Kush është nxitësja e incidentit të gumës Renai?
2023-08-09 20:51:57

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Të martën, Roja Bregdetare e Kinës publikoi një video, ku tregohet anija e Rojës Bregdetare kineze duke lëshuar topa uji kundër anijeve filipinase që hynë në mënyrë të paligjshme në zonën detare afër gumës Renai të ishujve Nansha të Kinës. Tonazhi i anijes kineze është shumë më i madh se i anijeve filipinase, por veprimi i saj është profesional e i përmbajtur. Analistët janë të mendimit se veprimi i palës kineze jo vetëm shfaq vendosmërinë e aftësinë e Kinës për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar e të të drejtave detare, por edhe përgjegjësinë e saj për ruajtjen e marrëdhënieve kino-filipinase.

Por ShBA-ja ka shpifur mbi veprimin e ligjshëm të Kinës për mbrojtjen e të drejtave të veta detare. Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes të ShBA-së bënë me radhë deklarata, duke e dënuar Kinën për “shkeljen e ligjit ndërkombëtar” dhe duke e përkrahur palën filipinase për zhvillimin e “aktiviteteve të ligjshme detare”.

Guma Renai është pjesë e Ishujve Nansha të Kinës. Më 9 maj të vitit 1999, një anije luftarake e forcave detare filipinase lundroi në gumën Renai dhe ekuipazhi i saj u shpreh se, për shkak të rrymave ujore, anija u detyrua të ankorohet në plazhin në veriperëndim të gumës Renai. Pas kësaj, pala filipinase ka premtuar disa herë se do ta largojë anijen, por deri tani nuk e ka mbajtur premtimin e bërë, madje synon ta riparojë anijen për të realizuar pushtimin e përhershëm të gumës Renai. Veprimet e palës filipinase kanë shkelur rëndë ligjin ndërkombëtar dhe “Deklaratën mbi sjelljen e palëve në Detin e Kinës Jugore”.

Pala amerikane i ka përkrahur veprimet e palës filipinase, madje dërgoi aeroplanë e anije ushtarake në ndihmë të saj, duke e kërcënuar palën kineze me Marrëveshjen e Mbrojtjes së Përbashkët ShBA-Filipine. Këta faktorë shkaktuan incidentin e gumës Renai.

Pala filipinase duhet të kuptojë se zgjerimi i mosmarrëveshjeve detare me Kinën nuk përputhet me interesat e veta dhe do të shkatërrojë paqen e sigurinë rajonale. Veprimi i duhur është që të mbahet premtimi i bërë ndaj Kinës dhe të trajtohet siç duhet problemi detar me të nëpërmjet dialogut e konsultimeve. (Fani)