Autoritetet po punojnë për të rivendosur normalitetin në Pekin pas përmbytjeve
2023-08-08 18:45:43

CFP

CFP

Autoritetet e Pekinit po bëjnë shumë përpjekje për të rivendosur normalitetin për banorët e qytetit të prekur nga shirat e dendur që sollën përmbytje në disa pjesë të kryeqytetit kinez javën e kaluar, njofton “China Daily”.

Urat dhe rrugët e dëmtuara po riparohen për të siguruar shpërndarjen e nevojave ditore dhe pajisjeve të shpëtimit.

Punëtorët po garojnë gjithashtu kundër kohës për të rivendosur shërbimet e ujit, energjisë elektrike dhe telekomunikacionit.

“Fatkeqësitë dytësore pas përmbytjeve, të tilla si sëmundjet, mund të shmangen duke monitoruar më shumë ujin e pijshëm dhe praktikat e dezinfektimit. Monitorimi i vazhdueshëm dhe paralajmërimet e hershme gjithashtu duhet të rriten në drenazhet malore, vendet e braktisura të minierave, pellgjet e mbeturinave dhe atraksionet turistike”,- deklaroi Yin Li, zyrtari partiak i qytetit, gjatë një konference shtypi.

Sipas tij, do të vlerësohet me kujdes siguria e banorëve, mbeturinat dhe rrjedhat ujore do të pastrohen për t'u siguruar që ata të mund të kthehen në shtëpitë e tyre sa më shpejt të jetë e mundur. Ai theksoi se njerëzve gjithashtu do t'u ofrohen mallra të mjaftueshme me çmime të qëndrueshme.

CFP

CFP

“Shkollat e dëmtuara duhet të përshpejtojnë riparimet në mënyrë që semestri i vjeshtës të fillojë siç është planifikuar. Kompanitë inkurajohen të rifillojnë punën sa më shpejt të jetë e mundur. Trajtimi mjekësor për të lënduarit, si dhe konsultimet psikologjike për familjarët e viktimave dhe shërbimet e kompensimit të sigurimit duhet të garantohen gjithashtu për të mbrojtur të drejtat e njerëzve. Do të jepen subvencione nga qeveria për të ndihmuar njerëzit në vështirësi”,- tha Yin.

Pekini u godit nga stuhi të mëdha shiu për disa ditë rresht, për shkak të kalimit të tajfuni “Doksuri”. Rrethet Mentougou dhe Fangshan të qytetit u goditën më rëndë, me disa shtëpi të shkatërruara dhe dhjetëra mijëra njerëz të evakuuar. (Fatosi)