Pekin, 33 të vdekur dhe 18 të humbur nga shirat e kohëve të fundit
2023-08-09 16:54:35

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Autoritetet vendore në kryeqytetin kinez thanë të mërkurën se 33 veta vdiqën dhe 18 të tjerë u njoftuan të humbur deri të martën për shkak të shirave që ranë në Pekin nga 29 korriku deri më 2 gusht.

Deri tani, pothuajse 1.29 milionë veta dhe 225 000 mu (15 000 hektarë) kultura bujqësore janë prekur, ndërsa 59 000 shtëpi janë shembur e 147 000 të tjera janë dëmtuar rëndë, tha Xia Linmao, zv.kryebashkiaku ekzekutiv i kryeqytetit të Kinës në një konferencë shtypi.

Pekini përjetoi reshjet më të mëdha të shiut në të paktën 140 vjet, teksa rezervuari Wangjiayuan në distriktin Changping regjistroi 745 milimetra shi.

Xia tha se bashkia po bën plane për rimëkëmbjen e përgjithshme pas katastrofës dhe rindërtimin. Do të duhet rreth një vit që Pekini në thelb të mëkëmbet dhe të kryejë punët e rindërtimit, duke përfshirë rregullimin e objekteve të administrimit të ujit, forcimin e shtëpive të dëmtuara dhe rindërtimin e shtëpive rurale, shtoi ai.

Sipas numrit dy të bashkisë së Pekinit, infrastruktura bazë, duke përfshirë atë të transportit, energjisë e komunikacionit, si dhe të shëndetësisë e objekte të tjera të shërbimit publik, duhet në thelb të rikthehen në nivelet para katastrofës.

Për rindërtimin e plotë do të duhen rreth tre vjet, me një rritje të rëndësishme në kapacitetet për të parandaluar e pakësuar fatkeqësitë dhe për zhvillimin shoqëror e ekonomik.