
CFP
Bjellorusia filloi të hënën një stërvitje ushtarake pranë kufirit të saj me Poloninë dhe Lituaninë, një lëvizje që vjen mes tensionesh tashmë të rritura mes saj dhe dy anëtarëve të NATO-s, lidhur me mercenarët e grupit “Wagner” të Rusisë, që ndodhen në Bjellorusi pas rebelimit jetëshkurtër.
Si Polonia ashtu edhe Lituania kanë rritur masat e sigurisë në kufi, qëkur mijëra luftëtarë të “Wagner”-it mbërritën në Bjellorusi, sipas një marrëveshjeje që i dha fund rebelimit të tyre të armatosur në fund të qershorit dhe i lejoi ata dhe udhëheqësin e tyre, Yevgeny Prigozhin, të shmangnin akuzat penale, shkruan “RTSH”.
Udhëheqësit e dy vendeve të NATO-s kanë thënë se janë të përgatitur për provokime nga Rusia dhe Bjellorusia. Polakët lëshuan akuza në fillim të gushtit ndaj Minskut zyrtar, pasi dy helikopterë bjellorusë fluturuan për një kohë të shkurtër në lartësi të ulët në hapësirën ajrore polake. Autoritetet bjelloruse mohuan hyrjen e helikopterëve të tyre në Poloni.
Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë njoftoi se stërvitja, që filloi të hënën, bazohet mbi përvojat nga operacioni special ushtarak. Sipas ministrisë, stërvitja përfshin përdorimin e dronëve, si dhe ndërveprimin e ngushtë të njësive të tankeve dhe mjeteve të motorizuara me njësitë e degëve të tjera të Forcave të Armatosura. (Elona)

CFP
