Bashkëpunim Shqipëri-Greqi për të lehtësuar kalimin në pikat kufitare
2023-08-09 16:24:06

Bashkepunimi Shqiperi-Greqi ne kufi (Foto Rtsh)

Bashkepunimi Shqiperi-Greqi ne kufi (Foto Rtsh)

Drejtorët e përgjithshëm të Kufirit nga Shqipëria dhe Greqia u takuan të martën në Qendrën e Përbashkët Operacionale të Kakavijës, nga ku bënë të ditur se të dy vendet do të rritin bashkëpunimin për mbarëvajtjen e fluksit të udhëtarëve përgjatë sezonit turistik dhe më afatgjatë, për luftën kundër krimeve në pikat e kalimit në të dy krahët e kufirit, shkruan “RTSH”.  

Drejtuesi i lartë Saimir Boshnjaku dhe gjeneralmajor Dimitrios Mallios ranë dakord të intensifikojnë masat për rritjen e numrit të sporteleve nga secila palë.  

“Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh themi se situata është normale, pavarësisht se fluksi i rritjes së qytetarëve po shtohet dita-ditës. I kemi marrë këto masa dhe besoj se do të jemi shumë efikasë te pjesa e menaxhimit të kalimit”,- deklaroi Boshnjaku pas takimit me homologun grek.  

Bashkëpunimi me palën greke mbetet i vazhdueshëm, por palët kërkojnë edhe mirëkuptimin e qytetarëve në çdo situatë.  

“Falënderojmë edhe palën greke për gatishmërinë që ka treguar në bashkëpunimin me palën shqiptare. Besojmë që kjo do të jetë një arritje shumë e mirë për këtë sezon turistik”,- deklaroi Boshnjaku. (Elona)