në zonat urbane janë të mbyllura dhe lundrimi është ndaluar.
Banorë të prekur nga përmbytjet marrin ushqim nga pika e strehimit, provincë Hebei(Foto:VCG)
Në krahina të tjera të Kinës Verilindore, kulmi i përmbytjeve të shkaktuara prej lumit Lalin përshkoi të martën qytetin Fuyu të provincës Jilin. Si pasojë, një pjesë e autostradës Pekin-Harbin u përmbyt dhe u mbyll përkohësisht. Autoritetet vendore kanë garantuar furnizimin me ushqim, ujë e energji elektrike, si edhe strehimin, për njerëzit në nevojë.
Ditët e fundit, qyteti Shulan i provincës Jilin ka organizuar forca të ndryshme për të forcuar riparimin e infrastrukturës. Aktualisht, energjia elektrike u është rikthyer të gjithë banorëve të prekur nga përmbytjet. Deri në orën 11:00 të së martës, janë rregulluar gjithsej 282.2 kilometra rrugë të dëmtuara nga përmbytjet.
Përveç përpjekjeve të pushtetit vendor, ministritë dhe departamentet e qeverisë qendrore kanë marrë masa për të mbështetur punën e ndihmës.
Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe e Çështjeve Rurale dhanë urgjentisht rreth 101 milionë dollarë si fonde ndihme për prodhimin bujqësor dhe shtuan përpjekjet në parandalimin e përmbytjeve në tokat bujqësore, si dhe rimëkëmbjen e prodhimit bujqësor pas fatkeqësisë.
Sipas Administratës Kombëtare të Rregullimit Financiar, deri në mëngjesin e së martës, institutet e sigurimeve në 16 rajone të goditura nga fatkeqësitë, duke përfshirë Hebein, Pekinin dhe Heilongjiang-un, kanë marrë më shumë se 200 000 kërkesa për kompensim, me një humbje të vlerësuar prej 1 miliard dollarësh. Deri më tani, mbi 68 000 raste janë kompensuar.
Kulmi i ujërave kaloi qytetin Mudanjiang, provincë Heilongjiang, 5 gusht(Foto:VCG)
"Për rastet kur detyrimi dhe humbja janë të qarta, kompensimi do të procedohet shpejt. Aktualisht, sigurimet bujqësore mund të bëjnë kompensim të shpejtë pasi konfirmohet humbja. Ne do të bëjmë çmos për të ndihmuar fermerët e prekur të rifillojnë prodhimin dhe jetën normale sa më shpejt të jetë e mundur", tha Mao Qiang, menaxher i lartë i departamentit të shërbimit pranë Qendrës së Çështjeve Bujqësore të Kompanisë së Sigurimeve "Pacific" të Kinës.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit ka përshpejtuar rregullimin e objekteve të dëmtuara të telekomunikacionit në Pekin, Hebei, Heilongjiang dhe zona të tjera. Deri të martën, më shumë se 200 000 punonjës të riparimit emergjent janë dërguar dhe më shumë se 10 000 stacione bazë të telekomunikacionit të dëmtuara janë riparuar.
Ministria e Burimeve Ujore ka zgjidhur problemin e ujit të pijshëm për më shumë se 450 000 banorë në Hebei përmes masave si rregullimi i objekteve të furnizimit me ujë, hapja e burimeve të reja ujore dhe krijimi i pikave të furnizimit me ujë.(Zhang Yan/Artan)