
Zjarre ne Portugali (Foto RTSH)
Zjarrfikësit në Portugali po luftojnë për të kontrolluar zjarret që kanë përfshirë mijëra hektarë mes temperaturave në rritje. Më shumë se 1400 persona janë evakuuar në qytetin jugor të Odemiras, ku të paktën nëntë zjarrfikës janë lënduar në përpjekjet për të shuar zjarret, bën të ditur “RTSH”.
Temperaturat mbi 40 gradë Celsius pritet të godasin pjesën më të madhe të Gadishullit Iberik këtë javë. Tri vatra të mëdha zjarri që dogjën qindra hektarë në Spanjë gjatë fundjavës janë vënë nën kontroll, por alarmet e motit mbeten në fuqi në pjesën më të madhe të vendit.
Në Portugali, e hëna regjistroi temperatura prej 46.4 gradë, më e nxehta e vitit deri tani, e regjistruar në Santarem. Në Odemira, zjarret kanë shkatërruar deri tani rreth 6700 hektarë tokë, ndërsa gjithsej 19 fshatra, katër akomodime turistike dhe një vend kampingu janë evakuuar.
Kryetari i bashkisë së qytetit, Helder Guerreiro, ka thënë se situata është kritike dhe komplekse.
Autoritetet kanë shpallur më shumë se 120 komuna në të gjithë Portugalinë në rrezik maksimal nga zjarret. (Elona)
