CFP
Nënvarianti i ri i variantit “Omicron” të Covid-19, i quajtur Eris, është përhapur në të gjithë Britaninë e Madhe. Sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore të Britanisë së Madhe, varianti i ri Eris përbën 1 në çdo 7 raste të reja në mbarë vendin, citon “RTSH”.
Eris u regjistrua si varianti i dytë më i zakonshëm në Mbretërinë e Bashkuar, pas “Arcturus”, i cili përbën rreth gjysmën e rasteve, me 39.4 për qind. Autoritetet raportuan se po monitorojnë nga afër situatën teksa vazhdon rritja e rasteve me Covid-19 në mbarë botën.
Sipas një studimi, numri i rasteve, i cili ishte rreth 606 mijë më 4 korrik, në fund të muajit të shkuar shkoi në mbi 785 mijë, raportojnë mediat britanike.
Ekspertët pretenduan se rritja e rasteve në vend mund të lidhet me grumbullimin e miliona njerëzve në kinema, pasi filmat “Barbie” dhe “Oppenheimer” u shfaqën në kinematë britanike më 21 korrik. Shkak tjetër që mund të ketë çuar në rritje, siç raportojnë mediat atje, është edhe rënia e imunitetit ndaj sëmundjes dhe kalimi i një periudhe të caktuar kohore pas vaksinave. (Elona)