
Pasiguria ushqimore (Foto RTSH)
Pandemia e Covid-19, konflikti në Ukrainë dhe ndryshimet klimaterike kanë përmbysur pjesën më të madhe të përparimit për të eliminuar urinë dhe kequshqyerjen globale gjatë dekadës së fundit.
Por duke ndihmuar fermerët e vegjël, ende mund të përmbushet objektivi global për të garantuar sigurinë ushqimore për të gjithë deri në vitin 2030, shkruan “RTSH”.
Ky vit shënon gjysmën e rrugës për zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, grupi ambicioz i objektivave globale të prezantuara nga Kombet e Bashkuara në 2015-n.
17 synimet, të krijuara për të adresuar sfidat më të ngutshme të sotme dhe për ta vënë botën në rrugën drejt qëndrueshmërisë, kërkojnë të reduktojnë varfërinë, të përmirësojnë aksesin në kujdesin shëndetësor dhe arsim, të zbusin efektet më të këqija të ndryshimeve klimatike deri në vitin 2030.
Por kur bëhet fjalë për përmbushjen e qëllimit kritik të zhdukjes së pasigurisë ushqimore, pjesa më e madhe e përparimit të bërë gjatë dekadës së fundit ka qenë e zbehtë.
Kur u prezantuan, objektivi i eliminimit të pasigurisë ushqimore dhe kequshqyerjes në mbarë botën brenda 15 viteve dukej ambicioz, por i arritshëm.
Në atë kohë, nivelet e urisë kishin qenë më të ulëta për më shumë se dy dekada, kryesisht falë rritjes së produktivitetit bujqësor dhe rritjes ekonomike globale.
Megjithatë, gjatë viteve të fundit, bota është goditur nga një sërë krizash të ndërlikuara, nga pandemia Covid 19 dhe konflikti i vazhdueshëm në Ukrainë deri te ngjarjet ekstreme të motit të shkaktuara nga ndryshimet klimaterike.
Si rezultat, uria globale është rritur dhe njerëzit e varfër vuajnë më shumë. Sipas një raporti të ri të OKB-së, rreth 735 milionë njerëz po përjetojnë pasiguri ushqimore, një rritje prej 122 milionë njerëz që nga viti 2019.
Në mënyrë alarmante, shtatë vende - Somalia, Afganistani, Burkina Faso, Haiti, Nigeria, Sudani i Jugut dhe Jemeni - janë tani në prag të urisë. (Elona)
