Autoportrete të piktorëve shqiptarë, si “selfie” të kohëve moderne
2023-08-09 12:09:11

Mjeshtrat e pikturës shqiptare, ata që nuk jetojnë, por edhe të gjallët, si një mësim që vjen nga piktorët e Rilindjes, nuk i kanë shpëtuar tundimit për të pikturuar veten e tyre. Ata e kanë të nevojshme të krijojnë një monolog me veten, të cilin ne si publik e interpretojmë si dialog me ne. Fundja, përderisa ata pikturojnë natyrën, sendet, njerëzit dhe shënjtorët, përse të mos pikturojnë edhe veten e tyre.

Autoporteti është një formë e shprehjes më të drejtëpërdrejtë të artistit, përmes pikturimit. Një mundësi pa limite që i mundëson atyre të eksplorojnë brenda vetes dhe ne si publik, jo vetëm të interpretojmë mbi to por edhe të njohim portretet fizike të shumë prej tyre. Pikërisht siç bëjnë njerëzit sot, me anë të një “selfie”…. Përderisa sot të gjithë, me një telefon në dorë e kanë të drejtën të bëjnë selfie pa fund e t’i shfaqin gjithandej, përse të mos njihemi me “selfie-t”më të mira të piktorëve shqiptarë, ashtu si e kanë parë veten e tyre?

Autoportret - Kole Idromeno - Foto  Galeria Kombetare e Arteve

Autoportret - Kole Idromeno - Foto  Galeria Kombetare e Arteve

Kolë Idromeno: Është i njohur kontributi i Kolë Idromenos në pikturën, arkitekturën dhe fotografinë shqiptare. Si piktor, Idromeno preferonte të trajtonte tema qytetare, por ai pikturoi dhe portretet e intelektualëve dhe figurave kombëtare, pa lënë pas dore veten e tij. Është i njohur autoportreti i artistit, realizuar në vitin 1931 dhe që ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Autoportret i Sadik Kaceli - foto FB Sadik Kaceli

Autoportret i Sadik Kaceli - foto FB Sadik Kaceli

Sadik Kaceli: një nga piktorët e parë shqiptarë, me cilësi dhe ndikim të jashtëzakonshëm, ndër vite ka realizuar disa autoportrete. E ka pikturuar veten në moshë të re, por edhe me veshjen e një malësori të Dibrës, apo shami të kuqe në kokë. Pikërisht, ky autoportret me shami të kuqe të lidhur në kokë, që i përket fondit personal të familjes Kaceli, është ndër më të bukurit e piktorit. Aty ndiejmë aromën e kohës kur ka pikturuar Kaceli, një romantizëm joshës dhe një shpirt të paepur artistik. Shamia e kuqe, që në këtë autoportret nuk përbën detaj, por element të rëndësishëm artistik, i jep dorë autorit të shprehë një ndjeshmëri të jashtëzakonshme ndaj ngjyrës dhe t’i qëndrojë besnik aroma të impresionizmit francez. Sadik Kaceli është një nga piktorët e vetëm shqiptar që studioi në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Paris.

Abdurrahim Buza: ndikimi dhe vlera e punës së tij njihen tashmë në kulturën shqiptare, por që ta njohim më mirë piktorin që më mirë se askush tjetër trajtoi temën historike, epike dhe kombëtare, po ju njohim me autoportretin e tij, një punë e vitit 1934, që sot ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Vepra është realizuar në të ritë e piktorit, kur ai ishte 29 vjeç dhe është realizuar me teknikën e vajit në kanavacë.

mio0Autoportret i Vangjush Mio- foto Albanian art.net

Autoportret i Vangjush Mio- foto Albanian art.net

Vangjush Mio: Piktori që njihet si mjeshtri i peizazheve të vetmin autoportret që i ka bërë vetes, është tablloja ku ai prezantohet me tavalloz dhe penela në duar. Mban të veshur një kostum ndërsa sfondi me nuancat e jeshiles, lulëzohet nga detaje degëzimesh ngjyrë okre. Autoportreti është realizuar në vitin 1939 dhe ruhet në Muzeun e Korcës.

Autoportret i Jakup Keraj- foto Galeria Kombetare e Arteve

Autoportret i Jakup Keraj- foto Galeria Kombetare e Arteve

Jakup Keraj: Është ndër piktorët që e ka lëvruar më shumë se asnjë tjetër gjininë e portretit, madje edhe në kohën kur për piktorët shqiptarë portreti konsiderohej si herezi dhe shumë koleg të tij e shmangnin. Përkundrazi, piktori Jakup Keraj  realizoi disa të tilla si atë të shokut të tij të ngushtë, piktorit të njohur Danish Jukniut, portretin e vëllait, etj, por autoportreti i tij është ndër më mbresëlënësit.

Autoportret I Sali Shijaku - foto FB Piktore shqiptare

Autoportret I Sali Shijaku - foto FB Piktore shqiptare

Sali Shijaku e ka portretizuar veten në disa autoporterete të ndryshme, realizuar në periudha të ndryshme. Në to ai vjen disi i habituar nga jeta, shoqëria, fenomenet dhe konfliktet. Në auotortretet e tij ai shfaqet si personazh i ndryshëm, herë si fshatar, si një plak me qeleshe, vjen edhe si fytyrë vajze,  por edhe me tipare folklorike. Megjithatë, autoporteti më interesant nga kritika vlerësohet ai ku  piktori pikturon veten me shallin e kuq dhe sfondin blu. Një autoportret, ku ai vizaton më së miri tiparet e tij, duke pikturuar atë që quhet karakter dhe duke luajtur me ngjyrat si në një lojë ngjyrash dhe kontrastesh.

Autoportret i Lumturi Blloshmit - Foto Ars Albanica

Autoportret i Lumturi Blloshmit - Foto Ars Albanica

Lumturi Blloshmi: është ndër piktoret më të vlerësuara shqiptare, me një talent të rrallë. Shpërthimet e saj artistike, e bëjnë të kalojnë veprat ekspresioniste tek ato monumentale, apo më vonë tek instalacionet, duke u shndërruar në piktoret më të mira të artit bashkëkohor. E njohim përmes një mori veprash shumë të diskutuara të saj, siç e njohim edhe përmes autoportretit që ajo ka realizuar në vitin 1966, kur ishte vetëm 22 vjeç, kur ishte ende studente. Aty shohim një vajzë me gërshet dhe tipare të theksuara, ku sfondi i kuq nxjerr në pah një fytyrë të zbehtë që bëhet edhe më e ftohtë nga bluja e fustanit që mban. Potenca e ngjyrave dhe kontrasti i tyre, e bëjnë këtë autoportret mjaft shprehës dhe domethënës. 

Autoportret i Lin Delija- foto FB Lin Delija

Autoportret i Lin Delija- foto FB Lin Delija

Lin Delija: Është një piktor i rëndësishëm në kontributet e tij artistike. Ai ka realizuar disa autoportretet ku përmendim “Autoportretet me dhe pa maskë”. Ndërkohë që “Autoportreti i fundit” është realizuar në vitin 1994. Përmes autoportretit të piktorit Lin Delija dallojmë një karakter të fuqishëm artistik dhe një komunikim ekspresiv me publikun. Aty dallohet qartë prirja për të shprehur të vërtetën mbi veten, por pa krenarinë e desidencës dhe imazhin e heroit shpëtimtar. Vështrimi dhe mimika e tij në këtë kuadër duket sikur thotë se në fund të fundit ishte një periudhë njerëzore dhe artistike, e thellë dhe e brendshme njerëzore. Kjo vepër prezanton dhimbjen e njeriut dhe artistit të zhgënjyer dhe ngjan si një testament shpirtëror.

Autoportret i Skender Kamberaj - foto FB IWS Albania

Autoportret i Skender Kamberaj - foto FB IWS Albania

Skënder Kamberi i bashkohet listës së piktorëve që kanë pikturuar veten e tyre, duke sjellë një autoportret shprehës dhe plot jetë. Ai ka preferuar ta pikturojë veten në një çast pune në studion e tij, duke e pikturuar veten në një moshë relativisht të re.

Neritana Kraja