Fatjon Softa është një emër i lakur i opiniont publik, të cilin e shohim shpesh në media, si ekspert për çështjet e sigurisë. Pas eksperiencës së tij në fushën e policisë, ku ka mbajtur para disa vitesh edhe postin Drejtor Policie, ai tregon se si ka nisur ky profesion dhe marrëdhënien e ngushtë që ka me dijen. Ish drejtori i policisë Softa, thotë se jeta është një sfidë e guximshme për të cilën nuk duhet të ankohemi, por të ulemi për të punuar dhe për të zgjidhur çdo gjë.
Fatjon Softa ( foto personale)
Shqipërinë thotë ai ndër të tjera, mund ta bëjnë vetëm të rinjtë, andaj ju bën thirrje të mos largohen nga vendi, por të qëndrojnë këtu në atdhe.
Softa, rrjedh nga një familje të cilët e kanë dashur dhe vijojnë ta duan shumë arsimin, ai në këtë bisedë rrëfen për marrëdhënien me prindërit e tij dhe nxitjen që ka marrë prej tyre për ta dashur arsimin, vendin dhe veten.
Gjatë bisedës zoti Softa, tregoi për Grupin Mediatik të Kinës, projektet aktuale të cilat është duke i vënë në zbatim aktualisht.
CMG: Ju keni një moto kur dilni në ekran dhe thoni: ‘Media dhe informimi publik’. Pse kjo moto?
Fatjon Softa: Është një pyetje në fakt që ia bëj edhe shpesh vetes, shpesh them për çfarë punoj? E kam marrë këtë përgjigje, vite më parë kur punoja si drejtor policie, i thashë vetes çfarë do duhet të bëj me mediat. Gjëja e parë që bëra ishte që i afrova ato më pranë, u bëra bashkëpunëtor i tyre. Media është kanali prej së cilës buron informacioni dhe e ndiej detyrë morale, qytetare dhe profesionale të jem prezent sa herë më thërret. Ne duhet ta informojmë qytetarin për gjithçka që ndodh rreth nesh, kjo është detyra jonë.
CMG: A e keni pasur të vështirë të ishit drejtues?
Fatjon Softa: Së pari të jesh drejtues duhet të jesh human, të kesh shpirtin e një njeriu i cili përpos që "lufton" për postin, duhet të luftojë edhe për ndjenjat njerëzore. Unë kam qenë një drejtor që kam dashur të gjithë punonjësit e mi dhe i kam trajtuar ata si fëmijët e mi. A ju bën keq fëmijëve? Jo! Atëherë as me punonjësin nuk duhet ta bësh.
Po ndaj eksperiencën time me ju duke rrëfyer krejt sinqerisht çdo gjë.
Fatjon Softa në intervistë për CMG
Më kujtohet kur një punonjësin tim e kishe zënë gjumi në punë. Unë ju afrova dhe e mbulova, mendova me vete, kushedi çfarë halli ka, kushedi se çfarë ka kaluar. E lashë të flinte dhe kur u zgjua e pyeta çfarë kishte. Ndodhi ajo që unë e mendoja dhe e prisja, ai kishte probleme në familje. Unë mund të isha sjellë keq me të madje edhe ta kisha pushuar nga puna, por këtë gjë nuk e bëra. E rëndësishme në jetë është të jemi njerëz dhe çdo gjë që bëjmë apo çdo hap që marrim të mendojmë si do ndiheshim nëse do të na i bënin ne atë gjë.
Punën e kam të shenjtë, por më të shenjtë se punën kam njeriun dhe sot nuk ndodh kurrë që të takoj dikë që nuk e kam ndihmuar apo nuk ia kam dhënë dorën kur ai ose ajo ka qenë keq.
CMG: Ju keni qenë dhe vijoni të jeni tepër aktiv, çfarë rëndësie zë për ju puna dhe si ëshë përditshmëria juaj?
Fatjon Softa: Nëse më keni vënë re edhe në dalje të tjera mediatike jam kudo me një bllok me vete dhe ky bllok mbart shënime dhe gjithçka rreth ditës sime. Jam i përulur para dijes, mendoj që në çdo moment apo në çdo situatë njeriu mëson, nxjerr një mësim, apo nxjerr një eksperincë. Përballë dijes jemi të gjithë të paditur dhe duhet të jemi përherë në kërkim të saj. Ju them shpesh edhe të rinjve, luftoni për dijen tuaj.
CMG: Si ka qenë raporti me familjarët tuaj, në çfarë klime jeni rritur?
Fatjon Softa ish drejtor policie ( foto personale)
Fatjon Softa: Unë jam rritur në një klimë të bukur familjare, me dy prindër të thjeshtë por ambiciozë dhe mbi të gjtiha ata e donin dijen, dëshironin që unë të isha diku për diçka, kishin sfidë në vetvete të na shtynin drejt arsimit. Për këtë do u jem mirënjohës gjatë gjithë jetës sime, pasi kanë dhënë udhëzimin e tyre më të drejtë për jetën time.
CMG: Pas kaq shumë vitesh, si ngjason retrospektiva juaj e jetës nëse do flasim për të?
Fatjon Softa: Njeriu nuk jeton thjesht në aspektin ekonomik, por edhe atë shpirtëror. Kjo është forca më e mirë që të bën të jesh prodhues. Unë nuk jam i kënaqur me çfarë kam bërë deri tani, por do doja të bëja edhe më shumë që të ndihem i përmbushur. Çdo post që kam mbajtur ka qenë ambicie për mua dhe jo një nevojë. Kërkoj ende por më shumë jam munduar që këtë edukim që prindërit dhanë tek unë t’ia jap fëmijëve të mi. Në jetë duhet të jesh një person social dhe kryefamiljar i mirë.
CMG: Si ka qenë momenti kur u bëtë kryefamiljar dhe më pas baba?
Fatjon Softa: Ka qenë një moment sublim, vjen një moment që në jetë ti duhet të ndash disa përgjegjesi dhe ky moment është martesa. Pra, ti duhet të jesh i gatshëm për këtë hap në jetë, pavarësisht se jeta të mëson vetë rrugës.
Më pas u bëra baba dhe përgjegjësia u rrit bashkë me emocionet e forta të një prindi i cili jep gjithçka për fëmijën e tij.
CMG: Cilat janë projektet tuaja aktuale ?
Fatjon Softa ( foto Report TV)
Fatjon Softa: Aktualisht unë jam duke u marrë me krijimin e një rrjeti punonjësish. Një organizatë, e cila është e përbërë vetëm nga punonjës të cilët do japin kontributin e tyre të shquar me çdo aspekt të jetës.
CMG: Nëse do të duhej të këshillonit sot një të ri , çfarë do t’i thonit?
Fatjon Softa: Mua më vjen keq që shoh të rinj, të cilët çdo ditë ikin. Jeta është e vështirë kudo ku të shkelësh, por njeriu duhet të përshtatet. Unë e dua atdheun tim dhe dua që më të mirën tonë ta jap këtu. Çfarë nëse gjithë këta të rinj bëjnë të njëjtën gjë ? Do doja shumë të kuptonin që fuqia e vërtetë e një vendi janë këta të rinj.
Intervistoi: Megi Latifi