Shqipëria do të prodhojë energji elektrike nga era. Shpallen kompanitë fituese
2023-08-09 15:02:43

Parqe eloike (Foto Monitor)

Parqe eloike (Foto Monitor)

 

Në 15 qershor 2021 Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë(MIE) hapi procedurën konkurruese të kualifikimit për përzgjedhjen e projekteve për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike eolike (të erës) në tokë, që do të përfitojnë masa mbështetëse, me vendndodhje të përcaktuar nga zhvilluesit. Ky ankand është i pari që organizohet nga Qeveria Shqiptare dhe i pari në rajon. MIE ftoi Ofertuesit Potencialë të identifikojnë dhe të propozojnë vendndodhje të përshtatshme për projektimin, financimin, ndërtimin dhe operimin e një impianti eolik të ri në tokë. Për të ndihmuar Ofertuesit Potencialë, MIE në bashkëpunim me konsulentët ka hartuar një studim, i cili është një analizë e përgjithshme e erës të territorit shqiptar për të treguar zonat potencialisht të përshtatshme për zhvillimin e projekteve të reja eolike si dhe zonat e papërshtatshme/të papranueshme për zhvillimin e projekteve të energjisë së erës të përcaktuara si “të kufizuara” ose “zona të ndaluara”.

Ekspertët e MIE në bashkëpunim me BERZH dhe konsulentët e saj, shqyrtuan të gjitha kërkesat e paraqitura, ku ndër të tjera u shqyrtua eksperienca e duhur teknike, burimet financiare dhe pozita ligjore për të përfunduar një projekt eolik. Në përfundim të shqyrtimit, 6 kompani u kualifikuan në fazën e dytë. Në fazën e dytë 4 nga 6 kompani paraqitën dokumentacionin e kërkuar. Ekspertet e MIE në bashkëpunim me BERZH dhe konsulentët e saj, shqyrtuan dokumentacionin e paraqitur, duke skualifikuar 1 kompani pasi nuk plotësonte kërkesat e procedurës konkuruese dhe 3 kompani janë kualifikuar për hapjen e ofertës ekonomike. Sipas dokumenteve të procedurës konkurruese lejohet dhënia e kapaciteti total mbi 200 MW.

Ministrja Balluku (Foto MIE)

Ministrja Balluku (Foto MIE)

“Do të desha të falenderoja të gjithë bashkëpunëtorët e mi, ata që kontribuojnë çdo ditë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, ata që nuk lodhen kurrë duke u munduar që të gjejnë mënyra të reja për të rritur kapacitetet tonë energjetike, ata që bashkëpunojnë më së miri edhe me të gjithë konsulentët që na janë vënë në dispozicion nga BERZH-i, por edhe nga partnerët tanë. Por, mbi të gjitha të gjithë kolegët e mi të cilët kanë arritur të bindin me punën  e tyre të palodhur kompanitë e mëdha ndërkombëtare që në Shqipëri çdo proces tashmë është transparent.”- tha ministrja Belinda Balluku.

Në përputhje me dokumentet e procedurës konkurruese dhe bazuar në këshillimin e ekspertëve të BERZH, të tre subjektet që kanë paraqitur ofertën ekonomike, të cilat janë nën çmimin tavan të propozuar nga MIE, janë shpallur fituese të ankandit.

“Kemi lançuar këtë garë në 15 qershor të vitit 2021, pra 25 muaj më parë. Kur i kam shpjeguar kryeministrit që ne ishim gati për të hapur një garë të re tashmë për një burim të ri energjetik, siç është ai eolik, u gëzua pa masë, por ku unë i thashë sesa muaj do të merrte atëherë filloi debati midis palëve. 24 muaj! Do presim 24 muaj dhe kishte shumë të drejtë, sepse ne kemi nevojë që të ecim përpara sa më shpejt, por nga ana tjetër tashmë jemi të gjithë të qartë që procese të cilat bëhen ashtu siç duhen që dizenjohen dhe vendosen në kolona të forta dhe në korniza të forta ligjore janë të pakontestueshme dhe zakonisht nga ç’na ka treguar eksperienca e viteve të fundit prodhojnë një produkt i cili është jo vetëm i vlefshëm për sistemin tonë energjetik, por edhe i favorshëm. Ashtu siç ishte rasti i dy parqeve energjetike atij të Karavastasë dhe atij të Spitallës. Kështu që këto dy vite padyshim ia kanë vlejtur”, theksoi ajo.

Ministrja Balluku  u ndal tek hapat që janë ndjekur për këtë ankand.

“Pas 15 qershorit 2021 MIE hapi procedurën konkurruese të kualifikimit për përzgjedhjen e projekteve për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike eolike, duke ftuar ofertuesit potencialë të identifikojnë dhe të propozojnë vendndodhje të përshtatshme për projektimin, financimin, ndërtimin dhe operimin e një impianti eolik. Përsa i përket krijimit të burimeve të reja të rinovueshme në rastin e parqeve fotovoltaike Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, pra shteti shqiptar ka vënë në dispozicion tokën, ndërkohë këtë radhë kemi komplet një instrument të ri. Investitori, ofruesi i shërbimit, duhet të merrte parasysh edhe gjetjen e tokës, por çfarë ne kemi bërë dhe ka qenë guri i themelit i të gjithë këtij procesi është që kemi porositur dhe komisionuar një studim analitik, i cili tregonte sesi dhe ku duhet të ndërtohen në territorin e Shqipërisë parqet eolike, pasi varet performanca e tyre nga korridorët në të cilat ato ndërtohen, pra sa është shpejtësia e erës, në cilën lartësi gjendet era, kështu që duke i vënë në dispozicion këtë analizë, këtë studim të gjithë kompanive të cilat ishin të interesuara ne kemi vënë gurin e parë të themelit të këtij procesi ku për herë të parë investitori duhet të gjejë edhe tokën” bëri të ditur ministrja

Ka patur interes të lartë nga kompanitë për të investuar në fushën  e prodhimit të energjisë nga era.

“Ky studim sot e kësaj dite ndodhet i publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe është atje për t’u përdorur nga të gjithë ato entitete private të cilat dëshirojnë që të vazhdojnë dhe të investojnë në fushën e parqeve eolike. Pjesëmarrja në këtë proces konkurrues lejohej vetëm për kapacitete minimale 10 megavat dhe për kapacitete maksimale 75 megavat/orë. Ndërkohë që nëpërmjet këtij procesi konkurrues Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të përzgjedhë projekte, të cilët do të përfitojnë masat mbështetëse me një kapacitet të përgjithshëm prej jo më pak 150 megavatorësh. Gjatë rrugës kemi parë një interes shumë të madh, kemi parë 14 kompani kombëtare dhe ndërkombëtare të aplikonin për të qenë pjesë e këtij ankandi dhe si e tillë sigurisht kemi diskutuar me njëri-tjetrin që çfarë do të ndodhte nëse ofertat do të ishin të vlefshme dhe çmimi do të ishte shumë i mirë. Do ta ruanim pragun e 150 megavat/orëve apo do të vazhdonim ta lejonim që të shkonte dhe më lart. Sigurisht çdo megavat/orë në ditët e sotme është i çmuar, aq më tepër kur ky megavat/orë vjen nga burime të rinovueshme. Për këtë arsye mbas një konsultimi të gjerë midis palëve kemi vendosur që patjetër nëse këto oferta do të sillnin më shumë se 150 megavat/orë të vlefshëm ne do të ishim të hapur për të pasur edhe 200 ndoshta edhe më tepër.”- tha ministrja. 

Pas përfundimit të fazës së parë ku  morën pjesë 14 operatorë, subjekte kombëtare dhe ndërkombëtare, ekspertët e BERZH-it së bashku me ekspertë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shqyrtuan të gjitha kërkesat e paraqitura ku ndër të tjera u shqyrtua eksperienca e duhur teknike, burimet financiare dhe patjetër pozita ligjore për të përfunduar një projekt të tillë eolik.

“Është synimi ynë kryesor dhe është diçka që e ndjekim me shumë përpikmëri që të gjitha ato projekte të cilat komisionohen nga shteti, bëhet gjithë kjo procedurë serioze dhe e gjatë të kenë rezultat. Në të shkuarën kemi pasur një problematikë të ndeshur shpesh që projekte qofshin këto hidro apo qofshin këto solar, mbasi përfundonte faza e vlerësimit, merrej dokumentacioni, licenca dhe sot qëndrojnë në sirtar për arsye të paditura tek entitetet private.  Synimi ynë kryesor është që të faktonim që 14 kompanitë pjesëmarrëse plotësonin të gjitha kushtet eksperiencën teknike, fuqinë financiare dhe mbi të gjitha provën se ligjërisht ata mund të arrinin dhe të dorëzonin një projekt të tillë” –u  shpreh Balluku.

Energjia eolike (Foto Monitor)

Energjia eolike (Foto Monitor)

Pas procedurave të përcaktuara për kontroll të dokumentacionit dhe plotësimin e kritereve, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë përzgjodhi 3 kompani.

“Në 7 qershor të 2023, ekspertët e MIE në bashkëpunim me BERZH, konsulentët e saj, shqyrtuan këtë dokumentacion, duke skualifikuar edhe një kompani tjetër pasi nuk plotësonte kërkesat e procedurës konkurruese dhe si përfundim tre kompani janë kualifikuar për fazën finale, atë të dorëzimit të ofertave financiare të cilët do të kenë mundësinë që të shikojnë ofertat e tyre këtu live sot. Ne tashmë e kemi bërë një nga proceset tona që të gjitha ofertat të cilat vijnë për ankandet e burimeve të rinovueshme të hapen në të njëjtin moment live për të gjithë të interesuarit dhe sigurisht duke krijuar kështu transparencën maksimale që ka qenë gjithmonë kërkesë e partnerëve tanë, por dhe e investitorëve të huaj”, tha ministrja

Balluku tha se prodhimi i energjisë nga era është mjaft i rëndësishëm për sistemin energjitik dhe paralelisht vijojnë edhe projekte të tjera në këtë fushë.

“Procesi i ndërtimit të parqeve eolike është një hallkë shumë e rëndësishme e sistemit tonë energjetik, tashmë të mirënjohur në të gjithë Europën, jo vetëm në Ballkan, për prodhimin tonë 100% nga burime të rinovueshme, por të bazuar kryesisht, mbi 99% , në burimet hidro dhe duke pasur parasysh që tashmë dy nga ankandet shtetërore që ne kemi mbajtur dhe që ka qenë fituese kompania franceze “Voltalia” janë në ndërtim e sipër. Mbi 50 mega janë të përfunduara dhe vazhdon ndërtimi i parkut të parë i cili do të përfundojë me 140 megavatorë. Këtij gjerdani të sektorit të energjetikës i shtohet edhe ky kapacitet eolik, i mbështetur me çmim të subvencionuar nga shteti. Nga ana tjetër, shumë projekte të tjera në fushën energjetike vazhdojnë të ecin me ritme të mira, siç është procesi për hidrocentralin e Skavicës, rivitalizimi i TEC-it të Vlorës, tubi i transmetimit që do të shtrihet nga porti i Vlorës deri në daljen e TAP-it, apo gazifikimi i Korçës që ne po punojmë prej kohësh me një nga partnerët tanë më të fuqishëm, “SOCAR”, kompaninë që është pjesë e konsorciumit të TAP”

Synimi i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë është krijimi i burmimeve të reja energjetike për ta rritur prodhimin me 4 terravat deri në fund të vitit 2030.

“Të gjitha këto përpjekje sigurisht kanë një emërues të përbashkët. Kanë synimin tonë për të krijuar një prodhim të ri energjetik të shtuar me 4 terravat deri në fund të vitit 2030 dhe kur këto burime energjetike përputhen plotësisht me axhendën e gjelbërt të Bashkimit Europian, plotësojnë të gjitha angazhimet tona si vend model përsa i përket burimeve të rinovueshme, atëherë ne ndihemi më krenarë se kurrë.”-theksoi Balluku.