Kina shpall udhëzuesin e vet të parë për zhvillimin e industrisë së hidrogjenit
2023-08-09 16:46:05

Kina publikoi të martën udhëzuesin e parë kombëtar për zhvillimin e standardeve industriale për prodhimin, ruajtjen, transportin dhe përdorimin e energjisë së hidrogjenit.

Sipas librit të bardhë të fundit të Forumit Ekonomik Botëror, Kina është prodhuesja e konsumatorja më e madhe e hidrogjenit në botë, por më pak se 0.1 për qind e hidrogjenit që prodhon vjen nga burime të përtëritshme.

Hidrogjeni është një burim energjie me lëshim të ulët karboni dhe një gamë të gjerë përdorimesh. Ai ka rëndësi të madhe për formimin e një sistemi energjetik të pastër dhe me lëshim të ulët karboni, të sigurt e të efektshëm dhe për arritjen e objektivave të arritjes së kulmit dhe asnjanësimit të karbonit të Kinës.

Globalisht, është bërë një zgjedhje strategjike e rëndësishme për ekonomitë e mëdha të zhvilluara përshpejtimi i transformimit dhe përmirësimit të sektorit energjetik. Një numër në rritje vendesh po shpallin strategji kombëtare për të përkrahur industrinë e energjisë së hidrogjenit, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA).

Brenda vitit 2025, Kina do të krijojë një sistem relativisht të plotë zhvillimi të industrisë së energjisë së hidrogjenit, me përmirësim të ndjeshëm të aftësisë së krijimit të risive dhe zotërim të teknologjive thelbësore e proceseve të prodhimit.

Deri më 2035, përpjesëtimi i hidrogjenit të prodhuar nga energjia e përtëritshme në konsumin e energjisë do të rritet ndjeshëm, duke luajtur një rol të rëndësishëm mbështetës në transformimin e gjelbër energjetik të Kinës.