Kina hedh poshtë deklaratën e ShBA-së për problemin e gumës Renai
2023-08-07 21:22:54

Foto nga CFP

Foto nga CFP

Ditët e fundit, Departamenti amerikan i Shtetit bëri një deklaratë, ku thuhet se veprimet e palës kineze të pengimit dhe sulmimit me topa uji të anijeve filipinase që transportonin njerëz e materiale në anijen luftarake të ankoruar në plazhin e gumës Renai, shkelën ligjin ndërkombëtar dhe kërcënuan paqen e qëndrueshmërinë rajonale. Deklarata i bëri thirrje palës kineze të respektojë gjykimin për çështjen e Detit të Kinës Jugore, duke theksuar se pala amerikane e përkrah “veprimtarinë e ligjshme detare” të palës filipinase.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës u shpreh se guma Renai është pjesë e ishujve Nansha të Kinës. Historia e problemit të kësaj gume është shumë e qartë. Në vitin 1999, një anije luftarake filipinase u ankorua në mënyrë të paligjshme në plazhin e gumës Renai, me qëllim që të ndryshonte statuskuonë e atyshme. Kina paraqiti menjëherë protestë dhe i kërkoi palës filipinase ta largonte këtë anije. Pala filipinase bëri disa herë premtime se do ta largonte anijen, por deri sot nuk e ka mbajtur premtimin që ka bërë. Të shtunën, pa marrë parasysh paralajmërimet e palës kineze, pala filipinase dërgoi dy anije për të transportuar lëndë ndërtimi në anijen luftarake të ankoruar në plazhin e gumës Renai. Ky veprim ka shkelur sovranitetin e Kinës dhe “Deklaratën mbi sjelljen e palëve në Detin e Kinës Jugore”.

Çështja e gjykimit për Detin e Kinës Jugore është një farsë politike. Vendimi ka shkelur ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë Konventën e OKB-së mbi Ligjin Detar dhe është i paligjshëm e i pavlefshëm. Deklarata e palës amerikane për këtë problem nuk ndikon aspak në vendosmërinë dhe vullnetin e palës kineze për mbrojtjen e sovranitetit dhe të të drejtave detare të veta. (Fani)