“Himara International Music Festival” në edicionin e dytë
2023-08-09 12:19:55

Pamje nga Festivali (Foto ATSH)

Pamje nga Festivali (Foto ATSH)

Himara është një nga destinacionet turistike verore më të frekuentuara të jugut të Shqipërisë nga turistët vendës dhe të huaj. Këtë verë kalendarit të veprimtarive artistike në bregdetin jugor iu shtua dhe edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës, me pjesëmarrjen e artistëve nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës. Drejtues artistikë të këtij eventi janë pianistët e njohur Rea Veizi dhe Endri Nini, të cilët do të performojnë bashkë me artistët e tjerë pjesëmarrës për artdashësit. Rea Veizi në një intervistë për Radio Ejani tregon për risitë e këtij festivali që po zhvillohet në Himarë.

Rea Veizi.(Facebook)

Rea Veizi (Facebook)

CMG: Cilat janë risitë që do të sjellë edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës në Himarë këtë vit?

Rea Veizi: Këtë vit ne kemi sjellë një sërë koncertesh dhe performancash me artistë të ndryshëm nga Shqipëria dhe e gjithë Europa. Ndryshe nga vjet që ishin pesë koncerte, sivjet  kemi shtatë performanca me një larmishmëri zhanresh muzikore, por edhe formacionesh muzikore. Më kokretisht festivali u hap me koncertin e parë më 3 gusht në Kalanë e Himarës me një performancë që vjen për herë të parë dhe flet për ndikimet e ndryshimeve e kushteve klimaterike në tokë dhe për ndikimin që kjo ka për të gjithë ne. Është një performancë multidimensionale, ku përfshin këngën, gjuhën e shenjave, dancin dhe gjithashtu një kostumografi spektakolare që u shfaq për të gjithë artdashësit këtu në Himarë. Gjithashtu po në datën tre ishte një grup në drejtimin e një artisti të madh dhe të njohur Rafet Rudi një formacion mjaft interesant pasi janë tetë këngëtarë që formojnë një grup koral dhe që këndojnë akapela një repertor shumë të veçantë, që nis nga periudha baroke deri tek ajo kontenporane, ku përfshihet dhe muzika shqiptare. Ka kompozitorë që për herë të parë janë zbuluar pikërisht nga ky formacion. E gjithë data tre ishte një festë e madhe në Kalanë e Himarës.

CMG: Si është i organizuar ky festival dhe a do të ketë vlerësime për pjesëmarrësit?

Rea Veizi: Festivali nuk është i organizuar në formën e një konkursi, por vetë nga emri i tij është i organizuar në formën e një serie koncertesh, sikurse e thashë që janë shtatë koncerte dhe ne kemi ftuar artistë të mirënjohur me një karrierë të pasur kombëtare dhe ndërkombëtare nga Shqipëria dhe Europa. Kështu që premtojmë një program shumë të pasur dhe interesant për të gjithë publikun dhe artdashësit, por dhe turistët që kanë planifikuar të vijnë për të kaluar disa ditë pushimi në Himarë.

Rea Veizi (Foto personale)

Rea Veizi (Foto personale)

CMG: Cilat shtete marrin pjesë në këtë festival?

Rea Veizi: Ne kemi Eliot Kuartet, i cili luan më 9 gusht bashkë me pianistin Endri Nini. Ky është një kuartet me bazë në Gjermani dhe një nga më premtuesit e gjeneratës së vet, por komponentët e kuartetit janë nga Gjermania, Kanadaja dhe Rusia. Gjithashtu kemi dy artistë nga Franca, pianisten Ilirjana Gjoni me origjinë nga Ulqini, që vjen direkt nga Brukseli për të luajtur në festivalin tonë. Kemi gjithashtu dhe një kuartet harqesh nga Shqipëria së bashku me Dorina Selimaj soprano e njohur e TKOB-së.

Kemi dashur që të kemi një gamë të gjerë artistësh nga Shqipëria dhe bota. Ishte shumë e rëndësishme për ne që përveç një niveli të lartë artistik dhe të një programi interesant dhe të pëlqyeshëm për publikun, t’i krijonim një hapësirë të veçantë muzikës shqiptare dhe artistëve shqiptarë. Për këtë arsye dy performancat e para të datës 3 dhe 4 gusht ishin totalisht të dedikuara muzikës shqiptare të luajtur nga muzikantë të mirënjohur shqiptarë.CMG: Ju vetë do të keni ndonjë performancë në këtë edicion të festivalit?

Rea Veizi: Sigurisht që po, unë dhe Endri jemi të dy pianistë profesionistë dhe skena është pjesë e aktivitetit tonë artistik dhe professional. Për ne është një kënaqësi shumë e madhe që të luajmë në Shqipëri dhe pikërisht në Himarë ku është dhe vendi ynë i origjinës. Prandaj ne e organizojmë këtë festival këtu, dhe për ne është një kënaqësi e dyfishtë pasi sa herë që luajmë këtu ftojmë miqtë dhe kolegët tanë muzikantë për të luajtur së bashku me ne, për t’ju prezantuar Shqipërinë si dhe publiun shqiptar.

Si vjet dhe sivjet ne do të jemi të dy pjesë të festivalit edhe si instrumentistë, ku unë luajta në datën shtatë gusht së bashku me Ilirjana Gjonin, kurse Endri do të luajë në datën nëntë gusht me Eliot Kuartet me një program të bukur që premton shumë dhe i ftoj të gjithë artdashësit të vijnë dhe ta ndjekin.


Posteri i festivalit (Foto personale)

Posteri i festivalit (Foto personale)

CMG: Festivali po ndiqet dhe nga turistë të huaj që ndodhen në Himarë me pushime?

Rea Veizi: Sigurisht, ne kemi parë që sidomos vitet e fundit Shqipëria është një destinacion shumë i plëqyer turistik, ku dhe sivjet ka goxha turistë të huaj këtu në jug. Ka pasur një interes shumë të madh dhe vjet, pasi turizmi kulturor, pra ofrimi i eventeve të mirëfillta kulturore në vendet turistike është diçka që bëhet dhe në botë dhe sigurisht është shumë e preferuar jo vetëm nga turistët shqiptarë por dhe nga të huajt.

Sikurse vjet patëm goxha pjesëmarrrje edhe nga turistët e huaj në festival, nga interesimet që kemi pasur deri tani presim që edhe sivjet të ketë një pjesë të publikut që do të jetë nga turistët e huaj, që kanë zgjedhur bregdetin e jugut për të pushuar.

CMG: Ky festival do të mbetet traditë në Himarë apo keni menduar që vitet e ardhshme ta organizoni dhe në ndonjë qytet tjetër të vendit?

Rea Veizi: Ky festival ka lindur me dëshirën dhe me qëllimin që të kthehet në një traditë këtu në Himarë. Dëshira jonë është që festivali të ketë një nivel dhe të marrë përmasa të tilla, duke u inspiruar dhe nga festivalet e tjera të njohura siç është ai i Ohrit apo i Varnës, ku festivali bëhet një epiqendër e aktivitetit kulturor në vendin ku zhvillohet dhe e vendos atë vend në qendrën e axhendës kulturore europiane, pse jo dhe botërore. Dëshira jonë është që ky festival të kthehet në një traditë dhe nëpërmjet kësaj të vendosë dhe Himarën pjesë të axhendës kulturore të eventeve dhe në Europë, që të tërheqë pushues që mund të vijnë posaçërisht për të ndjekur artistët që do të vijnë për të performuar në festival dhe programacionin që ne do të ofrojmë edhe në vitet në vazhdim.

Endri Nini (Foto personale)

Endri Nini (Foto personale)

CMG: Si një artiste porfesioniste në zhanrin e muzikës a mendoni se interesi i të rinjve është shtuar kohët e fundit për të ndjekur koncerte të tilla?

Rea Veizi: Unë mendoj që po, sot muzika klasike dhe ajo instrumentale po fiton një terren të madh, pasi ka fituar një lloj aktualizimi. Pra muzikantët ofrojnë repertor, duke filluar nga më kalsiku e deri tek më moderni. Kemi mundësinë që të shfrytëzojmë shumë hapësira për ta sjellë këtë muzikë te publiku, pra ka dalë jashtë sallave tradicionale të koncertit ku zhvillohen këto lloj eventesh.

Kjo është një muzikë shumë e bukur dhe përgjithësisht publiku e përqafon, më konkretisht dhe publiku i ri. Nga eksperienca jonë e një viti më parë që zhvilluam festivalin përgjatë një jave me pesë koncerte kemi pasur jashtëzakonisht shumë të rinj që jo vetëm kanë treguar interes dhe kanë ardhur të ndjekin njërin nga koncertet, por i kemi parë të rikthehen edhe në një koncert të dytë apo të tretë. Kështu që unë mendoj që kur ofrohet diçka e bërë mirë në muzikë dhe e luajtur me zemër dhe nga profesionistë të një niveli të lartë, arrin te publiku dhe pëlqehet dhe sigurisht që tërheq dhe një publik të një moshe të re, që gjithmonë është një nga target grupet e këtyre lloj eventesh. Publiku i ri dhe sigurisht fëmijët, të cilëve u edukohet shija muzikore dhe krijohet publiku i të ardhmes.

Intervistoi: Gazmend Agaj