Vlogerja italiane ndan pasionin për Kinën
2023-08-09 11:37:21

Një e re italiane e cila është edhe një “influencer” në rrjetet sociale, është aq e pasionuar pas Kinës sa ka vendosur dhe të ndjekë studimet pasuniversitare. Përmes videove që poston në llogaritë e saj ajo tregon bukuritë dhe veçantitë e Kinës, vend ndaj të cilit ka qenë e pasionuar që e vogël. Yasmin mendon që dhe pas studimeve të qëndrojë në Kinë, për të parë se çfarë ofron vendi.

Xinhua

Xinhua

Në moshën katërvjeçare, italiania Yasmin Von Roon i kërkoi nënës së saj ta çonte në Kinë, pasi pa një film për luftëtaren legjendare të Kinës Mulan dhe dëgjoi rrëfimin e gjyshes së saj për jetën e udhëtarit italian Marco Polo, i cili udhëtoi për në Kinë në shekullin e 13-të. Tani në moshën 26-vjeçare, ajo është një “influencer” e suksesshme në internet me rreth 110.000 fansa në “TikTok”, por ajo ende kujton ndikimin e fortë emocional të të mësuarit për udhëtimet e Marco Polos.

Duke e konsideruar veten “tifozja nr. 1” e Kinës, ajo ka udhëtuar në 17 provinca kineze që nga viti 2018 dhe ka zgjedhur Universitetin Zhejiang për studimet e saj master në vend të universiteteve franceze apo britanike dhe tani është duke u diplomuar në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe qeverisjen globale.

Udhëtime të tilla janë një ëndërr e realizuar për vajzën. Ajo është edhe më e kënaqur kur sheh interesin e përhapur që eksplorimet e saj kanë korrur në internet. Kur ajo udhëtoi në komunën Chongqing të Kinës jugperëndimore këtë maj, postoi disa video rreth peizazhit të qytetit, duke mbledhur miliona shikime dhe dhjetëra mijëra fansa në “TikTok”.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë se këto video do të bëheshin virale. Mendoj se arsyeja e këtij interesimi është se videot janë bërë pa filtra dhe pasqyrojnë Kinën e vërtetë”, tha Yasmin Von Roon.

Sipas italianes, Chongqing është një qytet futurist me arkitekturë magjike dhe një sistem të mahnitshëm transporti me shina treni që kalojnë nëpër ndërtesa.

“Kur isha në Itali, pashë materiale të shumta për Chongqing që qarkullonin në internet. Më duket sikur nuk e njihja këtë qytet”,- tha vajza.

Kur vendosi të vente në Kinë për të ndjekur studimet, bleu një biletë nga Roma për në Chongqing. Ajo jo vetëm që u trondit kur zbuloi se këto pamje magjike ishin reale, por mësoi gjithashtu se Chongqing ndodhet pranë qytetit të saj të preferuar në Kinë, Chengdu,  i cili është kryeqendra e provincës Sichuan të Kinës jugperëndimore.

Kur shkoi në Kinë për herë të parë në vitin 2018, ajo zgjodhi provincat Yunnan dhe Sichuan në vend të qyteteve të njohura si Pekini dhe Shangai. “Bëra disa kërkime dhe thjesht doja të gjeja perlën e fshehur në Kinë”,- shpjegoi ajo.

Chengdu dhe Chongqing janë pranë njëri-tjetrit dhe kanë shumë gjëra të përbashkëta, si dialekti dhe ushqimi, tha vloggerja italiane, e megjithatë ata kanë atmosferë krejtësisht të ndryshme, të cilat të dyja janë tërheqëse për turistët.

Ishte në Chengdu që ajo ndjeu entuziazmin e popullit kinez. Kur pyeti një kalimtare të rastësishme për udhëzime për një vend të caktuar, zonja e shoqëroi vetë atë deri në destinacion, që në fakt ishte rreth 30 minuta larg.

“Ajo nuk e bëri për para, por vetëm si një gjest, për të më bërë të ditur se jam e mirëpritur në vend. Karakteri i vërtetë i popullit kinez është një nga arsyet që kam qëndruar këtu”,- kujtoi Yasmin.

Xinhua

Xinhua

Babai i saj është gjerman dhe nëna e saj është italiane, duke i dhënë asaj një perspektivë ndërkombëtare që në moshë të re, dhe ajo tani ka udhëtuar në mbi 70 vende. Por asaj i ka bërë veçanërisht përshtypje diversiteti i Kinës, me grupe të ndryshme etnike nga mjedise të ndryshme në të gjithë territorin e gjerë, duke filluar nga veriu me dëborë deri në brigjet e ngrohta të jugut.

“Do të doja të qëndroja në Kinë dhe pasi të mbaroj studimet do të shoh se çfarë mundësish mund të më ofrojë vendi. Ndërkohë do të doja të vazhdoj t'i tregoj publikut se sa e bukur është Kina”,- shtoi ajo.