MJK: Guma Renai është pjesë e ishujve Nansha të Kinës
2023-08-08 18:10:35

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ministria e Punëve të Jashtme e Filipineve bëri një deklaratë të hënën, ku thuhet që të shtunën, Roja Bregdetare kineze pengoi dhe sulmoi me topa uji një anije furnizuese të anijes luftarake filipinase të ankoruar në plazhin e gumës Renai dhe një anije të Rojës Bregdetare filipinase. Sipas deklaratës, veprimet e palës kineze kanë shkelur Konventën e Ligjit Detar të OKB-së, vendimin gjyqësor mbi Detin e Kinës Jugore dhe sovranitetin e të drejtën e administrimit të palës filipinase.

Lidhur me këtë deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës theksoi se guma Renai është pjesë e ishujve Nansha të Kinës. Pala filipinase ka bërë premtime disa herë se do ta tërheqë anijen luftarake të akoruar në mënyrë të paligjshme në plazhin e gumës Renai, por kanë kaluar 24 vjet dhe jo vetëm që nuk e ka tërhequr anijen luftarake, por edhe synon ta riparojë dhe përforcojë atë, për të realizuar pushtimin e përhershëm të gumës Renai. Veprimet e palës filipinase shkelin rëndë ligjin ndërkombëtar dhe Deklaratën e Sjelles së Palëve në Detin e Kinës Jugore të nënshkruar nga Kina dhe vendet e ASEAN-it. Pala kineze i kërkon përsëri palës filipinase ta tërheqë menjëherë anijen luftarake të ankoruar në plazhin e gumës Renai, për të rikthyer gjendjen e pabanuar dhe pa pajisje të kësaj gume.

Sipas zëdhënësit kinez, vendimi për çështjen e Detit të Kinës Jugore shkel ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë Konventën e Ligjit Detar të OKB-së, dhe është i paligjshëm e i pavlefshëm. Kina nuk e pranon e nuk e njeh këtë vendim.

Zëdhënësi shtoi se Filipinet janë një vend i rëndësishëm fqinj detar i Kinës dhe të dy vendet kanë arritur mendime të rëndësishme unanime për kontrollimin e mosmarrëveshjeve detare. Pala kineze dëshiron të vazhdojë dialogun e konsultimet me palën filipinase për të trajtuar siç duhet mosmarrëveshjet, për të mbrojtur qëndrueshmërinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe të situatës detare. (Fani)